NË KOPERTINË

AFËRDITA DRESHAJ KINDL e përkëdhelura e fatit

Living - - PËRMBAJTJA - NGA: SANTANA ÇOMORA FOTOGRAFIA: ARTAN KORENICA

NGA: SANTANA ÇOMORA FOTOGRAFIA: ARTAN KORENICA FASHION STYLIST: NIKO KOMANI MAKE UP ARTIST: SUELA CANGU BALONA: HOT AIR BALLON ALBANIA

Ardhjen e Afërditës për disa ditë e mësova krejt papritur nga stilisti Niko Komani, i cili, në të vërtetë, ma përmendi shkarazi emrin e saj për kopertinën e këtij numri. Kontaktova menjëherë me të. Afërdita e priti me kënaqësi ftesën, por koha e qëndrimit të saj në Tiranë nuk ishte shumë e gjatë, kështu që shërbimi fotografik duhej të realizohej sa më shpejt, dhe mundësisht brenda një dite. Mes shumë ideve që blova në mendje për vendin ku mund ta kryenim shërbimin fotografik dhe se si mund të ishte sa më i veçantë, balona dhe ngritja e saj në qiell, m’u duk metafora më e bukur për të përfaqësuar denjësisht Afërditën si personazh dhe jetën e saj të re, që sapo ka nisur. Në fakt, shumë çifte e përdorin sot balonën për të kryer shërbimin fotografik të martesës, kështu që e gjithë kjo panoramë na ndihmonte për të shijuar dhe ne një “minidasmë” tonën, por pa bashkëshortin e saj, Jakubin, i cili është për t’u theksuar që zëre sikur ishte me ne gjatë gjithë kohës së realizimit të fotove, sepse, herë pas here, Afërdita shkëputej për të folur në telefon me të dhe na thoshte: “Më falni, se po flas me Kubin” (kështu e thërret ajo). E bukur, e gjatë, elegante dhe me një buzëqeshje çarmatosëse, ajo u paraqit shumë herët në set, atëherë kur i kisha thënë, edhe pse po atë natë kishte udhëtuar nga Prishtina për në Tiranë. Kur e takova, e pyeta nëse ishte lodhur, paçka se në fytyrë nuk transmetonte asnjë pikë lodhje. “Jo, më tha dhe buzëqeshi. – Jam mësuar me këtë punë. Kam pasur përvoja akoma më të vështira, por kjo e balonës m’u duk shumë interesante dhe e pranova me kënaqësi.” Dhe ja ku nis çaku i parë, i cili do të pasohej edhe nga shumë të tjerë. Çdo veshje i qëndron shumë mirë asaj, që nga fustanet madhështore të epokës viktoriane, veshjet sportive ekstravagante, fustanet e ngushta të ngjitura pas trupit e deri te kostumet klasike me kuadrate të vogla. Pa u ankuar asnjë çast për kushtet jo shumë të përshtatshme, për t’u ndërruar në mes të fushës, ajo dëshmoi me plot gojën që modelet e vërteta dinë të japin më të mirën e tyre, dinë të pozojnë dhe të mos nxjerrin gjysmë fjale, sepse modelingu është profesion e jo vetëm foto të bukura.

Dasma madhështore e modeles së njohur nga Mali i Zi, me sportistin çek Jakub Kindl, në Majami, në qershor të këtij viti, u përfol nga të gjitha mediet online, të cilat dhanë çdo moment të rëndësishëm, nga ceremonia e altarit e deri tek festa me të ftuarit. Një dasmë përrallore, e ngjashme pak a shumë me filmat tipikë amerikanë. Çdo gjë në jetën e Afërditës, që nga njohja me bashkëshortin, ka qenë një film, sepse, sipas saj, çdo ditë me të është një surprizë më vete. Ai është njeriu i surprizave, i cili di ta bëjë të lumtur në çdo çast. Edhe pse sot ajo ia ka mësuar stilin e befasive të bukura, Jakubi di t’ia dalë dhe ta befasojë gjithmonë e më shumë, si para pesë viteve, kur ai e kërkonte dhe arriti ta gjente, pas një darke ku kishin qëlluar të dy në të njëjtin restorant. Kot nuk thonë: të gjendesh në kohën dhe vendin e duhur. Pikërisht, kështu ka ndodhur dhe mes tyre: “Jemi njohur në një restorant sushi. Unë isha vetëm për tre ditë në Miçigan dhe kisha dalë për një darkë, sepse ime motër Jehona, kishte ditëlindjen. Përballë nesh ishte një tavolinë me dy djem, të cilët na qerasën. Ne i falënderuam, u përshëndetëm me ta dhe vazhduam. Pas asaj mbrëmjeje, Kubi kishte bërë gjithçka për të gjetur numrin tim të telefonit. I ishte lutur pronarit të restorantit, që ne e kishim mik, por ai nuk ia kishte dhënë. I kishte treguar vetëm emrin tim dhe Jakubi kishte nisur kërkimet dhe mesazhet në rrjetet sociale. Më kishte shkruar në ‘Facebook’, por ajo adresë nuk ishte e vërtetë. Pastaj kish nisur të më ndiqte në ‘Twitter’ dhe të më bënte ‘Retweet’, sepse nuk më dërgonte dot mesazh aty, pa e ndjekur edhe unë. Disa ditë më vonë, unë isha në aeroport për të shkuar nga Çikago, për punë, dhe vetëm aty shikoj një adresë të verifikuar që më bënte ‘Retweet’, për të më fituar vëmendjen. Në atë moment fillova dhe unë ta ndiqja në ‘Twitter’ dhe Jakubi më dërgoi mesazh. Aty nisi çdo gjë.” Afërdita dhe Jakubi qëndruan të lidhur për një vit dhe më pas filluan të bashkëjetonin. Gjatë muajve të parë, nuk është se takoheshin shpesh, për shkak të impenjimeve të të dyve. Afërdita me projektet e saj në Europë dhe Shqipëri, ndërsa Jakubi në Amerikë, por do të ishte ai që do ta bënte gjithçka më të lehtë. Pesë vite së bashku kaluan pa u ndier; u mësuan të përshtateshin me njëri–tjetrin dhe ta forconin akoma më shumë dashurinë e tyre. “Kubi e ka ndryshuar vërtet jetën time dhe larg klisheve, mendoj se më ka bërë një njeri më të mirë, më të dashur”, - thotë ajo. Dhe ja ku erdhi surpriza e parë. Në Pragën romantike, mes dritave të pragut të Krishtlindjes, ai do t’i bënte propozimin për martesë. Ishte data 21 dhjetor 2017 ajo që do ta shndërronte Afërditën në personazhet e vërteta të përrallave. “Ishte një natë magjike, - kujton Afërdita. – As në ëndrra nuk e kisha imagjinuar ashtu. Nuk e prisja fare. Deri në momentin që ai u ul në gjunjë, nuk e kuptova se çfarë po ndodhte dhe kjo besoj që e bëri të paharrueshëm për ne të dy atë çast. Kubi njihet si partneri i surprizave, por kjo ishte më shumë se çdo gjë, një nga çastet më të bukura dhe emocionuese të jetës sime. Ai kishte muaj që mendonte dhe punonte për atë surprizë. Unaza ishte e personalizuar, e disenjuar enkas për mua në Amerikë dhe kërkonte disa muaj realizimi. Nga ana tjetër është marrë me të gjitha rezervimet. Zgjodhi hotelin ku kemi qëndruar herën e parë kur unë kam ardhur në Pragë, ‘Four Seasons’ dhe donte që të më propozonte aty me çdo kusht, sepse ai vend ka një kuptim për ne të dy. Më tha se do të ishim në një darkë për Krishtlindje atë natë. U bëra gati, shkuam, mbaruam darkën dhe kur ishte momenti i ëmbëlsirës, Kubi u largua me pretekstin se do të shkonte në tualet. Unë po shihja menunë, kur erdhi menaxherja dhe më tha: ‘Kam një mesazh për ty. Eja me mua’. Unë u frikësova pak, mendova se mos i kishte ndodhur gjë Kubit, por ajo më tha të mos shqetësohesha. Hipëm në ashensor dhe u hap dera: prej daljes nga ashensori deri në tarracë më shoqëroi një rrugë e krijuar me petale trëndafili. Kur dola, pashë gjithçka si nëpër filma dhe Kubin që u ul në gjunjë dhe më tha:

Afërdita Dreshaj, gruaja e ëndrrave të mia, a dëshiron ti që ta kalosh pjesën e mbetur të jetës me mua dhe të bëhesh bashkëshortja ime?’. Unë në ato çaste nuk i përmbajta dot emocionet dhe me lot në sy i thashë ‘PO’.” Pas shtatë muajve erdhi dhe çasti i shumëpritur. Nga 21 dhjetori deri në 29 qershor 2018 dasma do të ishte gjëja më e rëndësishme në jetën e tyre. Çdo detaj duhej të ishte i përkryer dhe i kuruar, ashtu siç ishin pritshmëritë e çiftit. Patën shumë dilema se ku do ta organizonin. Njëherë menduan ta bënin në vendlindjen e tij, në Pragë, pastaj vendosën përfundimisht në Majami, sepse iu pëlqente një dasmë pranë detit. Zgjodhën Amerikën, vendin ku u njohën: vetëm aty mund të bëhej realitet dasma që ëndërronin. Për dasmën u kujdesën planifikues dasmash të mirënjohur në Amerikë, kështu që Afërdita ishte e qetë. Sigurisht, janë dashur disa muaj për të arritur idenë që kishte ajo në mendje. Donte diçka mes klasikes dhe modernes dhe u realizua siç e imagjinonte. Një dasmë e përbashkët, me plot 170 të ftuar, edhe nga Shqipëria. Ajo tregon se, sipas zakonit, Jakubi nuk e ka parë me fustanin e bardhë deri në çastin kur ajo u shfaq si princeshë para altarit. Për zgjedhjen e dy fustaneve, njëri ceremonial dhe tjetri i dasmës, ajo është konsultuar tërë kohën me të motrën, Jehonën, dhe të ëmën, e cila në mungesë të të atit, e shoqëroi të bijën deri te dhëndri. Fustani ceremonial u disenjua nga një stilist italian dhe u realizua brenda 6 muajve, vetëm për Afërditën, ndërsa tjetri, ai që e la të lirë të shijonte çdo notë muzikore, pa u ulur asnjë moment ishte pjesë e koleksionit 2019 të një stilisti izraelit. Shtylla e dasmës ishin familja e saj më e ngushtë: motra, mami dhe vëllai i saj. Dasma kishte një kod formal veshjeje, që respektohet përgjithësisht në ceremoni të tilla dhe të gjithë ishin të veshur shumë bukur: “Shoqërueset e mia ishin shoqet më të ngushta, kushërirat dhe motra, – thotë ajo. - Gjithçka ishte shumë emocionuese, që nga festa e beqarisë e deri te dita e shumëpritur.” Përtej dasmës përrallore, Afërdita me Jakubin nuk kishin planifikuar një muaj mjalti, siç ndodh gjithmonë pas kësaj ceremonie. Për shkak se Jakubi është sportist profesionist, i duhet që një pjesë të mirë të kohës të ndjekë seanca stërvitore. E vetmja periudhë pushimi për të ishte nga muaji maj deri në korrik dhe në kushtet kur duhej të përgatiteshin për dasmën, nuk mund të shkonin me pushime. “E kishim diskutuar që pas dasmës, atij do t’i duhej të shkonte në Tampa (Florida) për dy javë stërvitje, dhe për këtë arsye nuk do të mund të bënim një muaj mjalti. Të them të drejtën, nuk u mërzita fare, – thotë Afërdita, - sepse jetesa në Majami është pak a shumë si një muaj mjalti, çdo ditë. Kështu, nuk e menduam fare, por e gjithë kjo kishte qenë përsëri një rreng nga Kubi për të më bërë një surprizë. Një ditë pas dasmës, u mblodhëm me të gjithë miqtë, të afërmit dhe familjen, duke diskutuar për dasmën, në plazh. E vetmja që mungonte ishte Jehona, për të cilën më thoshin se ishte në gjumë, ngaqë ishte lodhur. Në të vërtetë, atë e kishte dërguar Jakubi që të bënte gati valixhen time. Kur shkova më vonë në dhomë, vura re se disa gjëra nuk ishin aty dhe Kubi më tha: ‘Qetësohu, sepse duhet të jenë bërë rrëmujë gjatë dasmës dhe i shohim nesër’. Kur u zgjova të nesërmen, më tha se kishim për të bërë një udhëtim. I thashë se nuk kisha bërë asgjë gati. Më tha të mos shqetësohesha, sepse i kishte bërë gati të gjitha Jehona. Kur hipa në taksi, e pyeta: ‘Po pse, me taksi do të shkojmë?’ ‘Po, – ma ktheu ai, - me taksi.’ Vetëm kur mbërritëm në aeroport më tregoi se kishte rezervuar një javë në St.Lucia, një ishull në Karaibe. Ishte surprizë, gjëja më e bukur që mund të më ndodhte. Kur mbërritëm atje, pamë mrekullinë me sy. As fotot nuk mund ta tregojnë se sa bukur ishte.”

Eqë nga ai moment, ata janë gjithmonë bashkë. Edhe kur distancat janë shumë të largëta, ata janë në kontakt me njëri–tjetrin, qoftë me mesazhe, telefonata apo me Facetime. Afërdita dhe Jakubi nuk janë vetëm partnerë në jetë, por edhe shokë shumë të mirë. Ata ndajnë çdo lajm të mirë apo të keq e janë të ndjeshëm ndaj çdo gjëje që ka lidhje me njëri–tjetrin, qofshin këto probleme familjare apo pune. Afërdita është e shenjës së Gaforres dhe ai i Ujorit. Nuk është se i besojnë shumë botës së astrologjisë, por ata dinë të njohin kufijtë, duke respektuar secili hapësirat e veta. Ashtu si çdo çift, edhe ata kanë zënkat e tyre, por Jakubi thotë se ajo është shumë paqësore dhe zënkat mes tyre janë shumë të rralla. Çeku që i pushtoi zemrën Afërditës, ende nuk ka ardhur në Shqipëri e as në Mal të Zi, por një udhëtim nëpër këto treva është në planet e tyre më të afërta. Edhe pse ajo nuk është ndonjë fanse e çmendur e sportit, tashmë është “paksa e detyruar” të marrë vesh nga kjo punë. Nga një tizofe juventine, sot ajo është tifoze e zjarrtë e skuadrës së zemrës. Jakubi është sportist profesionist hokeji dhe Afërdita mundohet ta shoqërojë në çdo ndeshje. Vajza gjatoshe, dikur Miss Shqipëria, është fansja më e çmendur e mbrojtësit të Ligës Kombëtare të Hokejit (Plzen Extra League) dhe ka nisur të kuptojë më shumë rreth kësaj disipline sportive. Deri kur nuk ishte e njohur me të, nuk dinte asgjë për këtë sport, por tani ndihet e lumtur dhe protagoniste, sepse një gol i shënuar është gjithmonë një puthje më shumë nga Jakubi. Kështu i thotë ai gjithmonë para një ndeshjeje: “Sot do të shënoj për ty”. Përtej lidhjes së tyre të ngushtë, ata janë shumë të lidhur dhe me familjet përkatëse. Edhe gjatë bisedave me Afërditën, vihet re se ajo përmend shpesh të motrën Jehonën, vëllain dhe të ëmën, dhe, për të, ata janë njerëzit më të afërt, ku gjen gjithnjë ngrohtësi. E pëlqen këtë harmoni familjare, këtë respekt të ndërsjellë dhe atmosferën fantastike që krijohet kur ata janë të gjithë bashkë: “Jakubi vjen nga një familje jo aq e madhe sa imja. Ai e ka humbur të ëmën kur ka qenë shumë i vogël dhe është shumë i lidhur me mamanë time. Nga ana tjetër, ajo e do çmendurisht dhe thotë gjithnjë: ‘Kam edhe një çun tjetër, çunin e dytë pas Arbrit’. Familjarët e Kubit janë të mrekullueshëm: ka një vëlla, edhe ai është sportist. Është më i vogël se Jakubi dhe kemi marrëdhënie shumë të mira.” Të gjitha këto ndryshime në jetën e saj nuk është se kanë ndryshuar ndonjë gjë tek ajo vetë. Është po ajo vajzë pa komplekse, e lirë të veprojë pa cenuar të drejtën e tjetrit dhe të vazhdojë të bëjë plane për të ardhmen, si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë personal. Rutina e ditës është pothuajse e njëjtë, përveç vendndodhjeve të lëvizshme, por dhe kjo nuk është se nuk ka qenë pjesë e jetës së saj të mëparshme. Në të vërtetë, puna si modele dhe këngëtare, e ka bërë të lëvizte sa në një vend në tjetrin. Sot, përveç impenjimeve të veta, ajo dëshiron që të jetë pranë bashkëshortit në të gjitha ndeshjet apo kampionatet që mund të zhvillojë ai nëpër botë. Nuk janë çifti klasik që jemi mësuar të shohim, por kjo nuk do të thotë që nuk dinë se ç’bëhet me jetën e secilit. Janë aty çdo moment, për ta respektuar e dashuruar njëri–tjetrin në pafundësi. Për martesën, këtë institucion kaq të shenjtë, dhe Afërditën në marrëdhënie me veten dhe të tjerët, na flet vetë ajo:

» AFËRDITA: Kubi e ka ndryshuar vërtet jetën time dhe larg klisheve, mendoj se më ka bërë një njeri më « të mirë, më të dashur.

» AFËRDITA: Jetesa në Majami është pak a shumë si një muaj mjalti, çdo ditë. Kështu, nuk e menduam fare , por e gjithë kjo kishte qenë përsëri një rreng nga Kubi për « të më bërë një surprizë.

PROFIL. Afërdita Dreshaj njihet si modele dhe këngëtare. Ajo ka lindur dhe është rritur në Amerikë. Pasi fitoi vendin e dytë në Miss Shqipëria 2007, në vitin 2011 ajo u shpall Miss Universe Kosova dhe po atë vit mori pjesë dhe në Miss Universe Brazil, ku u rendit ndër të parat. Mbi të gjitha, ajo njihet si modele e markave të njohura ndërkombëtare. Ndërkohë, edhe pasionin e saj për muzikën ka vazhduar ta ndjekë, duke na sjellë gjithmonë e më shumë këngë të reja ritmike.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.