Zjarr në Agjencinë e Trajtimit të Pronave

Panorama (Albania) - - AKTUALITET -

TIRANE - Agjencia e Trajtimit të Pronave, që ndodhet në rrugën "Muhamet Gjollesha", në Tiranë, është përfshirë nga flakët dje në orët e para të mëngjesit. Ngjarja, që nga të dhënat paraprake dyshohet të jetë e qëllimshme, ka ndodhur rreth orës 03: 05 dhe është dashur thuajse një orë për shuarjen e tij. Burime zyrtare të Policisë thanë dje se janë arrestuar dy rojet e objektit, për shpërdorim detyre dhe shkatërrim të pronës me zjarr, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Flakët dyshohet se janë përhapur fillimisht nga kati i tretë e më pas kanë dalë edhe në katin e katërt, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Nga veprimet e para hetimore, pas shuarjes së zjarrit, nuk ka rezultuar që në objekt të ketë pasur ndonjë shkëndijë apo masë elektrike që të jetë bërë objekt për përhapjen e zjarrit. Në momentin e ngjarjes, kanë qenë në shërbim dy roje, të cilët kanë lajmëruar disa minuta me vonesë, gjë që sipas burimeve ka sjellë dyshime të arsyeshme se ata janë autorë, apo kanë pasur dijeni për zjarrvënien e qëllimshme. "Nga shërbimet e Policisë janë arrestuar për veprat penale ' Shkatërrim prone me zjarr' dhe ' Shpërdorim detyre' shtetasit Skënder Hysa, 62 vjeç, dhe Sokol Hamitaj, 46 vjeç, të dy banues në Tiranë, me detyrë funksionale roje godine", tha dje Policia në njoftimin zyrtar. Nga ana tjetër, mësohet se vazhdon puna nga grupi hetimor për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënies. Mësohet se dy të arrestuarit kanë mohuar të jenë ata shkaktarët e zjarrit, por nga ana tjetër, nuk kanë bashkëpunuar me Policinë për identifikimin e autorëve të dyshuar. Ata kanë deklaruar se nuk kanë konstatuar lëvizje të dyshimta në godinën ku ishin të punësuar si roje. Madje edhe zjarrin e kanë konstatuar me vonesë, pasi ishte në katet e sipërme dhe kjo sipas tyre ka qenë arsyeja që njoftimin e kanë dhënë disa minuta pasi kishin nisur të përhapeshin flakët. Megjithëse sipas burimeve mund të ketë kaluar një kohë relativisht e gjatë, nga momenti i nisjes së përhapjes së zjarrit e deri kur flakët kanë depërtuar nga kati i tretë në katin e katërt. Për këtë arsye edhe zjarrfikësve u është dashur thuajse një orë për t'i shuar.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.