HALLOUINIT

Living - - IDE FESTIVE -

Diçka keni lexuar apo dëgjuar patjetër për festën e shtrigave dhe të të vdekurve, festën e Hallouinit. Kjo ditënatë i takon datës 31 tetor dhe janë kryesisht vendet e Perëndimit ato që e festojnë. Kemi parë plot festa “të çmendura”, ku njerëzit veshin kostume nga më të frikshmet dhe më të çuditshmet. Maska, shtriga, skelete, kunguj, merimanga, çdo gjë e tillë zë vend në dekorin e këtyre festave. Por a ju ka shkuar në mendje të pyesni se çfarë domethënieje kanë këto simbole?

E ZEZA DHE PORTOKALLIA

Ngjyra portokalli paraqet vjeshtën, kur gjethet bien dhe ndryshojnë nga të gjelbra në të kuqërremta. Sipas traditës kelte, festa shënonte kalimin nga ditët “me ndriçim” në ditët “e errëta”. Ndaj e zeza paraqet ditët e errëta dhe të gjata të dimrit.

MERIMANGAT

Nuk ka Hallouin pa merimanga. Endja e pëlhurës prej tyre është një paraqitje natyrore e ciklit të jetës. Gjithashtu, merimangat preferojnë vendet me pluhur dhe të errëta, prandaj në një shtëpi të braktisur (një vend i preferuar për Hallouinin) do të mund të gjeni shumë të tilla.

LAKURIQËT E NATËS

Janë krijesa të natës, prandaj është e natyrshme që festimi i fundit të ditëve me dritë dhe fillimit të atyre me errësirë, të përfshijë edhe lakuriqët e natës. Për më tepër, lakuriqët e natës janë pjesë e legjendave të ndryshme, sipas të cilave ata mund të komunikojnë me të vdekurit.

MACET E ZEZA

Fetë e vjetra kelte sugjeronin që macet ishin mishërime të shpirtrave të njerëzve dhe se ato kishin aftësi të parashikonin të ardhmen. Gjithashtu, mendohej se shtrigat mund të shndërroheshin në mace.

SKELETET

Në natën e Hallounit, thuhet se vija ndarëse midis botës së të gjallëve dhe të vdekurve është shumë e hollë, skeletet janë simbol i shpeshtë i Hallouinit pikërisht për këtë arsye. Kafka veçanërisht është simbol në shumë kultura, duke shërbyer si manifestim i vdekshmërisë së njerëzve, frikës nga vdekja ose rrezikut që mund të jetë vdekjeprurës.

FANTAZMAT

Duke qenë se në fillesat e tij Hallouini festohej jo vetëm për fundin e të korrave, por edhe për ata që kishin kaluar në “mbretërinë” tjetër, shpesh ai quhej “festivali i të vdekurve”. Ideja e fantazmave sugjeron që Hallouini është nata kur shpirtrat e të vdekurve janë në gjendje të ecin mes të gjallëve.

MASKAT DHE KOSTUMET

Çfarë argëtimi do të ishte Hallouini pa kostume? Por, edhe ky element i festës e ka një fillesë. Nëse kthehemi mbrapa në kohët kelte, të pranishmit vishnin kostume me qëllim trajtimin e shpirtrave të vdekur. Mendohej se, nëse ata do të arrinin të mashtronin të vdekurit, shpirtrat do të reshtnin së bezdisuri.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.