Eye Contact

EKSPERIMENTI MË I MADH BOTËROR VJEN NË SHQIPËRI

Living - - VJESHTË 2017 -

Të gjithë e dimë se sytë janë porta e shpirtit, por, rrallëherë ndodh ta lejojmë veten të depërtojë kaq thellë brenda tyre. Thonë se sytë nuk gënjejnë kurrë dhe se përmes tyre mund të krijohen ura të forta, këmbët e të cilave lidhen në shpirt.

Por, trajtat dhe dinamika që ka marrë jeta, shtoji dhe uzurpimin teknologjik, na mbajnë gjithmonë e më të shkëputur nga ky portal i komunikimit me brendinë.

Megjithatë, ka ende njerëz dhe komunitete që i japin vlerë këtij komunikimi njëplanësh, por shumëdimensional. Të paktën prej tri vitesh, në botë po zhvillohet një eksperiment shumë i veçantë, i cili promovon rëndësinë e kontaktit me sy, dhe për herë të parë, pjesë e eksperimentit më të madh botëror, u bë edhe Shqipëria. Më 23 shtator, disa të rinj çelën aktivitetin e, për çudinë e të gjithëve, përfshirja në të ishte përtej parashikimeve. Pati shumë kalimtarë, të cilët të tërhequr nga eksperimenti, u bashkuan dhe u bënë pjesë e tij. Ideja ishte shumë e thjeshtë: të njohur e të panjohur u ulën përballë njëritjetrit, për të ndarë pak minuta në një komunikim vetëm përmes syve. Organizatorët besojnë se, ky kontakt, ka fuqinë të ngjallë ndjeshmëri dhe lidhje shumë të forta me personin që ke përballë, pavarësisht se ai mund të jetë një person, të cilin e ke takuar vetëm pak minuta më parë. Kur arrihet kjo lloj energjie, lind një lidhje autentike e thellë dhe e fuqishme. “Tirana Eye Contact”, arriti të krijonte vërtet këtë lloj energjie mes pjesëmarrësve. Për Jona Dodën, nismëtaren e këtij eksperimenti, parashikimet nuk ishin kaq pozitive në fillim të idesë. “Një miku im në Londër, i cili është edhe organizatori i eksperimentit atje, më nxiti që ta bëja në Shqipëri, sepse Shqipëria nuk kishte marrë pjesë asnjëherë në këtë eksperiment, - tregon Jona. - Në fillim isha pak skeptike, pastaj, mendova: ‘Po krijoj një event në Facebook dhe së paku miqtë e mi do të bëhen pjesë’. Por, reagimi ishte shumë i madh dhe u mahnita, - vazhdon 22-vjeçarja. - Në fillim, kisha pak frikë se mos vinin kalimtarë që do të donin të talleshin, por nuk pati. Me aq sa pashë kur vëzhgoja ambientin, nuk pati asnjë rast njerëzish që mundoheshin të vinin në siklet ata që bëheshin pjesë. Nuk e di... është e vërtetë që energjia tërheq njerëzit e duhur. Por edhe nuk mund të ketë dallime, të gjithë janë të përshtatshëm për t’u përfshirë në eksperiment.”

SYTË, FORCA QË LIDH URA MES SHPIRTRAVE

E REJA, E CILA KA STUDIUAR QË NË MOSHËN 16-VJEÇARE NË LONDËR, tregon se ajo ishte nismëtarja e idesë, por shumë vullnetarë dhanë kontribut në organizimin e eksperimentit social. Duke qenë se aktiviteti kishte për qëllim të ushqente lidhjet në komunitet, edhe bashkëpunimi erdhi si i tillë, ku, të gjithë të ndiheshin të dobishëm. “Aktiviteti ishte deri diku spontan, - tregon Doda, - sepse thelbi ishte të uleshim në shesh, për të mirëpritur kalimtarë të ndryshëm që do të donin të na bashkoheshin e të lidhnin kontakt nëpërmjet syve. Fillimi ishte pak i vështirë, por pastaj erdhën vetë njerëzit dhe na u ulën pranë. Kishte raste që kalimtarët vinin, shihnin çfarë bëhej dhe uleshin vetëm, duke pritur njerëz të tjerë që t’u bashkoheshin. Guxim, të cilin e vlerësova pamasë. Të gjithë kur më takonin në fund, më përgëzonin për iniciativën dhe më thoshin: ’Kur do të bëhet përsëri?’. Unë e kisha parashikuar që aktiviteti të shtrihej nga ora 16:00 deri në orën 19:00, por zgjati deri në orën 20:00, sepse njerëzit nuk kishin dëshirë të iknin. Pasi mbaronin eksperimentin, ata qëndronin për t’u njohur me njëri-tjetrin. U krijua atmosferë shumë e bukur. Në fund, pati pafundësisht njerëz që përqafoheshin, që mbanin duart bashkë, për të ndier atë energjinë e përbashkët që krijohet. Përgjithësisht, befasoheshin nga energjia që ndahej dhe merrnin nga njëri-tjetri, sidomos nga të panjohurit. Kishte edhe raste kur përloteshin, përfshi edhe motrën time. Kishte njerëz që i kapte e qeshura. Pra, ishte një atmosferë me emocione të ndryshme,” - përfundon e entuziazmuar Jona.

Duhet konsideruar që, si herë e parë, pjesëmarrja ishte vërtet e kënaqshme. Gjatë gjithë kohës, kishte njerëz që vinin, bënin eksperimentin dhe iknin. Pastaj, vinin të tjerë. Grupmoshat ishin relativisht të reja, kryesisht jo më shumë se 30-vjeç, por pati edhe gra rreth të 50-ave që u përfshinë. Madje, aktiviteti tërhoqi edhe vëmendjen e moshave të vogla.

“EYE CONTACT ALBANIA” PREMTON TË RIKTHEHET SËRISH 23 SHTATORIN E VITIT QË VJEN, por, këtë herë, duke përfshirë edhe qytete të tjera të vendit. Sivjet, Tirana iu bashkua 400 qyteteve pjesëmarrëse nga të gjitha anët e botës. Kryeqyteti ynë, sikurse edhe këto vende të tjera, kontribuoi në krijimin e një mesazhi videozanor global për paqen dhe lidhjet humane në botë. Nismëtar i këtij eksperimenti social në botë, është australiani Peter Sharp, i cili e drejton projektin përmes lëvizjes “The Liberators International”.

NGA Elona Jaçellari | FOTOGRAFIA: Armand Habazaj

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.