Vrasja e teknologut, e bija: Tani jemi më të qetë

Jonida Duraj: Autori u arrestua, ne s’jemi për hakmarrje

Panorama (Albania) - - AKTUALITET -

FIER- Një ditë pas arrestimit të autorit, Feti Yzeiraj, i dyshuar për vrasjen e teknologuat të Uzinës së Ballshit Shefo Duraj, ka reaguar familja e këtij të fundit. E bija e viktimës, Jonida Duraj, studente te Gjuhët e Huaja në Tiranë, përjashton mundësinë e vazhdimit të hakmarrjes me fisin Yzeiraj. Sipas saj, tashmë pas arrestimit të autorit, familja është më e qetë.

Si ndiheni tani që u gjet autori i vrasjes së babait tuaj?

Tani ndihemi më të qetë, natyrisht. Ne prisnim që autori të gjendej. Pak a shumë policia i kishte të dhënat sepse pasi ndodhi vrasja e babait, u hap edhe tema e ngjarjes së vjetër.

Ju e dinit ngjarjen e vjetër? Kishin informacion mbi të?

Ne nuk dinim gjë që kishte ndodhur kështu e ashtu. Babai nuk na ka folur kurrë për gjëra të tilla dhe nuk na ka edukuar me ndjenjën e hakmarrjes. Nuk e dinim. Kjo ngjarje u diskutua vetëm pasi u gjet i vrarë babai. Nuk di çfarë të them për atë ngjarje. Thjesht jemi të qetë që u gjet autori dhe kaq. Nuk e komentojmë dot si e bëri ai. Ne nuk do ta bënim diçka të tillë. Ne nuk na e sjell babanë kjo, por së paku ai që vdiq, të prehet i qetë pasi autori u zbulua dhe u kap.

Babai jua u vra për hak- marrje, për një vrasje që ishte bërë rreth 50 vjet më parë...

Të gjithë ne e dimë që ne, pasardhësit, nuk kemi asnjë faj për ato që kanë ndodhur para se ne të lindim apo për ato që ndodhin pa e pasur ne në dorë. Pse duhet të bëhemi ne viktima? Ikja e babait tim ishte një ikje e pajustifikuar. Për një gjë që nuk e kishte në dorë. Ai nuk kishte lidhje, nuk ishte as hesap i familjes, por për punët e shtetit ndodhi një ngjarje që duhej ta paguanim në këtë formë.

Çfarë kërkoni nga drejtësia?

Vetëm të veprojë sipas ligjit. Ne i besojmë shtetit. Nuk kemi punë fare me ata si fis apo si familje. Nuk jemi ne ata që vendosim drejtësi, por shteti. Ne nuk jemi për hakmarrje.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.