Emërimet në Grupin e PS, Rama flet për vizën e Ruçit: Do shkojë në SHBA

“Kryetari i Kuvendit do të vizitojë Kongresin Amerikan”

Panorama (Albania) - - FAQE 1 - TIRANË

Kryeministri Rama hodhi poshtë dje akuzat ndaj kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, se i është refuzuar viza amerikane.

I ftuar në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, Rama tha se refuzimi ishte një gabim dhe administrata amerikane e korrigjoi atë duke i dhënë vizë Ruçit në 2005- n për të marrë pjesë në kongresin e Partisë Republikane. Ai tha se Ruçi do të kishte marrë dhe vota nga LSI nëse do të kishte marrë pjesë në votim.

Kreu i qeverisë vlerësoi dhe Presidentin Meta për përgjegjshmërinë në kryerjen e detyrës, edhe pse gjatë fushatës ai hodhi shumë akuza ndaj Ramës.

A ka Partia Socialiste dorë në atë që ndodhi kur u zgjodh Gramoz Ruçi në krye të Kuvendit, siç akuzon opozita?

Di të them që nëse do të kishte marrë pjesë edhe LSI, do të kishin qenë shumë më tepër vota, thjesht sepse ajo që shumë njerëz harrojnë është që Gramozi ka në këtë Parlament që ditën e parë, njohje, lidhje, marrëdhënie dhe marrëdhëniet e Ruçit me përfaqësues të PD janë më se të mira kur fiken dritat e kamerave. Ai është pika e referimit të PD historikisht kur vjen puna për të biseduar dhe nuk çuditem fare që aty të ketë vota njerëzish që kanë gjëra personale me të. Pastaj këta njerëz humbën 140 mijë vota në krahasim me 4 vite më parë.

Në perceptimin e përgjithshëm ishte zgjedhja më e mirë vendosja e Ruçit, nuk kishte kandidaturë më të mirë?

Jo ne, por nëse do të marrim 140 njerëz në sallë e do të thoshin se cili është personi më i duhur për të drejtuar këtë Parlament, asnjë palë nuk do të mund të gjente një person më të përshtatshëm sesa deputeti me përvojën më të gjatë në atë Parlament, që kurrë në gjithë karrierën e tij nuk është shquar një herë për retorikë luftënxitëse, flakëhedhëse, përçarëse dhe të gjitha me radhë. Edhe kur çohej ndonjëherë dhe shkonte në maksimum, “Sali, ajo partia e ime dhe e jotja...”, ky ishte maksimumi. Së treti, është i vetmi deputet që e zotëron në majë të gishtave rregulloren. E patë në momentin e parë të kontestimit për rregulloren sesi dolën blof pasi Gramozi i orientoi drejt neneve ku duhet të lexonin.

Disa veprime të ambasadorit amerikan janë interpretuar si mosdakordësi me zgjedhjen e Ruçit?

Po si nuk doli një klub mediatik dhe të thotë një të vërtetë të thjeshtë. Gramoz Ruçit i është refuzuar një vizë në vitin 2005 dhe më pak se dy muaj më pas i është dhënë viza për SHBA si i ftuar në kongresin e Partisë Republikane. Ajo ftesë në kongresin e republikanëve që nuk kishte lidhje me Gramozin, ka qenë një shprehje e të vërtetës së thjeshtë se me atë refuzim u bë një gabim. Nuk ka rëndësi, sepse kryetari i Kuvendit do të vizitojë Kongresin Amerikan dhe kjo merr fund.

Kryetari i Kuvendit duhet të dorëzojë funksionet partiake?

Duke njohur Gramoz Ruçin, di që nuk është njeriu që akumulon mandate.

Pra, zgjedhja e largon nga roli historik në PS?

Absolutisht që Gramozi në këndvështrimin tim është nga ato figura që askush nuk i largon përveç vullnetit të tij. Mos u çudisni nëse Gramozi do të jetë akoma aty, ndërsa unë në kurs pikture me Zahon. Por unë mendoj se Gramozi duhet të jetë kryetar i Asamblesë Kombëtare të PS.

E përkëdhelët Presidentin Meta, besoni se raporti po shkon drejt normalizimit?

Unë e kam thënë kur shumëkush mendonte që na priste një kataklizëm dhe kur Iliri mendonte se na priste radha e gjatë për të marrë në telefon Petrit Vasilin, që nuk i druhem fare të ardhmes në aspektin e rolit të Metës, sepse duke e njohur, ia di edhe dallgën që e çon në fatkeqësi, ia di edhe sensin e përgjegjshmërisë për të kryer detyrën. Unë besoj që do të jetë si President shumë më i mirë si kryetar Kuvendi, që ka vetëm një meritë, që i dha liderit legjen- dar mundësinë që të flasë në katër vjet, aq sa do t’i ishin dashur me një kryetar Kuvendi si Gramozi për 40 vjet.

U penduat apo reflektuat sa i përket Ministrisë për Europën?

Reflektimi është virtyt, nuk është dobësi. Reflektimi ka qenë shumë i thjeshtë; integrimi kalon te Ministria e Jashtme, emërtimi që kërkohej, Ministria e Jashtme dhe Integrimit ishte banalitet në këndvështrimin tim dhe duke parë disa shembuj shumë të bukur, vendosëm për Europën.

Keni hequr dorë apo mund ta konsideroni ndarjen e mandatit të deputetit nga ai i ministrit?

Kam hequr dorë sepse kanë ndryshuar kushtet dhe filozofia e qeverisjes është e re. Kemi një qasje bazuar në parimin që nuk është thjesht qeveria ajo që merr përsipër gjithë barrën për të bërë gjithçka. Këtu jemi në kushtet kur kemi qeverinë, grupin parlamentar e partinë dhe ekipin drejtues të partisë si baza e gjithë këtij procesi. Kjo do të thotë që nuk kemi nevojë të bëjmë tërheqjen nga mandatet.

Jo pa tension dhe ankth u kalua ai izolimi juaj në Dhërmi kur bëtë qeverinë. Mendoni që kabineti i res- pektoi ekuilibrat brenda partisë suaj?

Nuk ekziston dhe nuk mund të ekzistojë një skuadër seleksion që të gëzojë të gjithë rrethin e njerëzve. Nuk ekziston një Kryeministër që t’i bëjë të gjithë ata që potencialisht mund të jenë pjesë e kabinetit, të gëzohen. Fola sot me Taulant Ballën që më çoi mesazh për të konfirmuar një fakt, më tha: Kryetar, a keni pasur një ankesë për ndarjen e komisioneve? Jo!”, i thashë. Më tha - A ju kujtohet se ç’kemi hequr katër vite më parë? Unë mendoj se sot është një fakt shumë i thjeshtë, përgjegjësia, sepse kemi mundësinë të bëjmë ato që themi dhe nuk mund të themi që s’i bëjmë, se dikush tjetër nuk po na lejon.

Do të ketë amnisti fiskale?

Nuk do të ketë amnisti të tillë. Një pjesë e të ardhurave do të vijnë nga çuarja e tepsisë për skrap. Ne e filluam këtë me vendimin për certifikatat. Brenda 100 ditësh duhet të ketë një realizim për objektivin: asnjë dokument më shumë që u kërkohet njerëzve, sesa shteti që kërkon më pak dokumente në kontinentin tonë. Do të bëjmë një ulje drastike për dokumentet. Do të kemi ulje drastike për licencat dhe forcave në terren që vendosin gjoba. Ne kemi shumë forca në terren, por që në fakt janë banda që u bien dyerve për të marrë lekë. Do të bëjmë një reformë shumë të madhe tek inspektoratet dhe do të riorganizojmë të gjithë mënyrën se si këto struktura vihen në marrëdhënie me qytetarët. Policia gri nesër, kam kënaqësinë që nesër kjo mbaron me vendimin e ministrit të Transporteve, që tërheq policët gri në kazermë. Në raport me tepsinë, ne kemi tri fjalë për administratën dhe zyrat: pastrim, shërbim, ndëshkim! Pastrim i zyrave nga grabitqarët, shërbim për njerëzit nëpër zyra dhe ndëshkim për grabitqarët nëpër zyra.

Edi Rama

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.