JOY-ELERY

Living - - PËRMBAJTJA - NGA GENTIAN MINGA FOTOGRAFIA: MEDEA MILO

Ky është një koleksion bizhuterish të punuara me dorë prej letrave shumëngjyrëshe, të cilat i gjen kryesisht në kancelari dhe veçanërisht në sektorin e mjeteve mësimore për fëmijë që shkojnë në kopshte dhe shkolla. Në realizimin e këtyre bizhuve është përdorur teknika quilling, përmes së cilës mund të realizohen forma nga më të ndryshmet, që nga akulloret me kaush, te kukullat prej lecke; në këtë rast, prej letre. Ky koleksion është frymëzuar nga pasioni im për botën e fëmijëve, ku mungesa e përsosmërisë përjetohet në një mënyrë shumë të shëndetshme dhe të adhurueshme. Konkretisht, këto punime prej letre rreken të riprodhojnë në 3D, vizatime fëmijësh që i has rëndom nëpër mure shkollash apo kopshtesh. Ato janë shumë larg përsosmërisë, por autorët e vegjël të tyre nuk e vuajnë mungesën e saj, siç ndodh me ne të rriturit e fiksuar. Shtëpitë që ata vizatojnë janë të shtrembra, kurse njerëzit, teksa përpiqen të krijojnë imazhin e një “portreti familjar”, ngjasojnë më tepër si karikatura. E megjithatë, në krijimet e papërsosura që nxjerrin doçkat e vogla ka shumë jetë, ngjyra, gjallëri, optimizëm, gëzim. Po, pikërisht gëzim, nga ku ka marrë edhe pjesërisht emrin projekti. Gëzim, ose në anglisht joy + bizhuteri, në anglisht jewelry është baras me JOYelry. Thënë ndryshe, “bizhu të gëzueshme”. Ashtu siç është dhe bota e patrazuar e fëmijëve. Plot jetë. Fëmijët gjithashtu kanë prirjen, ndryshe nga të rriturit, të kapen pas gjërave të thjeshta dhe “të vogla” në jetë. Ata vizatojnë shtëpiza, mace, yje, diej, lule etj. Vlera dhe fuqia e tyre qëndron edhe te zgjedhja që ata bëjnë për t’u kënaqur me gjëra të thjeshta në jetën e tyre, e cila sapo ka nisur dhe që pritet të ndërlikohet sapo të rriten. Një tjetër filozofi që përcjell ky koleksion, i cili pjesërisht mund të cilësohet edhe si një instalacion artistik në miniaturë, është filozofia e “së përkohshmes” në jetë. Kjo filozofi është frymëzuar dhe ushqyer nga tempujt dhe priftërinj budistë të Tibetit. Budistët vizatojnë me pluhura shumëngjyrëshe të famshmet mandala, motive krejtësisht të dallueshme të budizimit. Ato duan shumë kohë që të punohen (shpesh muaj të tërë), njësoj si këto figurina prej letre. Kryesisht punohet para derës (nga brenda) së tempullit. Kur mandala mbaron, zakonisht pas shumë muajsh, dera e tempullit hapet dhe era

e shkatërron mandalën e vizatuar përtokë, në pragun e brendshëm të derës. Filozofia: njeriu duhet të mësohet dhe të pranojë idetë që gjërat në jetë dhe natyrë janë të brishta dhe të përkohshme. Nuk zgjasin përjetësisht. Në këtë kontekst, edhe këto bizhu kanë gjithashtu një aspekt riciklimi dhe janë të brishta, ndonëse nëse mirëmbahen mund të jetojnë me vite.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.