DJEMTË E MI VESHIN FUSTANE...

E ÇFARË PASTAJ?`

Living - - PËRMBAJTJA - NGA: GENTIAN MINGA

Një mëngjes si gjithë të tjerët... Ora gjashtë. Tingulli i urryer i ziles më shkëput nga ëndrrat e përziera të natës dhe më kthen në realitet. Zgjoj nga gjumi dy djemtë e mi, Finnin dhe Noëllin, me një këngë të Alban Skënderajt. “T’i them mirëmëngjes”, kumbon nga celulari im. Ata hapin sytë gjithë përtesë. Finni, djali i vogël, hyn i alarmuar në tualet: “Mami, ku ka çorape të lara? Çorape që nuk janë rozë ose portokalli me lule?”. Por çorape pa lule sot nuk kemi; janë të tëra pa larë ose të lara e të nderura në tel, tre kate më poshtë. “Emma (një shoqe e klasës) u tall dje me mua, se kisha veshur çorape rozë. Ajo thoshte se janë për vajza dhe qeshte bashkë me shoqet, duke ma bërë me gisht”, vijon i vogli i trishtuar. Më kap inati me Emmën, por e ruaj qetësinë. “Ngjyrat janë për njerëzit, i thuaj. Nuk ka ngjyra për djem e vajza”, i përsëris diçka që e kanë dëgjuar shpesh nga goja ime dhe e të atit. “E di, o ma, po ajo nuk e kupton”, ma kthen ai, dukshëm i dëshpëruar. Duket se sot fitoi Emma. Finni merr një palë çorape me ngjyrë të errët, që i rrinë pak të mëdha. “Shiko, herën tjetër pyete pak Emmën ku e ka vaginën ngjyra rozë. E po e gjeti, të bëjë kujdes mos i ngelen çorapet me barrë”, vazhdoj, me dëshirën t’ia heq sadopak trishtimin nga fytyra e bukur. Na kap gazi të treve. Gjumi na ka dalë. Falë ngjyrës rozë. Ose Emmës. Finni është vetëm 7 vjeç dhe pak rëndësi kanë konformizmat për të. Për Emmën dhe shoqet e saj, me sa duket kanë ende. Veçse dy ditë më vonë, Finni do më thoshte: “Më plasi mua se ç’thotë Emma, ajo s’kupton. Sot do të vesh çorapet rozë. Më pëlqejnë shumë”. Si Emma, nuk kuptojnë shumë njerëz, të mëdhenj e të vegjël; ngjyrat janë veç ngjyra. Për tre fëmijët e mi, kufizime të tilla s’ka pasur asnjëherë. Janë gjithnjë të tjerët që na e kujtojnë se jemi “ndryshe” nga të gjithë (?!), pasi nuk i përkulemi diktaturës së ngjyrave. Finni ka shkuar shpesh në kopsht me gishta të lyer me manikyr. I pëlqen e bukura. Kur shkojmë në dyqane ndalon përpara bizhuterive, ulet në tokë dhe i kundron i mahnitur. Natyrisht që do edhe t´i blejë, por kjo nuk është gjithmonë e mundur. Ndonjëherë ama, unë ia blej. Para dy vitesh, në verë, m’u desh t’i blija një varëse. E dëshironte aq shumë. Nuk mund t’ia prishja. Ishte aq i lumtur me varësen prej një materiali të lirë, por të bukur. Të gjithë e shikonin të kënaqur; buzët i kishte vesh më vesh blu, të përlyera nga akullorja që po e lëpinte gjithë qejf. Në qafë i shndriste varësja e re, blerë në një dyqan me bizhuteri për zonja. Kaq pak duhet për ta bërë një djalë të vogël të lumtur... dhe jo vetëm atë. Edhe unë fluturoj nga gëzimi kur ai është i lumtur. A nuk jam unë ajo që duhet ta dojë lumturinë e tij më shumë se çdokush në botë?! Ajo ishte

varësja e tij e parë. Tani i kam falur një tjetër nga të miat, të cilën desha ta hidhja, se i ka rënë diku një gur. Por tim biri i pëlqen shumë e meqë ajo varëse e bën të lumtur, jam dhe unë e lumtur. Ka dhe një unazë me një buf, por nuk e dimë ku është. Disa njerëz më pyesin me gjysmë zëri nëse tim biri i pëlqejnë vajzat apo djemtë, duke u bazuar në mënyrën si vishet ndonjëherë. E nga ta di unë?! Është vetëm shtatë vjeç. Por edhe kur ka qenë më i vogël, s’është se më ka interesuar. Mendoj se është e pamundur dhe e panevojshme të bësh parashikime për drejtimin apo shijet seksuale të një shtatëvjeçari. Mbi të gjitha, është qesharake. Për mua rëndësi ka të bëhet njeri. Di që atij i pëlqejnë njerëzit. Shumë. Dhe JO, s’do shokohesha nëse im bir do të ishte gay, trans apo bi. Fare! Pse?! Ndonjëherë më vjen të qesh kur njerëzit më thonë se është e natyrshme të dashurohemi me njerëz të gjinisë së kundërt, se kështu e ka bërë Zoti, natyra apo ku di unë se çfarë. Sinqerisht, ky lloj koncepti është diçka e çuditshme. Biem në dashuri me individin, jo me organet e tij seksuale, kështu e shoh unë këtë gjë. Dhe është normale që fëmijët të veshin rrobat e prindërve dhe të bëjnë paradë mode. Kjo ndodh shpesh, jo vetëm me fëmijët e mi. Të veshurit e një këmishe të kuqe apo rozë s’ia zhduk penisin tim biri, as nuk e bën impotent. Vajza ime nuk ka penis, paçka se nuk ka luajtur kurrë me kukulla... Asaj nuk i pëlqenin kukullat; i kapte nga flokët dhe i flakte në cepin tjetër të dhomës. Ngjyra e saj e preferuar në vizatime ishte e zeza (jo roza)! Ndonjëherë, i vogli shprehet se një djalë tjetër është i bukur e tërheqës. I pëlqen bukuria, në cilëndo formë të sajën. Jam thuajse e sigurtë se do të merret me botën e modës dhe të shoubizit kur të rritet. Nuk di se çfarë ka këtu të çuditshme apo për t’u merakosur. Por është e sigurtë se ai do të bëjë dy fëmijë në të ardhmen. Të martohet me kë të dojë. Ose të mos martohet fare. Rëndësi ka që të dojë dhe ta duan. E quan normale që në shkollë ka fëmijë me dy mama ose dy baballarë. Për fat, kemi pasur një çift homoseksualësh një kat më lart. Djemtë u mësuan herët me idenë se dy burra mund ta dashurojnë njëri-tjetrin. Kjo nuk përbën përjashtim apo skandal për ta. Fjalitë e mia fillojnë rregullisht me: “Kur të rriteni, i dashuri apo e dashura juaj...”. Ata nuk habiten me këtë gjë. Ndoshta habiten të tjerët. Ne jemi mësuar tashmë. Kjo vlen për djemtë e mi, por edhe për vajzën. “O ai, o s’ka!”, më thoshte një ditë për ish të dashurin. “Po gjej një tjetër, ka boll burra bota”, i thashë e lodhur. “Jo, nuk dua më burrë dhe pikë, ka marrë fund ajo punë”, vazhdonte në mes të vorbullës së dashurisë dhe ndarjes. “Po mirë, gjej një vajzë e dashurohu me të, po të jetë e bukur ama!”, e këshillova e çarmatosur. “Ohu, o ma edhe ti, këshilla që më jep”, më kundërshtoi, me një pamje të shokuar. “S’di çfarë ka ndodhur me ty o ma, je bërë sipërfaqësore. Veç te bukuria e ke mendjen”, m’u përgjigj. Në fakt, ime bijë jo rrallë ankohet se pakkush e kupton për mënyrën e të menduarit dhe mënyrën se si e koncepton jetën, dashurinë. E ta men-

dosh se jetojmë në Gjermani. Po ashtu është rritur. Përkufizime ngjyrash apo shijesh tek ne nuk ka pasur ndonjëherë. Ndoshta, sepse unë vetë kam përjetuar shumë nga ato. Jam larguar nga Shqipëria pikërisht për mungesën e të drejtave të njeriut në vitin 1992. Mjedisi mbytës, me paragjykime nga më absurdet e mundshme më detyroi të merrja arratinë. Nuk jam penduar. Jo se në Gjermani të gjithë janë tolerantë, por tek e fundit, diskriminimi ndaj atyre që janë apo mendojnë ndryshe ndalohet me ligj dhe ky ligj zbatohet. Mësuesja në shkollë apo edukatorja në kopsht nuk ka të drejtë të (zh) vlerësojë dikë për shkak të mënyrës si vishet apo rregullon flokët. Aq më pak për prirjet seksuale. Mendoj se shkolla ka shumë në dorë në këtë drejtim. Toleranca e intoleranca mund të mësohen. Shkolla si institucion duhet të bëjë të sajën; unë si prind duhet të bëj pjesën që më takon. Një ditë, kur ishte në klasën e parë, Finni erdhi nga shkolla dhe më pyeti: “Mami, si quhet kur një grua bën marrëdhënie seksuale me një grua tjetër?” “Dashuri!”, ia ktheu i ati, që kishte ardhur për vizitë tek ne atë ditë (jetoj e ndarë nga babai i fëmijëve, por nuk jam e divorcuar). U ndjeva e lumtur. Ne jemi të ngjashëm në këtë pikë. Rrallë na duhet të diskutojmë. Mbaj mend se kemi diskutuar një herë mbi çorapet dhe mbathjet e djalit të madh. Disa djem të pagdhendur në shkollë e kishin rrahur se nuk u pëlqente ngjyra e çorapeve dhe forma e mbathjeve të tij. I duhej të vishte medoemos boksera që ta linin të qetë. Unë këmbëngulja t’u kundërvihej, pasi nuk ka se ç’u duhet atyre se ç’bën ai. I ati ishte i mendimit që Noëlli duhej të vendoste vetë, pasi ishte ai që përballej me ata njerëz në shkollë, jo ne. Ramë dakord që të bënte siç e ndjente dhe po të kishte nevojë për ndihmë, ne ishim gati ta ndihmonim. Edukimi i tolerancës, si çdo aspekt tjetër i edukimit, nuk bëhet në një ditë. Ndonjëherë duhen pranuar edhe disfatat. Dhe ato janë të shumta. Sot Noëlli vesh këmisha lejla dhe mendjen e ka vetëm te gocat. Por provat me fustanet e mia nuk i ka lënë akoma. I pëlqen të bëjë parada mode, madje bën eksperimente edhe me make up-in tim, bashkë me të vëllanë. Kjo e fundit më nervozon jo rrallë, pasi duke ngacmuar ngjyrat pa kujdes, shpesh ato bien në dysheme dhe nëpër rroba. I vogli, vazhdon të tërhiqet në mënyrë magjike nga e bukura dhe proteston ndaj faktit krejtësisht të padrejtë, sipas tij, pse një vajzë mund t’i kushtojë vëmendje paraqitjes së jashtme, pa frikën se do ta paragjykojnë. “Edhe unë dua të më thonë: ‘Sa i bukur je bërë sot’, jo ‘Qenke bërë si gocë’, kur rregulloj flokët dhe vë bizhuteri”, thekson në një bisedë, i revoltuar seriozisht. “Jo se është keq të dukesh si gocë, por edhe ne çunat jemi të bukur, mami”, vijon ai, i bindur. Natyrisht që është i bukur. Nuk e mohoj. E kjo më gëzon. Asnjë nënë dhe asnjë baba në botë nuk ka në dorë çdo gjë. Por të pranojmë atë që bën të lumtur fëmijët tanë, edhe kur bota është kundër nesh është detyra dhe privilegji ynë kryesor. Kur vajza, Isabella, ishte në klasë të dytë, mësuesja e saj më pyeti në një bashkëbisedim se përse vishej “aq çuditshëm”. Nuk gjente rehat e gjora grua se ime bijë nuk kombinonte “mirë” ngjyrat e rrobave. Për më tepër, habitej si ishte e mundur që një vajzë me një mama të tillë, kaq trendy (po, isha e re atëherë) e çonte vajzën në shkollë me një jelek të punuar nga mami im me shtiza, në ngjyrën jeshile e të zezë, getat bojëkafe dhe fundin prej atllasi rozë; domethënë, tërë ngjyrat të hedhura kuturu, pa shije, sipas saj. “Gaboheni. Kjo është shija e vajzës. Ajo vishet si të dojë. Po zbulon stilin e saj. Unë nuk dua të vishet siç “duhet”, si në katalogë fjala bie, por siç i duket asaj më mirë. Të zbulojë vetveten edhe nëpërmjet mënyrës si i kombinon rrobat. Është e rëndësishme për të si njeri”, ishte përgjigjja ime. Dakord, nuk është se kjo bisedë na bëri shoqe të ngushta dhe nuk e di pse një mësuese duhej të më kritikonte si nënë në këtë pikë, por vajza ime sot ka një stil të vetin, fenomenal. Është vetvetja... Tani është 22 vjeçe, jeton në Këln dhe studion për aktrim. Gjëja më e vështirë si prind është të pranojmë fëmijët për atë që janë, kur kjo prek kufijtë e rehatisë sonë. Të mbrojmë origjinalitetin e tyre, dëshirën e tyre për të ngrënë akullore me mustardë dhe po njësoj t’i mbështesim kur ata/ato thyejnë tabutë seksuale. Ndonjëherë, do të ishte më mirë t’i bënim pyetjen e thjeshtë vetes: “A është fëmija im i lumtur?”, për të gjetur motivimin e duhur për ta marrë në mbrojtje. Ose të paktën, për të mos e terrorizuar. Jo rrallë jam shokuar nga komentet e shqipfolësve ndaj komunitetit LGBT në Facebook. Koncepti shqiptar i burrërisë është i helmuar nga ide, jo vetëm absurde, por tepër të rrezikshme për një shoqëri. Rëndom u dëshirohet vdekja atyre që janë ndryshe. Kërcënimet për varje e therje janë në rend të ditës. E kjo për të ruajtur... çfarë? Idenë e të qenit shqiptar?! Nderin e familjes?! Hipokrizia arrin kulmin kur po këta njerëz “të ndershëm” nuk e vënë ujin në zjarr kur bijtë e tyre i fitojnë lekët me një mijë e një të zeza. A thua se një burrë duhet të jetë patjetër i egër, brutal, kriminel, por edhe pak pis, veç jo “si grua”. Kur një djalë rritet me bindjen se është mirë të sillet si “burrë”, sipas modelit të sipërpërmendur, atëherë gjasat janë që përplasjet me ligjin të jenë të paraprogramuara. Recetë magjike për ndryshimin e një shoqërie nuk ka, por jam e bindur se çdo prind, teze, dajë e hallë mund të kontribuojë në ndryshimin e kësaj mendësie. Familja është baza e formimit të një individi. Aty fëmija gjen mbështetjen kryesore shpirtërore... Që në gjashtë të mëngjesit!”

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.