Botohet publicistika e Gjergj Bubanit, parathënia e panjohur e Kutelit

Pamflete, poezi, shqipërime dhe letërkëmbime të një prej penave më të shquara të shtypit shqiptar, që censurohej vazhdimisht nga Zogu

Panorama (Albania) - - FAQE 1 - ALMA MILE

"Ka plot një muaj që guverna simpatike e Tiranës më ka çelur luftë shfarosjeje.

Për shkakun tim, "Shqipëria e re" mbetet në burg 3- 4 ditë ose më tepër, derisa nëpunësit e administratës e qërojnë "Brumbullin", atë shejtan që vate e trazoi punën e drasave sinistruëse, atë dreq që thotë se "xhixhëlleshat ngrehin vila dh'ecin me automobila", kurse fukaraja "i bije kokës pas murit, katër lek ok'e grurit"".

Jo rrallë herë qeveria zogiste censuronte gazetat ku shkruante "Brumbulli". Me një humor të hollë dhe një ironi therëse, ai thumbonte e godiste qeverinë, problemet sociale e gjithfarë fenomenesh që shqetësonin Shqipërinë e viteve ' 30-' 40. Dhe Mbreti Zog ishte i ndjeshëm ndaj asaj çka shkruhej nëpër media, sidomos në ato që shkruante gazetari dhe pamfletisti me pseudonimin "Brumbulli". Të gjithë e dinin se pas tij "fshihej" Gjergj Bubani, një nga personalitetet më të shquara të kohës, publicist, poet e shqipërues, një nga penat e rralla të shtypit të shkruar shqiptar. Emrin e tij mbajnë gazeta si "Zëri Shqiptar", "Kuvendi Kombëtar", revista "Dodona", "Kosova". Ai do të ishte drejtori i parë i Radio Tiranës dhe do të arrestohej në vitin 1944 nga regjimi komunist, si "vegël e propagandës armike". Një akuzë që më shumë se 6 vitet e burgut do ta vriste shpirtërisht Bubanin, gazetarin e pakompromis, i cili mbylli sytë më 27 shkurt 1954. VËLLIMI I TRETË

Sot, ky personalitet rikthehet në vëmendjen e lexuesit shqiptar përmes botimit të vëllimit të tretë me krijimtarinë e tij: "Gjergj Bubani: Publicistikë, humor e satirë, poezi, shqipërime ( 1919- 1944)". Një vepër që përmbledh pjesë nga publi- cistika e tij, e botuar në shtypin shqiptar dhe atë rumun, janë shkrime me karakter social dhe politik, janë pamflete, të cilat të bëjnë të qeshësh e të qash, poezi, shqipërime të veprave të Viktor Eftimiut, Tolstoit, etj. Po ashtu, libri përmban edhe letërkëmbime, një seri fotografish shumë interesante, që dëshmojnë për jetën e Bubanit, personalitetin e tij, por edhe për kohën kur ai jetoi. Libri i botuar nga shtëpia botuese "OMSCA- 1", e cila ka botuar më herët edhe dy vëllimet e para, është përgatitur nga Loredan Bubani, i biri i Gjergjit, redaktor i njohur, i cili ka ndërmarrë një "mision" të vërtetë për mbledhjen e materialit. I është dashur të kërkojë gazetat, që nuk gjendeshin në Shqipëri, por që ishin të vështira për t'u gjendur edhe në Bukuresht. Po ashtu, ai është marrë edhe me përzgjedhjen e materialit, në mënyrë që ai të jetë koherent. "Arritëm të gjejmë një numër të madh shkrimesh, por mendova të përzgjedh mes tyre ato që janë ende aktuale, pasi një pjesë e mirë e tyre lidheshin me problemet e ditës. Edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të mbeten probleme të pazgjidhura lypja në rrugë apo asimilimi i shqiptarëve jashtë atdheut. Këtë problem Gjergji e ngrinte në vitet ' 20' 30, por vazhdon të jetë shqetësues edhe sot me të tjera komunitete emigrantësh në vende të ndryshme të Europës, ku janë vendosur. E nëse shteti nuk do të ndërhyjë, do të ndodhë si me komunitetin e shqiptarëve të Rumanisë, siç thotë edhe im at në ato shkrime", shprehet Loredan Bubani, teksa shton se ka ende shumë material pa botuar, që mund të përmblidhej në një vëllim të katërt. Këtë vëllim të tretë, ai ia dedikon bashkëshortes së tij, Nerminit, e cila e ndoqi në udhëtimin e tij në kërkim të krijimtarisë së të atit. E sot që ajo nuk është më,

ky libër vjen si një homazh edhe për atë, për punën dhe nxitjen e vazhduar për të realizuar këtë vëllim të tretë.

Libri paraprihet nga një parathënie e shkrimtarit, përkthyesit dhe publicistit Mitrush Kuteli, bashkëkohës me Gjergj Bubanin, i cili e vlerëson lart penën e Brumbullit. "Pamfleti i Brumbullit është një kontestim i pamëshirshëm i jetës politike. Shërbimi që i sjell përparimit tonë, është një realitet i pakontestuarshmë dhe vetëm subjektiviteti miop i disave "objekte" përpiqet të mos e vështrojë", shkruan Kuteli.

Një vepër që përmbledh pjesë nga publicistika e tij, e botuar në shtypin shqiptar dhe atë rumun, janë shkrime me karakter social dhe politik, janë pamflete, të cilat të bëjnë të qeshësh e të qash, poezi, shqipërime të veprave të Viktor Eftimiut, Tolstoit, etj.

GAZETARI GJERGJ BUBANI NE KRYE TE DETYRES ( 1936- 37)

Gjergji me Dionisin mbi supe dhe prof. Pop me të birin

( Lart) - Kopertina e librit - Gjergj Bubani me veshje festive me rastin e 25- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë ( Djathtas) - Me bashkëshorten ditën e martesës, 12 gusht 1923

Në Mamaia, 1924. Gjergji me nënën, motrat dhe kushërinjtë

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.