Skema e re e TVSH, Malaj: Sa do ndikojë te biznesi dhe qytetarët

"Misioni i biznesit të vogël është vetëpunësimi. Rritja e kontributit të tyre arrihet vetëm me politika lehtësuese"

Panorama (Albania) - - FAQE 1 -

Do të duhej një debat i pafund për të vendosur shtrirjen e TVSH në të gjithë biznesin. Efektet negative në rritjen e çmimeve duhet të balancohen nga shpenzimet efikase për të mbrojtur shtresat vulnerabël.

Në fakt, në ekonomi nuk ka taksa të larta, por rikthim të tyre jo të barasvlershëm. Për rektorin e Universitetit "Luarasi", e gjithë zgjidhja është në mençurinë e qeverisë për të ditur si të sillet me gjithë efektet që do të sjellë vendosja e TVSH në biznesin e vogël. Ishministri i Financave dhe një ndër profesorët më të mirë të ekonomisë në vend, sqaron efektet e menjëhershme dhe afatgjata të "taksës së re" dhe çfarë duhet të bëjë qeveria.

Zoti Malaj, qeveria ka iniciuar një debat ( edhe pse pa një draft konkret), përfshirjen e biznesit të vogël në skemën e TVSH. Duke ditur që TVSH, por edhe çdo taksë e tatim tjetër, në finale, paguhet nga konsumatori, çfarë ndikimi pritet të ketë kjo politikë fiskale në çmimin final, apo në fitimin e biznesit të vogël? Pra, sa do të preket konsumatori shqiptar nga zgjerimi i skemës së TVSH edhe në biznesin e vogël?

TVSH është tatim mbi konsumin, parimisht është mirë të paguhet nga të gjithë që të ketë më shumë të ardhura, të cilat kudo destinohen ( i) për kohezion social të shtresave që preken më rëndë nga politikat specifike, ( ii) për të ulur borxhin publik, ( iii) për të rritur shpenzimet dhe investimet në arsim, shëndetësi dhe prioritete të rëndësishme të vendit, në favor të përmirësimit të funksioneve dhe shërbimeve publike.

Por TVSH është një tatim jo i lehtë në administrim, sepse kërkon të pasqyrosh saktë dhe mundësisht në kohë reale TVSH në blerje dhe TVSH në shitje e t'i paguash shtetit duhet t'i paguash vetëm diferencën. Pra, n. q. s një biznes i vogël blen 120 lekë mall për shitje ku 100 lekë është vlera e mallit dhe 20 lekë TVSH, n. q. s ai e shet këtë mall 150 lekë dhe aplikon 20% TVSH, çmimi për konsumatorin është 180 lekë, ku TVSH është 30 lekë. Biznesi paguan TVSH vetëm 10 lekë, jo 30 lekë. Por n. q. s ai nuk mban kontabilitet të saktë, ai rrezikon të humbasë 20 lekë të TVSH në blerje, ose të rrisë mosraportimin e shitjeve të tij. Pavarësisht se raportimi i tyre në administratën tatimore do të bëhet jo një herë në muaj, por një herë në tre apo 6 muaj, evidentimi i saktë i dokumentacionit në blerje dhe shitje duhet të jetë i përditshëm.

Problemi qëndron se sa është numri i mallrave të ndryshme që duhet të blejë dhe shesë një biznes i vogël dhe sa e madhe dhe rëndë në kohë e në kosto financiare është pasqyrimi i saktë dhe i përditshëm i volumit të transaksioneve të shitblerjeve dhe efekteve të tyre e financiare??

Prandaj problemi kryesor nuk është efekti i pragut, por efekti i kostove të pasqyrimit saktë të kontabilitetit për TVSH.

Në kushtet kur qeveria synon të aplikojë pragun zero dhe numri i bizneseve të vogla që do të përfshihen në këtë sistem është shumë i madh, në kushtet kur qeveria synon që skema e re të funksionojë sa më mirë dhe në kohë relativisht të shkurtër, mund të kemi rritje të prirjeve për informalitet. Në kohë krize informaliteti u rrit edhe në vende europiane me administratë të konsoliduar.

Problemi i dytë, që është edhe në deklaratën e misionit të fundit të FMN- së, është reduktimi i përjashtimeve apo dhënies së statuseve preferenciale për biznese apo grup mallra të ndryshme. Kjo lehtëson rritjen e të ardhurave pa ndryshuar shpesh politikat fiskale, ndryshimi i të cilave dëmton rëndë çdo biznes nga ai individual te bizneset më të mëdha. Është provuar se sa më neutrale të jetë politika fiskale në vendimmarrjen e biznesit, aq më mirë mund të funksionojë ekonomia.

TVSH, duke qenë tatim mbi konsumin, sigurisht që rritja e saj ka efekte potenciale negative mbi shtresat e varfra të shoqërisë. Amortizimi i këtij impakti mbi këto grupe është një sfidë jo e lehtë, e cila synohet të realizohet me politika sociale në krahun e shpenzimeve apo nëpërmjet taksimit negativ. Por për të lehtësuar varfërinë e këtyre shtresave, nuk mund të përjashtohen në pagimin e TVSH pjesa tjetër e shoqërisë, ku këto luhatje të çmimeve prekin pak ose shumë pak të ardhurat e tyre të disponueshme.

Pra, duke paguar të gjithë tatim mbi konsumin, kemi më shumë të ardhura, të cilat duhen përdorur me mençuri;

( a) për të asistuar shtresat në nevojë dhe ky grup tani nuk është më 20% e popullsisë, por 40% të saj. ( Objektivat e Bankës Botërore kundër varfërisë dhe thellimit të pabarazisë apo politikat e kohezionit social të BE- së)

( b) për të konsoliduar stabilitetin e financave publike, sepse rritja me rritje borxhi të individëve, bizneseve dhe qeverisë konkludon me rritje varfëruese dhe

( c) për të mbështetur më mirë rritjen ekonomike të qëndrueshme dhe të drejtë që kërkon me shumë mbështetje edhe buxhetore, duke investuar më shumë dhe më me efektivitet në arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale, infrastrukturën dhe sidomos atë rurale.

Aktualisht sistemi fiskal shqiptar grumbullon pjesën dërrmuese të të ardhurave nga biznesi i madh, ndërkohë që pjesa dërrmuese e bizneseve janë të vogla. A mendoni se futja në skemën e TVSH të biznesit të vogël do të sjellë kosto të mëdha administrimi nga tatimet? Nga ana tjetër, biznesi i vogël, që preket direkt nga kjo taksë, ka numrin më të madh të të punësuarve, skema e re e TVSH mund të krijojë një rritje të papunësisë, më të madhe sesa të të ardhurave që mund të hidhen në ekonomi nga qeveria. A ekziston frika e një rreziku të tillë?

Në vazhdim të argumenteve të mësipërme mund të themi se nuk ka një sistem unik të TVSH në të gjitha vendet, e dyta se çdo vend ka specifikat e tij, e treta që në një ekonomi me informalitet të lartë, ku mungon konkurrenca reale dhe e ndershme midis bizneseve, çka do të mundësonte që rritja e TVSH të mos shkonte në rritje të çmimeve, por sidomos në moderimin e normave të fitimit dhe kjo sidomos për kompanitë e mëdha, ekziston rreziku që një politikë e re e TVSH, e cila është akoma jozyrtare dhe jo e qartë për versioni final, mund të sjellë përkohësisht disa nga këto pasoja negative.

Nuk gjendet në asnjë vend korrelacion i provuar me studime që po u rrit x për qind TVSH- ja e një malli apo shërbimi, do të rritet po X për qind çmimi i tij. E kundërta është e provuar, që masa e rritjes së çmimeve nga rritja e TVSH-së është më e vogël në ekonomitë ku informaliteti është i ulët dhe tregjet e mallrave dhe shërbimeve janë në konkurrencë dhe nuk janë prekur nga konkurrenca e pandershme dhe abuzive.

Reduktimi i këtyre risqeve në rritjen e çmimeve, falimentimin e bizneseve dhe rritjen e informalitetit dhe sidomos atij të punësimit, i cili kudo në botë rezulton dy herë më i madh se informaliteti në ekonomi, kërkon disa veprime konkrete të shpjeta, të qarta dhe plotësisht transparente.

1. Qartësimin e opsionit final të pragut të TVSH- së;

2. Prezantimin në mënyrë të argumentuar të efekteve pozitive dhe negative;

3. Planveprimi bazuar në politika

Në kushtet kur qeveria synon të aplikojë pragun zero dhe numri i bizneseve të vogla që do të përfshihen në këtë sistem është shumë i madh, në kushtet kur qeveria synon që skema e re të funksionojë sa më mirë dhe në kohë relativisht të shkurtër, mund të kemi rritje të prirjeve për informalitet. Në kohë krize, informaliteti u rrit edhe në vende europiane me administratë të konsoliduar

Arben Malaj

Dje nga protesta paqësore e biznesit në mbështetje të nismës së qeverisë për të luftuar informalitetin

Rektori i "Luarasi", Arben Malaj

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.