Oficerja falsifikoi formularin

Panorama (Albania) - - POLITIKE -

Një oficere e Policisë së Tiranës u pezullua nga detyra disa ditë më parë, pasi rezultoi se kishte falsifikuar formularin e dekriminalizimit. Nënkomisarja me detyrë në Komisariatin nr. 1 të Tiranës, Marie Dobra, po hetohet nga SHÇBA për falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve zyrtarë. Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme thanë se SHÇBA, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, në përfundim të një hetimi, kanë pezulluar nga detyra një oficere Policie për shkak të falsifikimit të formularit të dekriminalizimit. “Nga veprimet hetimore ka rezultuar se punonjësja e policisë, nënkomisare Marie Dobra, me detyrë specialiste Informacioni dhe për marrjen e kallëzimeve në Seksionin e Policimit në Komunitet pranë Komisariatit nr. 1 Tiranë, ka qenë më parë e dënuar me 18 muaj burg për veprën penale ‘ Shpërdorim detyre’. Këtë dënim ajo nuk e ka bërë të ditur gjatë plotësimit të formularit të dekriminalizimit për punonjësit e shtetit, duke shënuar në formular si ‘ e padënuar’”, tha Ministria e Brendshme.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.