Panorama (Albania)

Policia spanjolle parandalon një sulm terrorist me kamion

-

Policia spanjolle ka ndaluar një kamion të mbushur me bombola të mëdha gazi, duke qëlluar ndaj shoferit, i cili ishte nisur në drejtim të qendrës së Barcelonës. Kamioni është ndaluar pas dyshimeve që mund të shkaktojë katastrofë në qendër të qytetit, sipas modelit më të fundit të sulmeve terroriste, hyrjes me kamion me shpejtësi në mes të turmave të njerëzve. Deri tani në Europë kanë ndodhur dy sulme të tilla, një në Nicë të Francës dhe një në Berlin të Gjermanisë. Kamioni po ecte me shpejtësi në krah të kundërt. Policia e ka ndjekur për disa minuta deri kur një polic u detyrua të qëllojë në dritaren e kabinës, në mënyrë që të detyrojë shoferin të ndalojë mjetin. Shoferi është arrestuar më pas dhe kamioni rezultoi të ishte i vjedhur. Sipas gazetës lokale “La Vanguardia”, i arrestuari është shtetas suedez. Ai ka pësuar lëndime të lehta dhe pas trajtimit në spital është marrë në stacionin e policisë.

Avioni përplaset në qendrën tregtare në Melburn, asnjë i mbijetuar

Një avion është rrëzuar në një qendër tregtare në afërsi të aeroportit “Essendon”, në Melburn të Australisë. Sipas mediave lokale, si pasojë e përplasjes pesë persona kanë vdekur, piloti australian dhe katër shtetas amerikanë. Avioni raportohet se ka pasur probleme në motor, pasi menjëherë pas ngritjes nga aeroporti “Essendon” është rrëzuar. Në qendrën tregtare thuhet se askush nuk është lënduar, edhe pse zona ka marrë flakë. Policia e shtetit të Viktorias ka konfirmuar se nuk ka të mbijetuar nga fluturimi çarter, ndërkohë që mediat lokale kanë publikuar pamjet e aksidentit tragjik. Autoritete­t në Viktoria e kanë quajtur këtë ngjarje si aksidentin më të keq aviacionit civil në 30 vitet e fundit.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania