RITUAL Vjeshtak

Living - - LIVING EDITORIAL -

Një verë e gjatë, shpinëngarkuar me zjarr prej diellit, duket sikur u struk drejt shuarjes, përtej pemëve faqekuqosura nga përqafimi i shumëpritur vjeshtak. Ajri i freskët puth majat e pullazeve, kurorat e ndrojtura të pemëve, të cilat presin të vishen me ar, shkund përgjumjen nga semaforët krahëgjatë dhe me shumë zell tërheq nëpër lagje aromën e bukës së sapopjekur, duke e shtriqur si një pëlhurë ëndrrash… Mëngjeseve herët përshëndetemi papritur me ndonjë shtëllungë mjegulle dhe fillojmë e mendojmë sikur jemi pjesë e një përralle ose skenari magjie dhe, krejt pa e kuptuar kemi dëshirë të zgjojmë poetin modest brenda shpirtit. Disa thonë që vjeshta është buzëqeshja e fundit plot ëmbëlsi e vitit, madje disa nga mësimet filozofike të jetës i marrim përmes vjeshtës; mësime të tipit: “Disa gjëra duhen lënë të shkojnë, ashtu siç i lëshojnë pemët gjethet e tyre drejt fluturimit nëpër ajër”. Plot herë e pyes veten se si do të ngjante bota ime nëse nuk do të kishte vjeshtë, nëse parada e ngjyrave të tetorit nuk do të mund të shikohej nga sytë dhe shpirti im/ynë. Ndërsa je duke lexuar këtë shkrim, a do të ishte shumë të të kërkoja që të mbyllje sytë vetëm për një çast dhe të gjeje portëzën e bukur vjeshtake që të çon drejt vendit magjik, ku shpirti të zgjohet nga gjumi? Për disa, ajo portëzë shfaqet pas një shëtitjeje në ajrin e freskët të mbrëmjes, ku degët e thara shtrihen nën hapat e ngadaltë dhe gjethet e lisave lëshohen rrokapjekthi mbi kalimtarët e shkujdesur. Për disa të tjerë, magjia ndodh kur shijojnë një kakao të ngrohtë; kur veshin trikot dhe çorapet e buta, që derisa ka trokitur moti i freskët duket sikur i kishim harruar; kur ndezin qirinj aromatikë; apo mbështillen me një batanije të ngrohtë dhe shijojnë muzikë në sfond. Në fakt, vetëm gjatë vjeshtës, e gjithë toka, në tërë bujarinë e vet, na lejon që ta ndiejmë plotësinë e aromës së saj në një frymëmarrje, e cila nuk është aspak më inferiore sesa aroma e detit, e hidhur kur i prek kufijtë rrethues, dhe e ëmbël në aromë mjalti, kur i ndjen tingujt e saj të parë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.