Ekonomia e sjelljes në qeverinë shqiptare

Panorama (Albania) - - FAQE 1 - ENIO CIVICI

Vendimet e mëdha në Sh qipëri shumë shpesh...

kanë qenë karakterialisht të vonuara krahasuar me rendin dhe sfidat e botës moderne. Kur Perëndimi vendos të diversifikojë rrugët e furnizimit me gaz natyror dhe ndërton një vepër që kushton 4.5 miliardë euro, ne ende s’kemi zgjidhur se si do të ndërtojmë sistemin e gazifikimit të ndërtesave nëpër qytete. Kur vendet e Bashkimit Europian diskutojnë sistemet dixhitale të konfigurimit të cilësive ushqimore dhe modifikimit të gjeneve të bimëve, ne na duhet të reformojmë Autoritetin Kombëtar të Ushqimit drejt funksionalitetit bazik. Teksa autoritetet rregullatore në Perëndim po fillojnë aplikimin e standardeve të reja për rezervat kapitale, Shqipërisë ende i duhet të edukojë banorët e saj për përfitimet që vijnë nga bursa. Ky disfatizëm prioritetesh vjen jo vetëm nga pikënisja paragjykuese e nivelit tonë të zhvillimit, por dhe nga mungesa e frymës së duhur politikëbërëse nga e cila jemi karakterizuar jo rrallëherë. Por mund të mos jetë përherë kështu. Çmimi i dhënë nga Sveriges Riksbank në nder të Alfred Nobel për fushën e ekonomisë shkoi për studiuesin Richard Thaler. Ai është një ndër pionierët e të ashtuquajturës ekonomi e sjelljes, Behavioural Economics, së bashku me David Halpern dhe Cass Sunstein, ish- këshilltarin e Presidentit Obama. ÇFARË DO TË THOTË EKONOMI E SJELLJES? Fillimi i famës së kësaj teorie shfaqet në vitin 2008, kur dhe publikohet libri i Thaler dhe Sunstein me titull “Nudge”, ose shtyrje e lehtë. Kjo teori shpjegon se incentiva dhe arsye shumë të parëndësishme janë ato që formësojnë vendimet e njerëzve. Sipas Thaler, “vetëdija se agjentët ekonomikë në fakt janë njerëz është një dije e detyrueshme për modelet ekonomike”. E shpjeguar më thjeshtë, kjo do të thotë se si qenie joracionale, ven- dimet e secilit prej nesh për të kursyer apo shpenzuar janë objekt i ndikimeve të paparashikueshme.

Pra, vendimet financiare të njerëzve, kryesisht në konceptin absolut, merren duke konsideruar llogari të shkurtra me fokus të ngushtë dhe jo duke parashikuar efektet e gjithanshme afatgjata të tyre. Ky punim, përveçse një konstatim shkencor dhe akademik, në 10 vitet e fundit ka arritur të influencojë politikanë të hemisferës perëndimore për të konturuar shoqëritë dhe ndikuar mbi votuesit në kohëra me buxhete të kufizuara dhe kriza financiare pas derës. “Ekonomistët supozojnë se njerëzit kanë tru të komplikuar njësoj si një superkompjuter dhe mund të zgjedhin përherë drejt”, thotë Thaler. “Por, në fakt, ku vjen momenti i zgjedhjes, truri ngjason më shumë me një Nintendo të vjetër, shpesh i prirur të procesojë me vonesë dhe të ngecë”.

Presidenti Obama dhe ish- kryeministri britanik David Cameron ishin dy flamurtarët e parë me fuqi politike, të cilët ngritën grupe pune për të përkthyer teorinë e ekonomisë së sjelljes në politika konkrete qeveritare. Fakti interesant është se Obama dhe Cameron u përkisnin dy ideologjive politike të ndryshme, respektivisht i majtë dhe i djathtë, por kërkonin të ndërtonin politika pub- like duke u nisur nga e njëjta premisë, se njerëzit janë irracionalë. Nëse do të citoja Obamën në fjalën e fundit si President i SHBA- ve në janar 2017, do të kujtoj se “studimi i qenieve njerëzore dhe jo i modeleve abstrakte të zhvillimit është mënyra se si ndërtohen politika të duhura, se si paguhen më shumë taksat apo se si rritet punësimi”.

A duhet qeveria shqiptare gjithashtu të konsiderojë ekonominë e sjelljes si burim të politikave të saj publike?

Sigurisht që po. Aktualisht, Kryeministri Rama dhe kabineti i tij qeveritar, në mandatin e dytë, janë angazhuar fuqimisht, me letër dhe teknologji, që të zvogëlojnë burokracinë e administratës publike dhe të rrisin eficiencën e shërbimeve për popullsinë. Përtej certifikatave apo deklarimeve të bilanceve, duhet të jemi të gjithë dakord se ky objektiv ka të bëjë mbi të gjitha me apoteozën njerëzore që karakterizon funksionimin e shoqërisë. Për të qenë më i qartë, po sjell një rast të aplikimit të teorisë së Thaler në vendimet e qeverisë së David Cameron në vitin 2014. Në luftën kundër shpërdorimit dhe rritjes së eficiencës energjetike, qeveria e atëhershme britanike mori vendimin që konsumatorëve t’u shënohet në fund të faturës së dritave se sa kanë harxhuar krahasuar me fqinjin e tyre. Duke përdorur presionin social, ky vendim argumentonte se do të inkurajonte konsumatorët të ishin më eficientë në konsumin e tyre. Dhe në fakt ajo ndodhi. Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave angleze, ndërmjet vitit 2015 dhe 2016, shtëpitë në Britani kanë shpërdoruar 14% më pak energji elektrike.

A mundet qeveria shqiptare të aplikojë politika të tilla për të rritur eficiencën e hallkave problematike të administratës, si dhe të parashtrojë politika të duhura parandaluese ndaj shpërdorimit institucional që ndodh në vendin tonë? Ekonomia e sjelljes është një mundësi që jep përgjigje pikërisht kundrejt kësaj çështjeje. Sfida si pabarazia sociale, përshkallëzimi i gabuar i pensioneve, qasja me turp kundrejt mekanizmave të investimit, si dhe mënyra më e shpejtë për të paguar taksat janë shumë të qarta në Shqipëri, por mungojnë politikat të cilat i adresojnë. Përtej anketave dhe pyetësorëve, ekonomia e sjelljes është një mundësi më shumë për një qeverisje më të afërt me votuesin, për një bashkëqeverisje si pëlqen ta quajë Kryeministri.

Trupi i ekonomisë së sjelljes përfshin sqarime mbi mënyrat se si racionaliteti i kufizuar, preferencat dhe statuset hipotetike sociale apo mungesa e vetëkontrollit ndikojnë mbi vendimet financiare të njerëzve, duke shpërbërë vetë tregun. Meqë në Shqipëri ndodhemi në mes të një lufte antiinformalitet, Thaler dhe teoria e tij na jep një shembull, i cili është aplikuar nga administrata Obama. Në vitin 2010, mbi gjysma e shteteve amerikane kishin probleme me vonesat në pagesat e taksave nga qytetarët. Vendimi i qeverisë së atëhershme për të krijuar një dokument publik periodik, ku tregohej se cili qytet apo shtet kishte performuar më mirë në respektimin e afateve të pagesës së taksave, solli lindjen e një “gare”. Gjithashtu solli uljen me mbi 30% të vonesave. Aplikimi konkret i ekonomisë së sjelljes ka rezultuar efektiv për shumë vende, ndoshta është koha të përmirësojë edhe politikat publike të Shqipërisë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.