Ne mund të krijojmë zakone të reja festive dhe mënyrën tonë se si të festojmë.

Living - - EDITORIAL - Dashamirësisht e juaja, Edi Gogu

1. KUSHTOJUNI KOHË TË DASHURVE TUAJ

Familja ka nevojë për kohën dhe vëmendjen tonë. Gjithkush mund të gjejë mënyra se si t’i kushtojë kohë secilit prej anëtarëve, bashkëshortëve, fëmijëve, miqve. Planifikoni diçka të veçantë për bashkëshortin/en apo partnerin/en tuaj dhe organizoni një aktivitet që u pëlqen: hani një darkë së bashku, shikoni një film, një koncert, merrni pjesë në një aktivitet bamirësie apo në një udhëtim. Vetëm ju i njihni më mirë se kushdo të shtrenjtët tuaj, kështu që vendoseni vetë sesi do t’ua kushtoni kohën atyre.

Fëmijët nuk i mbajnë mend blerjet e kushtueshme, ata mbajnë mend dashurinë dhe vëmendjen që marrin nga prindërit dhe të afërmit. Sipas dëshirës dhe mundësisë, përpiquni të organizoni aktivitete apo festa ku të marrin pjesë edhe fëmijët dhe të mos ndihen të tepërt apo të mos e gjejnë veten në aktivitetet e të rriturve.

2. MBËSHTILLINI FORT NË NJË PËRQAFIM

Sipas një studimi, një përqafim i gjatë deri në 20 sekonda, bën që truri të çlirojë endorfinë dhe njerëzit përjetojnë siguri, ngrohtësi, një çast paqeje dhe dashuri. Në fillim dhe fund të çdo dite, përqafoni fort ata që jua do shpirti. Këtë fundvit, dhuroni më shumë përqafime dhe krijoni një zakon të ri për vitin e ri që po vjen.

3. DËRGOJUNI DASHURI

Ethet e blerjes dhe dërgimit të dhuratave, herë pas here më kanë përfshirë edhe mua. Nuk e di nëse ju ka ndodhur edhe ju që për arsye të kohës së pamjaftueshme, dhuratat e përgatitura t’i keni dërguar te të afërmit apo miqtë përmes dikujt tjetër. Ka mjaftuar një telefonatë për të shpjeguar situatën dhe ndërgjegjja është qetësuar disi.

Dashuria është shumëngjyrëshe, ndaj zbuloni mënyrat se si do t’u jepni dhe tregoni dashuri të shtrenjtëve tuaj. Dashuria është e vetmja ndjenjë që nuk mund të lihet të vdesë dhe marrëdhëniet njerëzore kanë nevojë të ushqehen me të.

4. BËNI VEPRA TË MIRA

Na pëlqen që, sidomos për festa, ta kemi shtëpinë plot me gjëra të mira, të cilat duam t’i shijojmë duke parë ndonjë film apo koncertin e Vjenës. Këtë vit, në vend që të blini vetëm për vete, si thoni sikur të blini edhe për njerëzit në nevojë? Ndoshta mund t’u dhuroni atyre ushqime, veshje apo vakte të gatuara.

Mund të dhuroni për të sëmurët në spital dhe familjarët e tyre që nuk mund të festojnë; mund të falni kohë nga koha juaj duke ndihmuar dikë në nevojë, duke vizituar një vejushë apo duke i lexuar një fqinje të verbër.

Lista është shumë e gjatë. Shikoni me sytë e zemrës dhe veproni me dashurinë dhe dhembshurinë e shpirtit, duke përfshirë edhe fëmijët në këto sa thamë.

Nëse harxhoni vetëm pesë minuta nga koha juaj për të menduar se kujt do t’i dhuroni diçka, do të habiteni nga sugjerimet që do t’ju ofrojë zemra. Ka shumë organizata që u shërbejnë fëmijëve apo njerëzve me aftësi të kufizuara, kështu që nëse jepni edhe ju kontributin tuaj, do të ishte një dhuratë e çmuar për dikë në nevojë.

5. KRIJONI KUJTIME ME TA

Shpesh, na duket sikur nuk kemi kohë për familjen dhe për të dashurit tanë, por unë jam e bindur që, nëse duam vërtet, mund të krijojmë kujtime shumë të bukura me ta. Koha cilësore e kaluar së bashku, vëmendja, dashuria e dhuruar, lojërat dhe fotografitë e shkrepura në çaste të ëmbla, janë kujtime të pashlyeshme. Kujtimet janë mënyra se si ne jetojmë në thellësinë e shpirtit të njëri-tjetrit dhe do të vazhdojmë të jetojmë me ta edhe atëherë kur të kenë mbetur vetëm kujtimet.

6. BËHUNI VETË DRITA

Familjet dhe fëmijët tanë (edhe shoqëria mbarë) kanë nevojë për shembuj dhe burim frymëzimi pozitiv të përditshëm. E thënë ndryshe, në ditët tona kemi nevojë për dritë dhe për njerëz që të përçojnë vetëm mirësi. Të bëhesh dritë nuk është një mision i lehtë, por as i pamundur. Të bëhesh dritë, do të thotë ta largosh errësirën nga shpirti, duke zëvendësuar çdo mërzitje apo mospëlqim me tolerancë dhe duke i bërë vend faljes e mirëkuptimit. Është koha që të sjellim një dimension të ri në jetën tonë, atë të vlerësimit dhe të reflektimit për gjithçka dhe gjithkënd që kemi në jetë. Reflektimi është i lidhur me falënderimet, me arsyet për të cilat i jemi mirënjohës Zotit për vitin që po shkon, për shembull për shëndetin, për punën e re, për diplomimin, për jetën e paqtë dhe në harmoni, por edhe për sfidat që na dhanë mësime jete. Si fëmijët, ashtu edhe ne të rriturit, kemi nevojë të mësojmë të jemi mirënjohës edhe për gjërat më të vogla.

Lexues i shtrenjtë, qofsh dritë dhe mirësi në këto ditë festash për këdo që ke në jetën tënde!

Ju uroj festa të gëzuara dhe kujtime të ëmbla që zgjasin sa vetë jeta!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.