Vodhi repartin ushtarak, policët i japin pasaportë të kërkuarit

Panorama (Albania) - - AKTUALITET -

Dy efektivë të Policisë së Elbasanit janë pezulluar nga detyra, pasi dyshohet se kanë lejuar pajisjen me pasaportë të një personi të shpallur në kërkim për vjedhje. Sipas një njoftimi të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, ndaj dy efektivëve të Policisë ka nisur edhe një procedim penal për akuzën e "shpërdorimit të detyrës". Sipas hetimeve, rezulton se F. B. dhe K. J., të dy inspektorë policie, njëri në Elbasan dhe tjetri në Belsh, kanë ndihmuar shtetasin në kërkim, Antonio Dedja, i dënuar për vjedhje, që të pajiset me pasaportë biometrike. "Strukturat e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave ( SHÇBA) Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë, pas një hetimi disamujor proceduan penalisht 2 punonjës policie në Drejtorinë Vendore në Elbasan me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Nga hetimet rezultoi se punonjësit e Policisë, inspektor F. B., me detyrë SPZ pranë Komisariatit Elbasan dhe inspe- ktor K. J. me detyrë SPZ pranë Stacionit të Policisë Belsh, nëpërmjet kryerjes së veprimeve në kundërshtim të hapur me ligjin, lejuan pajisjen me pasaportë biometrike të shtetasit A. D., i dënuar me vendim gjykate dhe i shpallur në kërkim. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan caktoi ndaj dy efektivëve të Policisë masën e sigurimit personal "pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik", parashikuar nga neni 243 i Kodit të Procedurës Penale. Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka punonjës apo struktura të tjera të përfshirë në aktivitet të kundërligjshëm", shkruan njoftimi i SHÇBA- së. Lidhur me personin që ka përfituar pasaportën biometrike, ai është arrestuar më parë më 20 prill të vitit 2015, së bashku me një shtetas tjetër, Z. Hazizi, pasi kishin vjedhur plot 190 kg hekur për skrap në repartin ushtarak të Krastës. Dedja është dënuar nga gjykata për krimin, por është larguar, pasi ka përfituar lehtësim mase sigurie nga Gjykata e Elbasanit. Ai është ende në kërkim nga Policia e Elbasanit.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.