TË RUAJMË MJEDISIN e të kursejmë para duke përdorur trasta

TË RUAJMË MJEDISIN DHE TË KURSEJMË PARA

Living - - VJESHTË 2017 -

Tani keni mundësi që, kur të shkoni për të bërë pazar, të merrni me vete aktorin, këngëtarin, futbollistin e preferuar, apo këdo tjetër që keni për zemër. Nuk e kam fjalën për vetë personin, por për imazhin e tij, i cili mund të jetë i stampuar mbi një trastë. Sigurisht që kjo do ta bënte pazarin jo vetëm zbavitës, por edhe më ekonomik. Duke qenë se disa supermarkete në Tiranë, kanë filluar t’i shesin qeset ashtu si dhe produktet, trasta është një zgjidhje e mirë, jo vetëm për të kursyer një blerje të panevojshme, por edhe për të ruajtur mjedisin nga ndotja e mbetjeve plastike. Rezulton se qeset janë një prej ndotësve kryesorë dhe më të rrezikshëm të mjedisit dhe natyrës. Pak muaj më parë, bashkia e Tiranës në bashkëpunim me disa biznese, realizoi marrëveshjen për shitjen e qeseve plastike, nismë e cila është në dobi të mjedisit, dhe jo vetëm. Kjo gjë, i ka ardhur shumë në ndihmë edhe Jetmira Halilajt, administratore e një biznesi social të quajtur “Trasta o Nona”. Ideja e këtij biznesi ka lindur tre vjet më parë, si një nismë e aktivistëve të lëvizjes “Ecco Volis”, për të ndërgjegjësuar qytetarët në lidhje me ripërdorimin e rrobave të vjetra, por dhe eliminimin e qeseve plastike, çka ishte qëllimi kryesor. Kështu, u zhvillua ideja për rikthimin e trastave të hershme dhe u vendos të quhej “Trasta o Nona”.

Jetmira tregon se në thelb të idesë së këtij biznesi social, është një dyqan ku mund të ekspozohen dhe të shiten trasta. Ndërkohë, çdo grua në nevojë, mund të bëjë trasta e t’i çojë aty. “Ne, si biznes social, merremi edhe me përzgjedhjen e këtyre grave dhe duam t’u dërgojmë nga një makinë qepëse, në mënyrë që ato të prodhojnë e ne t’i shesim, - shprehet Jetmira. - Kështu ndihmojmë edhe gratë dhe familjet në nevojë, por edhe mjedisin nga ndotja e qeseve.”

Ideja e Jetmirës është që të ketë shumëllojshmëri trastash, të krijuara kryesisht me materiale të riciklueshme. Këto trasta do të kenë kosto shumë të ulët, me qëllim që gjithkush të ketë mundësi t’i blejë. “Mund të prodhojmë

trasta konsumi, nga ato që përdorin bizneset me logot e tyre, por do të bëjmë edhe të personalizuara, ku gjithkush mund të na kontaktojë për të vendosur aty fotografinë e këngëtarit apo futbollistit të preferuar, me vargjet që do të donte t’i shkruante në të ose me një dedikim për një person të dashur,” - thotë administratorja e “Trasta o Nona”. Deri më tani, ky biznes social është marrë me pjesën e ndërgjegjësimit. Së fundmi, është zhvilluar një aktivitet ku janë dhuruar 5 mijë trasta, të cilat janë realizuar në bashkëpunim me shkollat profesionale. Aktualisht, falë medies sociale, “Trasta o Nona” ka filluar të realizojë e të shesë produktet e para. “Synojmë të afrojmë bizneset për të bërë trasta te ne, në mënyrë që të kemi mundësi të ndihmojmë sa më shumë gra”, - shton Jetmira.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.