Dhunë e terror në Shkozë, arrestohen protestuesit

Tension e lot gjatë shoqërimit të familjarëve në Polici

Panorama (Albania) - - SOCIALE - TIRANE

Dita e parë e protestës së familjarëve në Shkozë kundër shembjes së banesave të tyre për zgjerimin e rrugës ka përfunduar në mënyrën më të keqe të mundshme.

Policia e Shtetit ka bërë shoqërimin në Polici të disa prej protestuesve, të cilët ishin ulur në rrugë tek "Ura e Shkozës", të vendosur për të mos lejuar qarkullimin e automjeteve. Situata është tensionuar kur policia, e hasur në rezistencën e tyre, ka përdorur dhunë, si dhe shkaktuar terror te gratë e fëmijët. Uniformat blu nuk janë stepur edhe pas thirrjeve të dëshpëruara të një djali jo më shumë se tetë vjeç, babain e të cilit po e merrnin me forcë në makinë e as prej rezistencës së bashkëshortes, të cilën e shtyjnë disa herë. Kjo ka ngjallur indinjatën e qytetarëve, por edhe politikanëve, të cilët kanë shprehur në rrjete sociale revoltën e tyre. Sakaq, banorë të shumtë vijojnë të qëndrojnë në rrugë, të vendosur për të mos lëvizur që aty pa marrë sigurinë se do të shpërblehen. Sipas banorëve, numri i të shoqëruarve në Polici është 16, ndër- sa mes tyre raportohet edhe një fëmijë 12 vjeç.

PROTESTA

Rreth 153 familje në Shkozë rrezikojnë të dalin në rrugë pas prishjes së banesave të tyre për zgjerimin e rrugës, në kuadër të një projekti të nisur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar i Ministrisë së Transporteve. Banorët pretendojnë se nuk janë informuar para- prakisht që pjesa e banesave të tyre është përfshirë në planin urbanistik, e aq më pak të dëmshpërblehen. "Nuk kemi pasur asnjë lloj informacioni. Përpara 4 ditësh, erdhën të INUK-ut dhe na thanë që ju është refuzuar legalizimi, ndërkohë që përpara një viti erdhën na bënë matjet që të na legalizonin shtëpitë". Ndërkohë, një tjetër nënvizon se ende nuk ka shlyer kredinë për shtëpinë që s'po e gëzon dot. "Pa mbaruar ende kredinë që kam marrë për ndërtimin e shtëpisë, shteti vjen e ma shemb. Nuk jemi kundër zhvillimit të vendit. Të më japë atë që më takon, nuk largohem pa na dhënë një zgjidhje", thotë bashkëshortja e një prej të arrestuarve. Sipas IKMT- së, ban- orët që pretendojnë dëmshpërblim disponojnë banesa të palegalizuara. Mbi 140 familje janë skualifikuar nga procesi i legalizimit, ndërsa 10 familjet që disponojnë certifikatë pronësie, do të dëmshpërblehen. Kjo nuk është hera e parë që projekte madhore në territorin e bashkisë ndeshin në pakënaqësinë e banorëve.

Gjatë shoqërimit të protestuesve në polici

Fëmija i traumatizuar pas shoqërimit të të atit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.