Jona e vërtetë

Nëse do të identifikonim një stil krejt ndryshe nga masa, është e sigurt që pa hezitim do të përmendnim stilin unik të Jona Hadërit.

Living - - DIMËR 2018 -

Stili i saj nuk krahasohet me të asnjë fashion bloggere-je tjetër apo dashamirëseje të modës. Ajo është aq e veçantë, sa ndonjëherë të duket sikur nuk ndjek as tendencat më të fundit, por thjesht intuitën e saj, e sigurt që nuk do të gabojë asnjëherë. Në fakt, Jona nuk vishet për të hedhur sa më shumë foto nëpër rrjetet sociale apo të marrë një like më shumë. Nuk është nga ato që nuk lënë event apo aktivitete pa shkuar që të ekspozojnë veshjet. Ajo vishet ashtu si i pëlqen, e shijon atë gjë dhe e bën të ndihet mirë. Është një dëshirë që i vjen së brendshmi dhe, edhe në intervistat e mëparshme ka treguar se nuk e ka të vështirë të godasë në shenjë, siç mund të ndodhë me vajza të tjera, sepse ai është një pasion që i vjen natyrshëm. Ndoshta është e vetmja mes bashkëmoshatareve të saj që edhe nëse Instagrami dhe blogjet e modës nuk do të ekzistonin, për të do të mjaftonin vetëm sytë e njerëzve, për të pëlqyer mënyrën e saj të të veshurit dhe për ta dalluar nga të tjerat. E këtu do të bëhej diferenca!

Për herë të parë jemi takuar me Jonën para dy vitesh, pikërisht në periudhë fundviti. Atëherë sa kishte përfunduar studimet në Londër, por njihej si vajza plot shije dhe me një look tërësisht britanik. Sot, Jona është kthyer përfundimisht në Tiranë dhe vjen me një pamje që të kujton pak a shumë aktoren franceze Brixhit Bardo. Nga brune ajo është shndërruar në një bionde elegante e tërë sharm, me një trup edhe me të imët se atëherë, por më një elegancë të adhurueshme, një koketë e vërtetë; ndërkohë, brenda vetes nuk ka ndryshuar aspak. Është po ajo vajza e thjeshtë që para dy vjetësh kujdesej vetë si për grimin ashtu edhe për flokët. Për pesë minuta Jona ishte në gjendje të ndryshonte veshjen, grimin dhe modelin e flokëve. Sot, pamja e saj të bën të mendosh se ka filluar një jetë të re. Nuk është rritur vetëm në moshë, por edhe në mënyrën se si e koncepton jetën.

«Pas kthimit në atdhe dhe vështirësive të përshtatjes, ajo e gjeti veten mjaft mirë. Tanimë bota e saj janë i dashuri, puna, Pippa, » Lego-t, piktura dhe gatimi.

“Ashtu siç dhe e prisja, kthimi në Tiranë nuk ishte shumë i mbarë. Pata shumë mangësi nga ana sociale. Mungesa më e madhe ishte shoqëria. Të mos keqkuptohemi: miqtë dhe njerëzit e mi ishin këtu, por bisedat e përditshme, si në shtëpi apo në rrugë ishin shumë më ndryshe. Unë kam studiuar për Histori të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe në përgjithësi, në Shqipëri brezi ynë nuk e vlerëson shumë (e as e studion këtë degë). Ndërkohë që në Londër dita ime vërtitej rreth bisedave me shokë e shoqe, të cilët po ashtu si unë flisnin të njëjtën gjuhë politike, si në klasë ashtu edhe jashtë saj, këtu nuk më

ndodh pothuajse asnjëherë të kem këto lloj diskutimesh me njerëzit përreth. Gjithashtu, hasa vështirësi edhe në gjetjen e një pune. Për muaj me radhë u ndjeva disi e humbur, por edhe pse ka qenë një periudhë e vështirë, duhej ta kaloja për të arritur qetësinë e tanishme”.

“Jam gjithmonë mirënjohëse ndaj gjërave të pakëndshme që më ndodhin, pasi prej tyre arrij të shijoj ato të mirat, dhe tani jam pikërisht aty ku doja të isha dy vjet më parë”.

Sot, pasi ka kapërcyer këto vështirësi, Jona ndihet e qetë dhe mundohet ta shijojë ditën ashtu siç i vjen. Aktualisht ajo punon në një agjenci shtetërore në sektorin e integrimit; një punë që i jep mjaft kënaqësi profesionale. Veshja në ambientet e punës është shumë e thjeshtë: një këmishë dhe pantallona serioze, ndërkohë që jashtë zyrës, shndërrohet në një Jonë tjetër. Por nuk ndihet e plotësuar vetëm nga puna. Ndryshimi më domethënës është bashkëjetesa prej një viti me partnerin e saj, gjë që e forcoi edhe më shumë lidhjen e tyre pas adoptimit të një qeni, të cilin Jona e quajti Pippa Errësira.

Dita nis herët në mëngjes duke ushqyer dhe shëtitur Pippën përpara se të shkojë në punë, pastaj vazhdon me një ritëm relativisht të lodhshëm në zyrë, për t’u kthyer sërish me vrap te Pippa. Ndërkohë, pasditet e gjejnë duke shpalosur talentin e saj në gatim.

“Një herë në javë e kemi bërë si traditë që për darkë të ftojmë miq në shtëpi. Ashtu si shumë 25-vjeçarë, mundohemi që disa net gjatë javës t’i kalojmë në shoqëri të mirë, kohë gjatë së cilës unë pi pijen time të preferuar, birrën. Mbi të gjitha, është një ndjesi tejet e veçantë kur të tjerët të komplimentojnë ushqimin. Darka e Krishtlindjes me miqtë është mbrëmja që mezi po pres këta dy muajt e fundit. Kam planifikuar çdo gjë deri në detajet më të vogla, si në dekor ashtu edhe në ushqim e argëtim. Prej një muaji tashmë, kam mbyllur çdo gjë, thjesht po pres që të vijë”.

A ka ndryshuar stili juaj i veshjes që para dy vitesh?

Stili mbetet po ai; siç ka qenë Jona 10-vjeçare, ashtu do jetë edhe ajo 30-vjeçare. Ngjyrat kanë qenë dhe do të jenë shumë të rëndësishme për mua, jo vetëm në paraqitjen e jashtme, por edhe në aspekte të tjera, si në pikturë apo kuzhinë. Mendoj se më tepër ka ndryshuar mundësia për t’u veshur në një mënyrë të caktuar. Jonën duhet ta ul disa tonalitete jo vetëm në punë, por edhe jashtë saj, sepse ambienti më kufizon. Do të doja të kisha më tepër raste për ta shprehur veten me gjithë ekstravagancën që më karakterizon, por shpeshherë ndihem sikur duhet të thyej kornizat që imponohen nga situatat dhe vendet përreth! Gjithashtu, është për të ardhur keq që rrugët e qytetit tonë nuk janë për këmbësore dhe këpucëdashëse si unë.

A keni bërë ndonjë tatuazh tjetër?

Poo! Megjithëse nuk jam shumë krenare për punën e bërë. Kam qenë disi e pafat me tatuazhet që kam bërë në Tiranë, por së shpejti mendoj ta rregulloj në Londër. Në krahun e djathtë kam bërë buzët e mamit, pasi ajo e ka zakon të më puthë në kurriz, bark, ballë, kudo, duke më llastuar ende si fëmijë.

Nga postimet tuaja në Instagram, kemi vënë re se një kujdes të veçantë i kushtoni të ushqyerit shëndetshëm. Sa rëndësi i jepni këtij aspekti?

Në fakt, gatimi ka qenë gjithmonë pjesë imja. Kujtimet më të bukura i kam që kur kam qenë e vogël duke gatuar për vete dhe motrën e madhe, e duke kërcyer ditëve të verës. Mos më pyet për kërcimin, se asnjëherë nuk e mësova. Por, me rritjen vjen edhe ndryshimi në konceptin e ushqyerjes sa më shëndetshëm për trupin dhe mendjen, duke ndryshuar gjithashtu edhe gama e shijeve që preferon apo toleron.

«Historia e filmit “Star Wars” më ka tërhequr gjithmonë, ndoshta sepse së bashku me fantashkencën, pasqyron një nga historitë më të bukura të dashurisë e më pas kalon në të gjitha aspektet e jetës: dashurinë familjare, atë shoqërore dhe lidhjet e forta që krijohen mes njerëzve në ndryshmet.» rrethana nga më të

Po pasioni për Legot dhe “Star Wars”-in?

Lodrat kanë qenë gjithmonë dashuria ime. Nuk e di përse, por plastika plot shkëlqim dhe ngjyrat, më kanë dhuruar përherë gëzim. Ndoshta kjo gjë lidhet me kujtimet e fëmijërisë apo me faktin që janë forma dhe ngjyra të forta, e kjo më bën të ndihem mirë. Për më tepër, Legot janë argëtuese për të rriturit, po aq sa janë edhe për të vegjlit! Kënaqësia që merr kur përfundon një pjesë me mijëra copëza të vockla shumëngjyrëshe, është tejet shpërblyese.

NGA Santana Çomora | FOTOGRAFIA: Edvina Meta | VESHJET: Koleksion Personal

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.