ALKETA XHAFA - Naked në Tiranë

«Alketa Xhafa Mripa është një artiste e cila synon ndërgjegjësimin për çështje të rëndësishme sociale. Identiteti dhe përvoja, janë pjesë të qenësishme të asaj sot.» çka ajo është

Living - - VJESHTË 2017 -

Alketa Xhafa Mripa, është një artiste konceptuale dhe aktiviste kosovare. Pasi kaloi fëmijërinë në Kosovë, ku përfundoi shkollën fillore e atë të mesme, në vitin 1997, Alketa udhëtoi drejt Londrës për të studiuar për Arte të Bukura në “Central Saint Martin”, dhe më pas për Histori Arti në “Tate Modern” në Londër. Punët e saj, “Thinking of you”, prezantuar në stadiumin e Prishtinës, dhe “Tea with a refugee”, që është ende në turne nëpër Angli, u vlerësuan shumë, sidomos nga mediet botërore. Këtë vit, para publikut shqiptar ajo u prezantua si një nga folëset e TEDx Albania. Tema e këtij viti ishte “E zhveshur” ose “Naked” (në anglisht), për të simbolizuar zhveshjen nga pasiguritë, frika, paranojat, që rëndom nuk na lejojnë të jemi ata që duam.

Alketa, mirë se erdhët në Tiranë! Këtë vit do të prezantoheni para publikut shqiptar, në mënyrë shumë të veçantë, si një nga folëset e TEDx Tirana. Tema e këtij viti është “Naked”. Për çfarë do të flisni ju?

Do të flas për rolin e artistit në lëvizjen shoqërore, se si ka influencuar arti im, por dhe për rolin që duhet të ketë artisti në përgjithësi. Besoj se artistët sot duhet të përfshijnë dhe të përfaqësojnë atë që besojnë, duke pasur një impakt të madh, sidomos te masat. Në fakt, kur je artist konceptual dhe i tregon veprat e tua në ambiente publike, qielli është i vetmi kufi ose tavan i tyre. Arti është për të gjithë, nuk është vetëm në galeri ose në ato vende ku vetëm disa mund të hyjnë. Pikërisht për këtë do të flas, si dhe për strategjinë e artistit. Për atë se si artisti duhet të ndryshojë mendimet e njerëzve, sepse mendoj se falë një vepre arti, mund të hyjmë në mendjet e njerëzve, duke ndryshuar mendimet negative, paragjykimet apo edhe komplekset. Kjo lëvizje është shumë e rëndësishme për mua.

A bazohet projekti juaj më i fundit, “Tea with e refugee”, turneu i të cilit vazhdon të zhvillohet në Angli, në një përjetim personal?

Para disa viteve, kam qenë me pushime në Francë. Ishim duke kaluar kufirin për t’u kthyer përsëri në Londër dhe gjatë kthimit, pashë shumë emigrantë që po hipnin në kamionë. Por kjo nuk është asgjë e re. Të gjithë e kanë bërë, si shqiptarët, ashtu edhe të tjerë. Ajo që doja të përcillja unë, ishte një tregim vizual i kësaj dukurie.

Në Angli po bëhet “Brexit”, një propagandë që do të largojë të huajt, sepse po rrëmbejnë punët, të ardhurat, vendin. Ajo që doja të përcillja, ishte një komunikim direkt apo personal, për të shpjeguar, kuptuar dhe përcjellë eksperiencën time. Në Angli kam marrë një edukim, eksperiencë, shkollim, një mundësi, dhe dua që këtë mundësi ta kenë dhe refugjatët e tjerë. Ideja që kam dashur të përcjell, është fakti që të gjithë këta refugjatë, pas 15 vjetësh do të japin diçka nga vetja. Njësoj si unë, që quhem artiste britanike e lindur në Kosovë, mund të ndodhë dhe me ata. Në fakt, “Tea with a refugee”, luan me traditat dhe konceptet e tyre, sepse, nëse i beson dikujt, mund të pish një filxhan çaj me të, ndonëse është refugjat. Zakonisht, në të gjitha veprat apo punët e mia, mundohem të përfaqësoj mendimet e shoqërisë britanike. Jam duke shëtitur nëpër Angli dhe njëkohësisht po mbaj një ditar për të kuptuar dhe njohur më mirë shoqërinë angleze. Dua të kuptoj ku ndodhen dhe cili do të jetë rrugëtimi i tyre i ardhshëm, kuptohet, edhe për shkak të “Brexit”.

Këtë vit, në Prizren u mbajt dhe “Autostrada e Bienales” me temë “Kufijtë e së ardhmes”, ku u prezantuat me një vepër tjetër të arrirë. Si ishte të konceptoje përsëri një vepër arti për çështje të kontestuara dhe delikate, si kufijtë?

Kur kuratori i Bienales më ftoi të merrja pjesë, pyetja e parë që m’u bë, ishte: “Çfarë janë kufijtë për ty?”. Përgjigja ime ishte shumë e thjeshtë: “Për mua, kufijtë nuk ekzistojnë”. Por doja ta tregoja këtë nga ana vizuale, në mënyrë që t’i rishikoja kufijtë, prandaj vendosa të sillja tavolinën e bilardos, ku ka një stekë dhe shumë gurë bilardoje, ku steka është dikush që luan me ty dhe vendos se ku duhet të shkosh, në cilën vrimë duhet të futesh. Të gjithë janë duke luajtur me ne dhe po na tregojnë se ku e kemi vendin. Kjo është një lëvizje globale, po ndodh me të gjithë, në të gjitha shtetet. Unë si artiste dal përtej kufijve, për të pështyrë mbi kufijtë dhe mbi këtë koncept. E bukura e instilacionit tim, është që sikurse loja e bilardos luhet nga të gjithë dhe gurët e saj mund të jenë kushdo, e njëjtë është edhe situata me kufijtë. Kemi pjesëtarët e LGBT, vajzën beqare që është bërë nënë në moshë të re, refugjatin, të varfrin, e kështu me radhë. Të gjithë brenda të njëjtit kufi, të gjithë marioneta të dikujt tjetër, me pak fjalë, si topat me ngjyra të bilardos.

A zë gruaja ndonjë vend të veçantë në artin tuaj, sidomos për faktin që keni lindur dhe jeni rritur një vend patriarkal, që shpeshherë nuk të jep mundësinë të jesh vetvetja?

Po, unë jam rritur në një familje artistësh modernë, por, kur kam vizituar kushërinj të mitë, e kam ndier atë presionin indirekt, që nuk të lejon të bësh një veprim të caktuar, pikërisht sepse je grua. Patjetër që si grua dhe artiste, mendimi im i parë shkon gjithmonë drejt grave. Duke jetuar në një shoqëri patriarkale, mundohem gjithmonë të tregoj pozitën e femrës dhe të jap një mesazh për të. Unë jam dhe kam qenë gjithnjë pro të drejtave të njeriut. Jam për feminizmin, një lëvizje që promovon të drejtat e individit dhe barazinë ndërmjet tyre. Pa dyshim që për të gjitha këto arsye, e theksoj, edhe për shkak të faktit që jam grua, ndoshta kjo gjë del më në pah.

Na treguat që jeni duke udhëtuar nëpër Angli dhe duke mbajtur një ditar për të kuptuar më mirë mendimet e britanikëve. Mos ndoshta ky është një projekt i ardhshëm specifik, apo bëni kërkime dhe frymëzoheni gjatë rrugës? Ky vit ka qenë shumë dinamik për mua. Për shkak të projekteve të tjera, kam qenë gjithë kohën duke udhëtuar. Kjo është e bukura kur je i lirshëm. Unë jam e hapur. Në fakt, të gjithë artistët që merren me një lloj arti social, janë të hapur. Duke parë shënime, emocione, fjalë, fakte, kuptova që prej këtij ditari, do të marrë jetë një vepër tjetër arti. Këtë herë, dua të vë në skenë një shfaqje baleti apo kërcim bashkëkohor, ku t’u jap jetë të gjitha këtyre copëzave momentesh që kam mbledhur. Nëse mendojmë për refugjatët, e vetmja gjë që ata kanë, që u përket pasi janë zhveshur nga çdo gjë në jetë, është pikërisht trupi. Ky është projekti i ardhshëm. Do të angazhohem në këtë projekt në janar, ndërkohë që në dhjetor do të mbarojë turneu i #teawitharefugee.

Çfarë ndjeni kur ju quajnë artiste britanike e lindur në Kosovë? Ju e ndjeni veten angleze apo qytetare të mbarë botës? Kush është Alketa? Alketa është një shqiptare nga Kosova, por që mendon globalisht. Megjithatë, brenda saj jetojnë të gjitha ndjesitë: frika, ndjenjat, emocionet, ato që formojnë qenien time. Kurse dituria, edukimi, shkollimi, janë ato që kam marrë nga jeta. Në Angli, ekspozitat, galeritë, shoqëria angleze, e kanë ndryshuar disi Alketën duke e bërë më largpamëse, kështu që pa dyshim që më vjen mirë, sepse është një vlerësim dhe mendoj se po kontribuoj aty, me artin e tyre.

Si ka qenë të rritesh në familjen Xhafa? Unë jam rritur nëpër vepra arti. Kemi ecur nëpër ngjyra, telajo, penela, kuadro, korniza, etj. Nuk kam ditur gjuhë tjetër përveç artit. Kur isha e vogël, më pyesnin shpesh se çfarë doja të bëhesha kur të rritesha, dhe kur thosha “artiste”, të gjithë qeshnin me mua, sepse artistët nuk kanë para. Shprehja e mendimeve në mënyrë vizuale, më ka edukuar. Gjithmonë kam menduar në mënyrë konceptuale, sepse nuk arrija të mendoja nëpërmjet skulpturës apo pikturës. Im atë më kishte thënë që ekziston edhe ky lloj arti, një art ndryshe, por çdo gjë e kuptova vetëm pasi shkova me studime në Londër. Art do të thotë edhe të ecësh, të ushqehesh. Atëherë, çfarë është konkretisht ai? Për mendimin tim, arti ka shumë forma, flet shumë gjuhë dhe shkon kudo. Mund të jetë një telajo e bardhë, një ide që gjeneron magji dhe e lë imagjinatën të lirë. Por më e rëndësishmja është fakti se arti ngre pyetje, të bën të mendosh, të kërkosh të vërtetën.

Një ndër gjërat që më ka mësuar im atë, është se askush nuk mundet të të vjedhë mendjen. Mund të të vjedhin ngjyrën, realizimin, frymëzimin, por mendjen nuk ta vjedh askush. Madje as origjinalitetin.

Pra, në rastin tuaj nuk ka vend pyetja: “Ç›profesion do të kishit, nëse nuk do të ishit bërë artiste?”

Kjo është puna ime, më përfaqëson, është pjesë e jetës sime. Unë e jetoj artin.

Nga lindi ideja për të realizuar projektin “Mendoj për ty”, në stadiumin e Prishtinës? Pa dyshim që ju e njihni stigmën në të cilën jetojnë ende gratë e dhunuara gjatë luftës së Kosovës. Cila ishte ngjarja që ju ngacmoi?

Unë frymëzohem prej shoqërisë dhe vendit ku jetoj, prej ngjarjeve që më prekin në përditshmërinë time. Shpesh flas për ato pjesë të shoqërisë, që nuk kanë përkrahje. Ato gra kanë përjetuar dy luftëra: luftën e vërtetë dhe luftën e përditshme me mentalitetin. Për mua, ato janë veteranet e vërteta të Kosovës. Mbaj mend që po shikoja një dokumentar me këtë temë, dhe po mendoja: “Ende nuk ka mbaruar lufta?” Unë jam artiste që merrem me tema sociale, sepse artistët, në të vërtetë, janë egoistë. Ata e bëjnë artin për vete. Por si do të ishte nëse do të bënim një ndryshim? Si do të ishte nëse do të flisnim për shoqërinë? Unë doja të përfaqësoja gruan dhe zgjodha fustanin për ta simbolizuar atë: një veshje e vetme, që zor se të mbron. Ndërsa vendin e zgjodha me kujdes, sepse nuk doja ta jetësoja në shesh apo në ndonjë vend tjetër anonim. Me përzgjedhjen e vendit, doja të përçoja një mesazh. Stadiumi i futbollit, bota e mashkullit, adrenalina, entuziazmi, të bërtiturat, fishkëllimat, djersët. Në mes, fustanet e grave, simbol i feminitetit, i gruas, i së bukurës dhe së brishtës. Unë ridimensionoj objektet, u gjej një perceptim tjetër atyre.

Si janë katër fëmijët tuaj? Si janë fëmijët e një artisti?

Fëmijët kanë një botë shumë të zhvilluar, jo sipërfaqësore. Ata janë si unë, që në moshën 12-vjeçare kam qenë në Bienalen e Venecias. Nëpërmjet fëmijërisë, ata shohin botë të ndryshme. Djali i madh, për shembull, kur ka qenë me shokët dhe ka rënë fjala për përdhunimin, ka thënë: “Është gabim, përdhunimi është gabim. Unë e di, sepse mami im ka bërë një vepër arti për këtë gjë.” Pastaj, kur ka ardhur në shtëpi, më ka treguar se për çfarë ka folur dhe si e ka kuptuar që dhuna dhe përdhunimi janë të gabuara. Ata po rriten në një botë të vështirë, por unë mundohem të ndikoj sa më pozitivisht tek ata, sepse, në fund të fundit, ata do të ndjekin secili rrugën e vet. Janë katër fëmijë dhe kanë karaktere të ndryshme, kështu që pushimet tona janë lodhje, por edhe kënaqësi shumë e madhe, sepse jemi duke krijuar kujtimet më të bukura për ta.

Për sa i përket planeve për të ardhmen, ku do që të arrijë Alketa si artiste?

Zeniti, për mua është ndryshimi apo gjurma që do të lë me punimet e mia. Nëse një person, një individ, një shoqëri ndryshon mendimin për tabutë apo për një problematikë, ajo është arritja më e madhe. Kjo më bën mua artiste dhe artin tim të vlefshëm. Ndërkohë, në të ardhmen kam edhe një plan tjetër, i cili është në hapat e para. Do ta zhvilloj në vitin 2018 dhe do të jem këtu në Shqipëri. Detajet e tjera, mbeten për vitin që vjen.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.