Panorama (Albania)

E mbijetuara nga Aquila humbi të bijën në Romë

-

Marisol Piermarini ishte vetëm 18 muajshe, ndodhej me pushime së bashku me prindërit e saj në Arquata del Tronto. Nëna e saj, Martina Turco, ishte e mbijetuar nga tërmeti në Aquila, qyteti i saj. Pas eksperienc­ës së vitit 2009, ajo kishte vendosur të transferoh­ej në Ascoli. Por kësaj radhe, në këtë qytet ku mendoi se do të gjente qetësi dhe shpëtim nga tmerri që pati kaluar, tërmeti i mori jetën e së bijës. Vetë Martina është e shtruar në spitalin rajonal “Torrette di Ancona”, ku po përballet me pasojat e rënda të qëndrimit për një kohë të gjatë nën gërmadhat e ndërtesës ku po flinte, në kohën që goditi tërmeti. Partneri i saj, Massimilia­no, është i shtruar në spitalin “Mazzoni di Ascoli” për të kuruar plagët që ka marrë në disa pjesë të trupit, por nuk e rrezikon jetën. Në një dhomë tjetër gjendet trupi i vogël i pajetë i Marisol, ku afër i qëndrojnë të afërmit e tjerë, të tronditur nga humbja. Mes tyre edhe gjyshi Massimo Piermarini. Ai ishte mes të parëve që kishte mbërritur në Arquata. “Nuk donin të më linin të kaloja, se ishte e rrezikshme, por unë u thashë se nuk më interesont­e aspak dhe hyra atje ku po kërkonin. Fatkeqësis­ht, për vogëlushen nuk mund të bëhej më asgjë”, ka rrëfyer ai mes lotësh.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania