Meta në Kosovë, Thaçi: Na jepni pasaporta shqiptare

Presidenti shqiptar: Zgjidhja, vetëm dialog me BE

Panorama (Albania) - - FAQE 1 - FATION BINJAKU

Presidenti shqiptar, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim me homologun e Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vizitës zyrtare në Prishtinë.

Gjatë takimit kokë më kokë është diskutuar dhe çështja e demarkacionit dhe kushtëzimit që ka vënë BE për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës nëse nuk miratohet demarkacioni. Për këtë çështje, dje presidenti i Kosovës i ka bërë një kërkesë zyrtare Ilir Metës që t’u japë nënshtetësi shqiptare shtetasve të Kosovës, në mënyrë që edhe këta të fundit të lëvizin të lirë pa viza në Europë. “Nuk shoh me këtë një zgjidhje të situatës në parlament, prandaj ju lutem zoti President, në përputhje me Kushtetutën, jepuni pasaporta shtetasve të Kosovës. T’u lejohet qytetarëve të Kosovës që të aplikojnë për nënshtetësi, ta fitojnë këtë të drejtë, të lëvizin në Europë”, është shprehur Hashim Thaçi.

QËNDRIMI Por për Ilir Metën dhënia e nënshtetësisë për shtetasit e Kosovës nuk është zgjidhje e problemit afatgjatë dhe perspektivës së saj europiane. “Theksojmë domosdoshmërinë e dhënies fund këtij izolimi, për të mos thënë këtij diskriminimi, që po përjetojnë qytetarët e Kosovës dhe që ka sjellë një frustrim për shkak të faktit se janë të vetmit qytetarë në Ballkanin Perëndimor që nuk e gëzojnë këtë mundësi. Aq më tepër po të kemi në konsideratë që dikur, para 40 vitesh, ka qenë më e lehtë për qytetarët e Kosovës për të udhëtuar lirisht jashtë, atëherë kur për qytetarët e Shqipërisë ishte e vësh- tirë edhe për të ëndërruar një gjë të tillë”, është shprehur Meta. Sipas tij, çështja duhet të zgjidhet me dialog aktiv me Bashkimin Europian dhe me Malin e Zi. “Sigurisht, zgjidhja nuk është që të merret nënshtetësia shqiptare për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga dëshira për të kaluar këtë problem, jo për shkak të një mungese dëshire nga ana ime apo nga institucionet e Shqipërisë, por zgjidhja është tejkalimi i këtij problemi. Dhe unë shpresoj që edhe politika këtu në Kosovë, pas zgjedhjeve të afërta vendore në një dialog edhe më aktiv me BE- në, por edhe me Malin e Zi, ta zhbllokojë këtë çështje, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për çështjen e vizave, që është një çështje mjaft e rëndësishme dhe mjaft frustruese për qytetarët e Kosovës, por bëhet fjalë për zhbllokimin e të gjithë perspektivës europiane të Kosovës, që është jetike jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë Ballkanin Perëndimor e pa dyshim dhe për vetë Bashkimin Europian”, ka thënë Meta.

Meta e Thaçi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.