Vrasja e efektivit të FNSH, Prokuroria: Burg përjetë Qosjes

Panorama (Albania) - - AKTUALITET -

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për David Qosjen, personin që vrau efektivin e FNSH- së së Shkodrës, Ardian Kodrën. Ditën e djeshme u zhvillua seanca me konkluzionet e Prokurorisë, ku edhe u lexua pretenca nga ana e prokurorit të çështjes për "monstrën e Torovicës". Ngjarja ka ndodhur më 2 shtator të vitit të kaluar, ku në një operacion për kapjen e Qosjes, mbeti i vrarë efektivi i FNSH- së. Avokatja e të pandehurit ka kërkuar ekspertimin psikik të të pandehurit, rezultatet e të cilit nuk e ndihmuan aspak. Sipas ekzaminimeve të tre mjekëve psikiatër, Qosja ka pasur çrregullime të personalitetit kur ka ndodhur ngjarja, por kjo nuk e shpëton nga përgjegjësia për vrasjen. Gjithashtu, është vërejtur edhe një përshkallëzim i çrregullimit pas vrasjes së efektivit. Megjithatë, kjo nuk mjafton që David Qosja të kërkojë lirinë. Lidhur me ngjarjen e 2 shtatorit, prokurori tregoi edhe rrethanat e vrasjes së efektivit të FNSH- së. Sipas tij, Qosja ishte mbyllur në shtëpinë e tij i armatosur dhe nuk pranonte të dorëzohej. Efektivi i FNSH- së ka dalë nga mjeti i blinduar duke i thirrur në emër Qosjes që të dorëzohej, mirëpo ai nuk ka dëgjuar dhe madje ka qëlluar ndaj tij duke e lënë të vrarë. Pas ngjarjes, ai ka tentuar të largohet, por është kapur nga Policia në një fushë të mbjellë me drithëra.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.