Llaç e beton në Parkun e Butrintit, Kumbaro: S’ka ndërtim, por rikonstruksion

Deputeti i PD, Boçi: Ministrja, marrëdhënie shitje- blerje apartamentesh me firmën që ndërton. Kumbaro: Ma provoni!

Panorama (Albania) - - POLITIKE - FATION BINJAKU

Vendimi i Ministrisë së Kulturës për ndërtimin e një ambienti shërbimesh në Parkun Kombëtar të Butrintit ka përplasur dje në Komisionin e Medias dhe Arsimit, deputetët e opozitës me ministren e Kulturës.

Mirela Kumbaro është ftuar në Kuvend për të raportuar për këtë ngjarje, të cilën deputetët e opozitës e kanë quajtur si shumë shqetësuese. Albana Vokshi, kryetare e Komisionit të Medias, ka kërkuar nga Kumbaro të ndalojë urgjentisht ndërtimin brenda parkut të Butrintit, i cili mbrohet nga UNESCO. Gjatë seancës, ministrja e Kulturës tha se projektet e tilla nuk miratohen nga UNESCO dhe se ka pasur komunikim me këtë institucion. “UNESCO nuk aprovon projekte në sitet arkeologjike në të gjithë botën. Nëse UNESCO ka pyetje, bën, nëse nuk ka pyetje, s’bën. Komunikuam drejtpërdrejt me zyrën e UNESCO- s në Paris. Ne nuk kemi detyrim t’i dërgojmë UNESCO- s çdo projekt. Raporti i është dërguar UNESCO-s, ia kemi dërguar edhe me e- mail në anglisht pas publikimit të debatit”, tha Kumbaro. Ministrja ka insistuar se nuk ka gërmime në parkun e Butrintit, por do të ketë një rikonstruksion të një godine që përdorej si magazinë dhe që është ndërtuar që prej vitit 1975. Demokratët e kanë cilësuar si shkelje të ligjit dhe kanë publikuar fotografi në të cilat tregojnë se në parkun e Butrintit po ndërtohet me llaç dhe beton. Megjithatë, ministrja tha se betoni është i lëvizshëm dhe ndërtesa nuk do të ketë themele. “Betoni është i lëvizshëm. Varet se ku e vë se nuk ka themel. Nuk është ndërtim, është rikonstruksion. Krejtësisht i pranuar nga ekspertët. Qëllimi i projektit është rehabilitimi i mjedisit, i cili bëhet përmes rikonstruksionit të objektit ekzistues. Dhe brenda objek- tit i keni të gjitha llojet e punimeve dhe materialeve që përdoren. Jemi saktësisht në të njëjtin objekt kur në vitin 2008- 2009 është parashikuar i njëjti projekt”, u shpreh ministrja. KONFLIKTI I INTERESIT

Deputeti i PD- së, Luçiano Boçi, akuzoi Kumbaron se është në konflikt interesi dhe se firma e përzgjedhur për të bërë punimet është financuese e fushatës së PS- së. “Zgjedhja e ‘ Hakos’ është bërë në konflikt interesi? Ka shumë insinuata për përzgjedhjen e kompanisë pse nuk është zgjedhur një vendase. A jeni në konflikt me ‘ Agikons’? Ne relatojnë se ministrja ka konflikt të pastër interesi me ‘ Agikons’. Keni marrëdhënie shitje- blerje apartamentesh. A është financuese e PS- së?”, pyeti deputeti i PD- së Boçi. Por për ministren nuk ka asnjë konflikt interesi dhe nuk ishte në dijeni nëse kompania ishte financuese e fushatës së PSsë. “Nuk kam asnjë konflikt interesi. Ma provoni konfliktin e interesit, atëherë dhe unë jam gati të përballem. Kompania e kontraktuar është kompania “Hako”. Nuk e kam unë këtë informacion dhe e shoh që është irrelevante dhe komenti juaj është irrelevant komplet”, tha Kumbaro.

Mirela Kumbaro dje në Komisionin e Medias dhe Arsimit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.