Në shtëpinë e kapitenit të shqiptarëve

Lorik Cana: Bojken, dhurata e Zotit që i zuri vendin futbollit

Living - - VJESHTË 2017 -

Monica Ercoli, bukuroshja sykaltër e Lorik Canës, nuk jep kurrë intervista. Ajo nuk ka dëshirë të shfaqet, edhe pse është bashkëshortja e një prej shqiptarëve më të famshëm. Por Monica e theu për herë të parë këtë zotim për “Living”, duke na dhënë një letër, të cilën ia ka kushtuar Lorikut të saj dhe gjithë shqiptarëve. Këtë letër ajo e shkroi ditën kur bashkëshorti i saj i dha lamtumirën futbollit.

Nuk është e lehtë të lësh takim me kapitenin e zemrave të gjithë shqiptarëve. Sapo ka mbaruar ceremonia e lamtumirës nga fusha e blertë dhe një mori aktivitetesh mbushin jetën e tij. Kur hapet dera e apartamentit ku Loriku do të na rrëfejë ekskluzivisht për revistën “Living”, djali që shfaqet pas saj është shumë i thjeshtë e mikpritës. Lorik Cana së bashku me gruan e tij karizmatike dhe të bukur, Monica-n, më mirëpresin në shtëpinë e përkohshme në Tiranë. Nëpër hollin e dhomës së ndenjjes, e cila shkrihet me kuzhinën, vrapon Bojkeni dyvjeçar, i cili me britmat e tij teksa luan, i jep jetë shtëpisë. Apartamenti i tyre modern, i mobiluar bukur, ndodhet në një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës. Sapo hyj në mjedisin e ndenjjes, sytë më kapin menjëherë dhuratat e lamtumirës që kapiteni mori më 10 tetor në fushën e blertë, ku bien në sy dedikimi i Federatës së Futbollit dhe ai i shokëve të ekipit. Por në ambientin e hapur, plot me drita, ku mbizotëron e bardha, menjëherë të kap syri një detaj që do të tërhiqte çdokënd që do të hynte aty. Në ballinë të sallonit, varet portreti i heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, hipur mbi kalë, i gdhendur mjeshtërisht në lëkurë të zezë nga artisti britanik Mark Evans. Në të majtë, në një kornizë të rëndë, qëndron xhamadani, simboli që në mënyrë imagjinare bashkon Shqipërinë dhe Kosovën, por që përmes futbollit i bashkoi Lorik Cana. Këto simbole kombëtare, që dekorojnë sallonin e kapitenit të shqiptarëve, të bindin plotësisht se në zemrën e tij, është gdhendur përjetësisht shqiponja dykrerëshe. Ndaj, zgjedhja për të mbajtur gjithë jetën në krah bukuroshen nga Roma, ka qenë më e vështira e jetës së tij. Por, Monica, me dashurinë e madhe për kapitenin tonë përmbysi çdo bindje e plan të së shkuarës së Lorikut. E thjeshtë, e tërhequr, dhe pa kurrfarë dëshire për t’u shfaqur në publik, ajo na shoqëron gjatë intervistës dhe shërbimit fotografik për revistën. Nuk e flet mirë

shqipen, por e kupton dhe herë pas here, ndërhyn për të miratuar apo ngacmuar bashkëshortin teksa ai rrëfehet për “Living”. Gjithashtu, nuk harron të na shërbejë ashtu siç i ka hije nuses së një dere shqiptare, me tabaka në dorë. Aty kuptoj se Loriku ia ka mësuar mirë disa adete së shoqes. “Familjen tonë, lidhjen që kemi me njëri-tjetrin, ajo i ka perceptuar shumë shpejt, tregon Loriku për Monica-n, - dhe është munduar të jetë një partnere, më e mira për mua, që të mos kem mungesa në jetë apo në vlerat që përfaqësoj dhe mendoj t’i ruaj. Që në fillim, është përpjekur të mësojë gjuhën, e kupton dhe e flet pak. I respekton shumë gjërat që e di se janë të rëndësishme për mua. Për shembull, me djalin, unë flas vetëm shqip dhe ajo këmbëngul që unë të flas vetëm shqip. Nuk e ka aspak problem, nëse jetojmë disa muaj në Tiranë dhe do që djali të marrë më të mirën nga të dyja vendet. Edhe ajo mundohet të marrë më të mirën nga vendi ynë, - vazhdon rrëfimin ish-kapiteni i kombëtares së Shqipërisë, ndërsa Monica ka zënë vend pas banakut të kuzhinës, me gjasa për të përgatitur drekën. Loriku tregon se, kur u njohën, ajo nuk gatuante, por me kohën ia doli të

«FËMIJËT DHE LIDHJEN ME VENDIN TIM, NUK DO TË JETË E PAMUNDUR T’I TRASHËGOJ, PAVARËSISHT VËSHTIRËSIVE QË PËRBËN, DUKE FILLUAR NGA GJUHA, TRADITAT ETJ

jetë një kuzhiniere e mirë e të kujdeset me përpikëri për regjimin ushqimor të kapitenit të zemrës së saj. Stratege e mirë, arkitektja. E dinte që rrugët e zemrës kalojnë edhe nga stomaku dhe ia doli të aftësohej edhe në këtë fushë, por vetëm në një pikë e ka pasur të vështirë e reja italiane të përshtatet në martesën me Lorikun: me familjen e madhe. - Çdo njeri është i lidhur me familjen e tij, por unë me timen kam një lidhje shumë të ngushtë, - tregon Loriku. - Pavarësisht se kam qenë larg, kam qenë shumë i lidhur me prindërit dhe me motrën e kam ndarë çdo gjë me ta. Siç ndodh në çdo familje, kur martohesh, vjen edhe xhelozia që po të marrin fëmijën. Është gjithmonë kjo frika se mos na harron. Por po mundohem ta menaxhoj sa më mirë këtë gjë. Familja ime e madhe është më e vështirë për Monica-n. Përveç prindërve dhe motrës, rrethi i njerëzve të ngushtë zgjerohet me pjesëtarë të tjerë. Familje të ngjashme i gjen edhe në jug të Italisë. Shpeshherë, Monica e ka të vështirë të përshtatet me këtë. Por thotë edhe që jemi me fat që i kemi këto lidhje, dhe mundohemi t’i mbajmë familjet të bashkuara, duke marrë më të mirën prej kësaj.”

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.