Erinda Ballanca - Sy e zemër në tryezë

Është festë dhe gatuan Avokatja e Popullit

Living - - DIMËR 2018 - NGA Ani Jaupaj | FOTOGRAFIA: Armand Habazaj | MAKE UP ARTIST: Entela Manushi

A e përfytyron dot njeri Avokaten e Popullit duke pritur të përfundojë pjekjen e biskotave edhe disa minuta para pritjes së një delegacioni të rëndësishëm? Kjo është Erinda Ballanca dhe biskotat e saj me aromë kanelle janë pak të thekërruara dhe me formë të çrregullt. Sapo kafshon njërën prej tyre, ndjen shkriftësinë e mollës dhe rrudhat e rrushit të thatë. Nuk ke kohë të përqendrohesh në shijet e tjera, sepse biskota sakaq shkrin në gojë, megjithatë, lë pas shijet e gjithë përbërësve dhe aktivizon të gjithë sensorët e shijes.

Mirë që Erinda nuk ishte aty dhe nuk e pa se si u zbraz biskotieria si pa e kuptuar! Ajo është mësuar me këto gjëra, e megjithatë, ata që gatuajnë, e dinë mirë se sa e rëndësishme është t’i komplimentosh për shijen e mrekullueshme të gatimeve të tyre dhe kjo ishte gjëja e parë që i thamë Erindës. Në buzëqeshjen e saj falënderuese, kuptuam se edhe pse biskotat janë pjesë e pastiçerisë, nivelit më të vështirë të gatimit, ato nuk janë asgjë krahasuar me menunë e Krishtlindjes që është ende në fazën e përgatitjes. Prandaj nuk ishte e habitshme që fjalia tjetër u hodh drejt e te gjeli i detit. Me pulovrin festiv, sytë e gjelbër e të njomë që shihnin lart, megjithëse ky nuk është tipari identifikues i avokates, ajo nisi të fliste për gjelin e detit më të mirë në botë (të na falin ata që kanë gjëra më të rëndësishme për të bërë). Me ca lëvizje të shpejta, që nuk i kuptoje se si ndodhnin, receta u gjend aty, bashkë me dhjetëra fletë menush që Erinda i kishte ruajtur ndër vite, për të kujtuar të gjitha darkat që kishte shtruar për familjen e saj.

I ruante të gjitha në një vend të posaçëm, fare pranë pjatave e serviseve të gjyshes, që dalin nga kredenca sa herë që shtron darka për miqtë apo familjarët. Rrezet e diellit që hynin në kuzhinë përmes degëve të hurmës, binin mbi kekun dhe disa dekorime festash që gjendeshin mbi tryezë, dhe dukej sikur na ftonin të hynim brenda. Nga ena e kuqe, e vendosur mbi sobë, të cilën duhej pak guxim për ta quajtur tenxhere, kishte filluar të dilte avull, gjë që tregonte se kishte ardhur koha të hidheshin përbërësit. Pikërisht atë çast, ne e shfrytëzuam për të shkrepur disa fotografi. Për të gatuar makarona, Erinda nuk ka nevojë të hedhë sytë nga rafti i librave të gatimit. Meqenëse janë pjata e saj e preferuar, gatimin e tyre ajo e di si buka që ha. Dhurata më e re që i është shtuar raftit të librave të saj të kuzhinës, është libri “Recetat e Krishtlindjes, nga Nigella Lawson”. Si anëtari më i ri i shtëpisë, libri ishte shfletuar pjesërisht, duke qenë se darkat e fundvitit i japin Erindës edhe dy javë kohë.

Përballë kuzhinës, në këndin e ngrohtë të leximit, me dy kolltukë të vendosur enkas për të pasur për vete gjithë dritën e vetratës ku ishin mbështetur kishte edhe libra. “Joel Robuchon është një nga shefat me më shumë yje ‘Michelin’ në botë, por nuk kam guxuar ende të eksperimentoj me ndonjë pjatë të tijën, pasi janë shumë të sofistikuara dhe kanë shumë përbërës,” - thotë Erinda duke rrëshqitur dorën nëpër pjatat që shtriheshin si piktura në çdo faqe të librit, i cili përngjante me një enciklopedi shkencore. Më pas kaluam në sallon. Pikërisht aty ku pak minuta më parë ishim përhumbur në shijen e biskotave, atmosfera tanimë ishte shndërruar. Me elegancën që i falte fustani i kuq, Erinda nuk ishte më thjesht një zonjë shtëpie që kishte në kontroll çdo detaj, por një grua inteligjente, e cila me shijen e saj të spikatur, kishte arritur të shkrinte ngjyrat e pikturave të autorëve shqiptarë me aureolën e sallonit. Vetëm një artist modern do të ishte në gjendje të ndante aty objektin nga subjekti!

Edhe katalogu i Van Gogh-ut, që rrinte përbri divanit, nuk do të mërzitej në këtë rast, madje edhe impresionisti do ta mirëpriste ngjyrën e kuqe, që nuk ia ndryshoi aspak nuancën jeshile syve të Erindës.

Pasi çlirimit nga parehatia e fotografive të para, Erinda zhytet në divanin e smeraldtë, këndin më të bukur të shtëpisë. Aty harrohej edhe aroma e biskotave, edhe dosjet e zyrës. Pikërisht në atë vend, përtej pasioneve e profesioneve të çdo femre, përtej trysnisë së aparatit dhe hamendësimeve, ajo është e lirë për t’u dukur elegante dhe për t’u ndier mirë me veten.

Shpesh, gjithçka përreth vetes, asaj i kthehet në kosto. Detyra e Avokates së Popullit, e bën t’i druhet ekspozimit, për të mos ngjallur keqkuptime. Me gjithë shijen e rafinuar, shpesh Erinda ndihet e detyruar ta lërë në hije kujdesin dhe maninë e saj për të bukurën. Ata që trokasin në derën e saj, kanë kërkesa shumë më të thjeshta e njëherazi të rëndësishme.

Ajo ndihet mirënjohëse për vlerësimin që i bëjmë stilit dhe shijes së saj, por dëshiron të theksojë se ato nuk janë karakteristikat e saj më të spikatura. Avokatja e Popullit ka një zemër të madhe dhe përpiqet të bëjë të pamundurën për t’i ndihmuar sa më shumë, por a mund të mbahet e fshehtë një përrallë si kjo, e gjitha në të kuqe?!

Është e pamundur që pas shijes së shkëlqyer të biskotave dhe aromës së mirë, e cila nuk mbetet vetëm brenda mureve të kuzhinës, të mos jetë një histori e tërë. Cila ka qenë marrëdhënia e familjes suaj me gatimin?

Në shtëpinë time është gatuar gjithnjë shumë mirë e mbi të gjitha, me dashuri e përkushtim. E di që kështu do të thoshin të gjithë, por unë mund ta them me gojën plot, qoftë edhe duke rrezikuar të nis përgjigjet me një klishe. Në mënyrën e vet dhe me mundësitë e veta, ndonëse në kohë të ndryshme, gjithkush më ka treguar se nëse gatuan me kujdes e dashuri, mund të bëjë të mrekullueshme edhe pjata të thjeshta, pa qenë nevoja për përbërës të kushtueshëm. Mendoj se gjithçka duhet të ketë nisur nga gjyshja e tim eti. Gjithkush që e ka njohur, thotë se ajo ka qenë një zonjë me shije të hollë dhe tepër e rregullt. E ardhur nga Stambolli në vitin 1925, për të ndjekur të shoqin në karrierën e tij si mësonjës filozofie dhe dijetar i shquar, ajo ishte një model elegance, rregulli dhe përkushtimi për kohën. Nga largësia e viteve, kam mundur të shijoj elegancën e serviseve të familjes, mbulesat e tavolinës dhe qëndismat e punuara me dorë, që kanë mbërritur tek unë që nga sëndukët e pajës së sime gjysheje. Edhe sot e kësaj dite, e ruaj me fanatizëm çdo gjë që ka pasur dorën dhe shijen e saj. Jo pak herë jam ndier me fat që jam rritur në një ambient të tillë e me një kujdes të tillë. Ndërkohë, familja e sime mëje ka qenë e thjeshtë, por tepër e kujdesshme ndaj rregullit, pastërtisë e ushqimit të gatuar me shumë përkushtim. Jam rrethuar gjithnjë nga njerëz të palodhur e të papërtuar, të cilët kujdeseshin gjithnjë për të tjerët, dhe besoj se kjo ka ushqyer edhe pasionin tim për gatimin.

Sa jeni ndikuar nga atmosfera e kuzhinës së shtëpisë suaj gjatë fëmijërisë? A kujtoni të keni qenë kureshtare, të keni pasur dëshirë të përfshiheni në gatim?

Jam ndikuar shumë dhe kam qenë gjithnjë kureshtare për sa i përket gatimit; sigurisht, për ato receta që më pëlqenin më shumë! Por një rol të veçantë në këtë drejtim ka pasur përkushtimi e ndoshta edhe vetëmohimi i njerëzve të mi, që lavdëronin pa masë çdo gatim timin, pasi vetëm kështu do të motivohesha për ta provuar përsëri, derisa t’ia dilja vërtet.

Ata që janë të apasionuar pas gatimit, e lidhin shtëpinë e tyre të fëmijërisë me një aromë të caktuar. Mund të jenë biskotat e pjekura ose erëzat e ndryshme. A ju vjen ndër mend një imazh apo aromë tipike nga ajo kohë?

Në fakt, pasionin për gatimin, instinktivisht e lidh me përgatitjet e zahireve të dimrit. Në shtëpinë e gjyshes i përgatisnim vetë jufkat e ky ishte një ritual më vete. E nisnim me mbledhjen e vezëve dhe kur kishim mbledhur aq sa duhej, gjyshja ftonte disa prej kushërirave të saj për ta ndihmuar. Ajo vinte shtatpaktë dhe nuk kishte shumë fuqi, por nuk reshtte së punuari, duke përgatitur gjithçka që duhej për zonjat që merreshin me përgatitjen e jufkave, si edhe për të asistuar në atë proces. Në krye të këtij procesi ishte Nevzer Ablla: ajo zinte brumin dhe hapte petët, ndërsa për t’i prerë kishim një komshi, një zonjë të vjetër, shtatvogël, por me një zemër të madhe, teta Rehanen. Pas kësaj, gjyshja dhe unë i shtrinim nëpër çarçafët e bardhë borë e të shtruar në dhomat e gjumit në katin e dytë të shtëpisë, ku s’mund të hynim më, derisa jufkat të thaheshin.

Cili ka qenë apo është ende gatimi tradicional i familjes, prej të cilit nuk keni hequr dorë?

Nuk kam hequr dorë e s’do të heq dorë kurrë nga birjani me jufka e mish qengji.

Përveç përkushtimit të përditshëm, si kanë qenë festat në shtëpinë tuaj të dikurshme?

Ne vijmë nga një familje që nuk e ka pasur traditë festimin e Krishtlindjes, por festonim Vitin e Ri. Pas darkave të mëdha me gjithë kushërinjtë e parë, vinte ajo që mezi prisnim të gjithë: loja me tombola. Ne kemi pasur një lojë tombola të blerë që para çlirimit (ose në kohën e Italisë, siç thoshte gjyshi im), të cilën kishim të drejtë ta përdornim vetëm një herë në vit, e pikërisht natën e ndërrimit të viteve. Kush fitonte (Ç’gëzim ishte kur fitonim!) kishte fat gjithë vitin. Kështu mendonim atëherë. Skedat e tombolës janë zverdhur nga përdorimi e koha, por ne vazhdojmë që çdo Vit të Ri, të luajmë tombola dhe nuk e prishim traditën.

A mendoni se dashuria për gatimin është e trashëguar, apo mjafton të kesh një qiellzë “të mençur” për të zhvilluar shijen me kalimin e kohës dhe me përvojë?

Të them të drejtën, mendoj se asnjëra nuk e përjashton tjetrën. Them kështu, pasi të rriturit në një ambient ku gatuhet mirë, me vëmendje e dashuri, e kthen gatimin në një stereotip me të cilin mësohesh, dhe me kalimin e kohës e përvetëson. Nga ana tjetër, nuk mund të them kurrsesi që nëse nuk e ke pasur traditë gatimin, nuk ke mundësi për t’u përsosur në këtë art.

Shkrimtarja e shquar, Virginia Woolf, ka thënë: “Nuk mund të mendosh, të duash apo të flesh mirë, nëse nuk ushqehesh mirë.” A jeni ju dakord me këtë?

Në përgjithësi mendoj se të gjitha citatet dhe thëniet që motivohen nga dëshira e njeriut për t’u ushqyer me cilësi, shije dhe dinjitet, kanë një bazë vërtetësie. Njeriu duhet ta gatuajë ushqimin dhe të tregojë respekt ndaj tij, sepse në shoqërinë tonë ai vazhdon të fitohet me punë dhe lodhje. Në fund të fundit, gatimi është një nga elementet që e shkëputi njeriun nga bota e egër, duke i hapur atij rrugën drejt qytetërimit.

Ju keni jetuar për njëfarë kohe në Itali, atje ku është e pamundur të mos ndikohesh nga gatimi. Si është zhvilluar shija e si është përmirësuar gatimi juaj gjatë asaj periudhe dhe në vitet në vazhdim?

Mendoj se marrëdhënia ime me gatimin dhe ushqimin është ndikuar shumë nga koha e studimeve të mia. Së pari, sepse atje duhej të përgatisja vetë gjithçka dhe së dyti, në supermarket kishte pafundësi zgjedhjesh. Të mos harrojmë se në ato vite, ndonëse Shqipëria kishte nisur të hapej e tregu të mbushej, ishim përsëri shumë larg krahasuar me kohën në të cilën jetojmë. Edhe sot, në Shqipëri zgjedhjet për përbërësit janë disi të kufizuara, mendo si kanë qenë në vitin ‘94 apo ‘95. Ndaj unë gjeta atje mundësi të pafundme dhe zbulova shijet e dietës mesdhetare. Sigurisht që mundësitë tona të kufizuara nuk na lejonin të shkonim nëpër restorante, por në piceri ia dilnim dhe ende më kujtohet pica ime e preferuar, “Zingara”, të cilën s’e kam gjetur më në asnjë vend tjetër e në asnjë menu picerie. Me sa duket, ishte ekskluzive e asaj picerie në Trento, së cilës as emrin nuk ia mbaj mend. Nuk jam kthyer më në Trento e më vjen shumë keq për këtë, por kam ndër mend të shkoj në vitet në vijim me shoqet e mia. Më pas, e kam eksploruar më shumë gatimin dhe shijen pasi nisa të punoja, pasi kuptohet që edhe mundësitë u shtuan dhe kështu fillova edhe të lexoja më shumë për këtë.

Me shtimin e përvojës, gatimet e cilit vend preferoni më shumë?

Mendoj ende që kuzhina ime e preferuar është ajo mesdhetare, pra, kuzhina italiane. Nuk jetoj dot pa makarona. I dua shumë dhe i gatuaj në dhjetëra mënyra. Madje edhe im bir ka nisur të eksperimentojë në këtë drejtim. Përveç kësaj, eksperimentoj jo pa sukses edhe me kuzhinën meksikane dhe atë kineze, por sigurisht që me një numër të kufizuar recetash.

A ndikon gjendja shpirtërore në gatim? Përvoja të ndryshme tregojnë se një pjatë nuk del asnjëherë e mirë, nëse kuzhinieri nuk është në humor. Ju ka ndodhur ndonjëherë?

Jo, kjo nuk ndikon tek unë, sepse për mua gatimi është antistres. Pra, kam gjithnjë dëshirë të gatuaj dhe kjo vjen si nevojë për të çliruar energji kur jam e stresuar apo e mërzitur. Madje kur kam stres ha edhe më shumë; edhe gjatë sezonit të provimeve merrja gjithnjë ndonjë kilogram.

Loja me tombola nga fëmijëria e Erindës që ruhet dhe përdoret ende në shtëpinë e saj

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.