HELIDON XHIXHA SKULPTURAT E ÇELIKUT QË PO SHËTISIN BOTËN

E ÇELIKUT QË PO SHËTISIN BOTËN

Living - - PËRMBAJTJA - NGA ANI JAUPAJ

Nuk është e vështirë të imagjinosh që një fëmijë integrohet në ambientin artistik të të atit, qoftë i interesuar ose jo në profesion, por askush nuk mund të përfytyrojë se ç’mendon ai fëmijë që lind dhe rritet në këtë ambient. Na tregoni disa kujtime nga ajo periudhë.

Mund t’ju them se im atë nuk më ka imponuar asgjë, por ama më ka mbajtur gjithmonë pranë vetes, teksa punonte në studion e tij. Unë shkoja gjithmonë me kënaqësi. Më kujtohet si sot, kur ulesha në prehrin e tim eti dhe më dukej sikur hipnotizohesha nga lëvizja e dorës së tij dhe nga penelatat e shpejta dhe të përpikta, prej të cilave s’e shkëpusja dot shikimin. Im atë, pa qenë nevoja të mbante fjalime, më mësoi të shijoja mrekullinë e krijimtarisë artistike. Kur i mbyll sytë, më duket sikur gjithçka ka ndodhur dje, që nga tingulli karakteristik i penelit kur prek kanavacën, era e mprehtë e bojërave të vajit, e deri te frymëmarrja e tim eti që përcillte pasionin dhe vendosmërinë që u përpoqa të përvetësoja edhe unë, dhe që i vë në zbatim edhe sot, sa herë që realizoj një vepër të re.

A e mendonit që në fëmijëri se do të ndiqnit rrugëtimin e babait tuaj?

Të them të drejtën, nuk ka pasur një çast të caktuar në jetën time kur zgjodha të ndërmerrja karrierën artistike. Siç thoni edhe ju, bëhet fjalë për një rrugëtim, për hapa që hidhen njëri pas tjetrit dhe të shtyjnë drejt fatit tënd. Megjithatë, më shumë sesa një zgjedhje, do ta përkufizoja si guxim. Nuk është e lehtë të nisësh një karrierë artistike, të ndeshesh me frikëra të shumta, kur ndonjëherë aspekti praktik i jetës të shtyn të heqësh dorë. Unë isha me fat që pata mbështetjen e tim eti, i cili u përball para meje me këto problematika.

Si ndikoi ai në formimin tuaj artistik në fillimet e karrierës?

Im atë ishte njeriu i parë që më vuri në dorë një copë argjile pa formë dhe më sfidoi që të krijoja diçka me të. Pra, ishte pikërisht ai që ngjalli interesin tim ndaj artit plastik.

Si evoluoi karriera juaj artistike? Na tregoni disa nga etapat e rëndësishme që keni përshkuar.

Karriera ime artistike nisi kur vendosa të shkoja në Itali për të ndjekur studimet në Akademinë e Breras, në Milano. Në fillim, aty u përballa me një çorientim dhe transformim rrënjësor në pikëpamjen kulturore, gjë që më nxiti të tregohesha mendjegjerë dhe largpamës në krijimtarinë time. Mësova të gjeja guximin dhe të shfrytëzoja mundësitë e shumta që të fal një përvojë si kjo. E gjitha, nisi falë koleksionistëve që besuan tek unë. Falë mbështetjes dhe entuziazmit të tyre, mora pjesë në Bienalen e 56-të të Artit në Venecia, fitova çmimin e publikut në Bienalen e Dizajnit në Londër dhe u ftova nga drejtori i “Gallerie degli Uffizi”, Eike Schmidt, që të hapja një ekspozitë personale në parkun “Giardino di Boboli” të Firences, por të gjitha ekspozitat e mia, të mëdha apo të vogla, janë arritje të rëndësishme në karrierën time dhe nuk mund ta përcaktoj se kush ka qenë më e mira apo më me peshë se të tjerat.

Ju ka ndodhur që të kalonit një periudhë transitore në fillimet e karrierës, siç u ndodh shpesh artistëve, para se të gjenit rrugën drejt artit tuaj? Si e konkretizuat realizimin e punimeve në inoks dhe çelik?

Fillimisht u përqendrova te studimi i skulptorëve të mëdhenj të viteve 1900, të cilët më nxitën të gjeja rrugën time dhe të krijoja identitetin tim. Që në zanafillë e pata të qartë se do të përdorja metalin si material për të shprehur krijimtarinë time artistike. Ju siguroj se ka qenë një rrugëtim mjaft intensiv, me eksperimente të shumta dhe punë të palodhur. E nisa procesin me metale të zakonshme dhe arrita deri në përdorimin e inoksit, me anë të të cilit pata mundësinë të shprehesha më së miri. Pikën

e kthesës e shënoi përvoja ime në Universitetin e Kingstonit në Londër. Në laboratorët e këtij universiteti, pata mundësinë të eksperimentoja artistikisht dhe ta gjeja shpejt rrugën time.

Ju e keni perceptuar artin si një idiomë, nga forma deri te shpirti. Si realizohet procesi i krijimit brenda këtyre dy skajeve?

Arti ka një gjuhë universale që e njohin të gjithë dhe që merr formë përmes hulumtimit artistik dhe atij shpirtëror. Kjo gjuhë lidhet me të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, nëpërmjet një ndjenje që e kanë përjetuar dhe e përjetojnë njerëzit në çdo kohë dhe në çdo vend. Nga Lindja në Perëndim, hulumtimi shpirtëror është pjesë e një rrugëtimi sa njerëzor, aq edhe artistik i të gjithë popujve. Për shembull, në simbologjinë e kulturave me mijëra kilometra larg nesh, gjejmë të njëjtat forma, kuptime, simbole dhe të njëjtat arketipa. Kohezioni mes këtyre dy aspekteve, shpirtëror dhe atij artistik, nuk duhet të jetë kurrsesi i diktuar. Sekreti qëndron tek aftësia për të dëgjuar, për të vëzhguar, por mbi të gjitha, tek aftësia për të nënkuptuar ato që nuk thuhen me fjalë. Një vepër arti duhet punuar me sinqeritetin më të madh shpirtëror.

Si e arrini pastërtinë që kërkoni në artin tuaj?

Nëse i referoheni përsosmërisë, nuk e synoj atë as si artist dhe as si njeri. Përsosmëria e vret artin! Unë si artist mundohem ta paraqes sa më mirë konceptin e së bukurës, si nga pikëpamja fizike, ashtu edhe nga ajo shpirtërore, por mbi të gjitha mundohem të zgjoj kureshtjen te të tjerët dhe të nxis tek ata dëshirën për të mësuar më tepër.

Si mund të plotësohen apo zgjerohen njohuritë në fushën tuaj?

Artisti rritet profesionalisht falë përvojës. Kureshtja të ndihmon të zgjerosh horizontin dhe kjo ndodh sa herë që udhëtoj në ndonjë vend, sa herë që njoh ndokënd, mësoj diçka të re. Siç e thashë edhe më parë, artisti duhet të dijë të dëgjojë, të vëzhgojë dhe të shfrytëzojë çdo mundësi që i fal jeta.

Keni hapur ekspozita në vende të ndryshme të botës dhe keni marrë pjesë në evenimente të rëndësishme artistike. Si arrihet e gjithë kjo?

Për fat të keq, nuk ka një recetë të saktë që duhet ndjekur. E vetmja këshillë që mund t’u jap të tjerëve, është që të mos rrinë duarkryq dhe të presin që të ndodhë diçka. Duhet të gjejnë kurajën që të mendojnë me largpamësi dhe të ndërmarrin një rrugë që kërkon shumë guxim, vendosmëri dhe përulësi.

Kur ka qenë hera e parë që keni ndier se keni bërë një punë shumë të mirë, për të cilën dhe jeni vlerësuar? Flas për periudhën kur s’e kishit arritur ende famën që keni sot.

Të them të drejtën, unë jam kritiku më i ashpër i vetes sime. Nuk më ndodh kurrë të mendoj se kam bërë ndonjë punë të mirë apo të shijoj sukseset e arritura; unë shikoj gjithmonë përpara. Motoja ime është që t’i harroj lëvdatat dhe të mbaj mend kritikat, sepse ato të shtyjnë të japësh më të mirën që ke brenda vetes dhe të ecësh gjithmonë përpara. Kush e ndal hapin, është i dështuar!

Ç’mendim ka babai për veprat tuaja? Si i vlerëson ai ato?

Nuk ka lëvdatë më të bukur sesa kur shoh tim atë teksa përkëdhel lehtë apo vëzhgon një nga skulpturat e mia.

“Unë nuk i gdhend materialet, por i përdor ato për të ‘gdhendur’ dritën”. Ç’domethënie ka kjo, për dikë që nuk e njeh mirë këtë fushë?

Për mua drita është një element tejet i rëndësishëm. Pasqyrimi dhe drita janë aspektet që u japin jetë skulpturave të mia dhe i shndërrojnë ato në portale të vërteta ndërdimensionale. Sipërfaqja pasqyruese e inoksit, e zgjeron ambientin rrethues dhe e transformon atë, ndërkohë që drita thekson edhe më tej gjallërinë jetësore. Të dyja këto krijojnë një botë paralele që e nxit vëzhguesin të fusë në punë imagjinatën. Skulpturat e mia bëhen njësh me peizazhin në të cilin bëjnë pjesë dhe njëherësh, e interpretojnë atë në një këndvështrim tjetër.

Ç’proces ndiqni për realizimin e një vepre, nga frymëzimi deri te konkretizimi i saj?

Është një proces që ndryshon nga hera në herë. Në disa raste mund të hartoj fillimisht disa skica përgatitore apo modele, ndërsa në raste të tjera, punoj direkt mbi material. Çdo vepër kërkon një qasje ndryshe. Kjo varet nga shumë faktorë. Një prej tyre janë edhe përmasat; duhet marrë në konsideratë nëse vepra po realizohet për një hapësirë të caktuar apo është thjesht një proces krijues i momentit.

Instalacion në Palazzo Pitti Galerinë “Uffizi” në Firence, Itali.

Instalacione në Galerinë “Uffizi” në Firence, Itali.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.