TARALLI DI PASQUA–BISKOTA TË ËMBLA PËR PASHKË

Living - - KUZHINË -

Recetë tipike e jugut të Italisë, ku çdo rajon ka recetën e tij, por kjo është e thjeshtuar dhe është një recetë e Sorrentos.

PËRBËRËSIT

– mund të përgatitni gjysmën e masës pasi dalin shumë biskota: • 2 kokrra vezë + 1 e verdhë veze • 370 g sheqer • 1 bustinë vanilje • lëkura e 1 limoni organik e grirë në rende • 170 g gjalpë i butë si krem • 750 g miell • 130 ml qumësht • 1 bustinë sodë për ëmbëlsira (16 g) • 10 g sodë bukë (e gjeni me kuti kartoni të vogël ku shkruhet bicarbonate di sodio) • 1 e verdhë veze për t’i lyer sipër

PËRGATITJA:

Ndezim paraprakisht furrën në temperaturën 180° C. 1. Në robotin e kuzhinës ose në një tas, përziejmë për 5 minuta me rrahësen elektrike të vezëve, vezët me sheqerin, shtojmë gjalpin të prerë në copa të vogla dhe i përziejmë akoma derisa të përzihen mirë. 2. Në një gotë hedhim sodën e bukës dhe qumështin dhe i përziejmë me lugë derisa të krijohet shkumë. Hedhim një pjesë të qumështit me sodë dhe një pjesë miell të përzier më parë me sodën për ëmbëlsira (e hedhim me sitë) dhe vazhdojmë kështu derisa t’i mbarojmë. I përziejmë me rrahëse për 10 minuta. E marrim brumin me dorë dhe i japim forma të rrumbullakëta. 3. Shtrojmë letër furre në tavën e madhe të furrës, vendosim biskotat, i lyejmë me të verdhën e vezës të rrahur më parë me pirun dhe i pjekim për rreth 20/25 minuta. Nëse dëshironi, mund të përgatisni glasenë e bardhë për të lyer disa nga biskotat: përzieni sheqer pluhur me pak lëng limoni dhe lyejini biskotat kur ato të jenë ftohur plotësisht. Biskotat që i keni lyer me glase sipër, është mirë të konsumohen brenda 2-3 ditësh, ndërsa biskotat e tjera durojnë disa ditë në kuti të mbyllur me kapak.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.