Adriatike Lami - Dashuritë e poetes

Living - - DIMËR 2018 - AdriatikeLami

Shumica e të mëdhenjve shkruajnë për ngjarjet e bujshme të jetës dhe kombeve të tyre, sepse njerëzit me histori dhe botë të madhe kanë ç’t’u rrëfejnë të tjerëve. Më mjaftoi të takohesha me të për ta konfirmuar këtë të vërtetë. Ndonëse sapo u prezantuam, m’u duk sikur e njihja prej kohësh. Një zonjë e çlirët, e drejtpërdrejtë, energjike. Poetët i kam imagjinuar gjithmonë si njerëz me natyrë nostalgjike, përhumbur mes mendimesh me shikimin hedhur tej në horizont dhe jo rrallëherë kam menduar se këta artistë njohin sekretin për t’u shkëputur nga realiteti dhe për të thurur vargje, por Adriatike Lami, apo Ada, siç i thërrasin miqtë e afërt të saj, më bëri të kuptoja se ajo, jo vetëm që nuk është e shkëputur nga realiteti, por jeton me të. “Kam pranuar vdekjen. Vetëm pas kësaj mund të ecësh përpara, apo ta rindërtosh më fort dashurinë dhe jetën, - rrëfen ajo. – Kur isha fëmijë dhe lexoja kryeveprat e letërsisë botërore, më pëlqenin pikërisht ata libra, të cilët trajtonin histori të vetë

autorëve. Kujtoj gjithmonë Martin Idenin. E pra, poezia është një shpërthim i botës së atij që e shkruan dhe një përpjekje e mbjellë si një lule në shpirtin e lexuesit. Kur dikush më thotë se poezia ime ka dhimbje, hesht, sepse unë vetë mendoj se ajo është e mbushur me dashuri: dashuri për dashurinë time; dashuritë e mia. Por, ka nga ata që më thonë: ‘Është sikur ta kishe shkruar për mua.’ Lexuesit e mi më thonë: ‘Kjo poezi është për këtë e për atë,’ e kështu me radhë. Në të vërtetë, poezia të fut në një grackë të bukur, në atë të projektimit. Unë flas për të kaluarën, kur, në fakt, kam projektuar të ardhmen. Nuk e di, është kaq e qëllimshme dhe e vetvetishme. I ngatërroj pak personazhet. Ka aq shumë aty! Në të njëjtën kohë, është vetëm një.”

Poeti është njeri me fat. Ai sheh atë që nuk mund ta shohin të tjerët dhe shkruan atë që do të donin ta shkruanin të tjerët. Vargjet i kanë bërë njerëzit e saj të shtrenjtë të pavdekshëm dhe kjo e lumturon, prandaj vazhdon të shkruajë për ta. “Kam krijuar një marrëdhënie të çuditshme, sidomos me tim shoq: dialogoj me të, më udhërrëfen ai dhe kështu gjej përgjigje për të gjitha pikëpyetjet e jetës, pasi unë i dua me çdo kusht përgjigjet për to. Jam njeri që e dua shumë jetën, nuk ngopem me të: me të qenët femër, grua, nënë, profesioniste, shkrimtare, mike. Një ditë është kërkim për ditën tjetër. Përmes poezisë nuk ka vdekje, as humbje. Kurrsesi. Prandaj është kujtesa. Kujtesa përmes poezisë, që të krijosh një marrëdhënie me gjërat e shenjta.”

Libri “Burri që më do mua” është shkruar dy vitet e fundit dhe poetja është treguar e kujdesshme që ai të përshkohet nga një frymë e vetme, e cila është përmbledhur në titull. Përmes pikturës, kopertina shpreh atë që vargu e thotë ndër faqet e librit: një burrë që duket qartë dhe disa të vegjël në brendësi të tij. Mbizotëron ngjyra e bardhë e mendjes së kthjellët, rrëmbimthi kafja e syrit të saj dhe bluja e qiellit. Një kombinim i ndjenjës, arsyes dhe botës përqark, i sjellë me shumë finesë nga piktori i talentuar Oltsen Gripshi. Ada nuk pret kohën e duhur për të shkruar poezinë e saj, ndonëse shpeshherë ngjizet darkave dhe gjithmonë kur është vetëm. “Vetmia është shumë e rëndësishme tek unë dhe te poezia ime. Ajo është shoqëruesja ime më e mirë. Më lumturon shpesh... por shpesh di të dal prej saj.”

Teksa shfletoja librin më të fundit me poezi dhe poemtha të Adriatike Lamit, “Burri që më do mua”, pas çdo fjale më dukej sikur lexoja jetën e saj, përjetimet, humbjet, largimin nga jeta të bashkëshortit dhe vëllait, dhimbjen, dashurinë, optimizmin…

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.