Pyetje publike për ministren Nikolla dhe një përgjigje për profesor Fugën

Panorama (Albania) - - FAQE 1 - DR. MANDETA MINXHOZI

Ministrja e Arsimit ka ko mpetencë ligjore të verifikojë paligjshmërinë në...

universitete dhe të shkarkojë drejtues, në rast konstatimi shkeljesh. Por ministrja Lindita Nikolla nuk e ka pasur me qejf ta finalizojë këtë kompetencë se, mesa duket, i ka dalë më mirë: ose të bëjë sehir në rastin më të mirë, ose në rastin më të keq të promovojë përgjegjësit për gjendjen skandaloze që është në Universitetin e Tiranës, si p. sh. ish- rektorin e Universitetit të Tiranës, për 8 vjet, Ervin Demo, duke e bërë zv. ministër të Arsimit, si shpërblim i dështimit të Universitetit të Tiranës në akreditim.

Duke qenë se ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, nuk u është përgjigjur disa denoncimeve të pedagogëve për abuzime në Universitetin e Tiranës, ndaj ish- drejtuesve të Universitetit të Tiranës, përfshirë këtu edhe ndaj ish zv. rektorit Ervin Demo, për abuzime financiare dhe dëme akademike që i ka sjellë Universitetit, evidentuar edhe në raportet negative për akreditimin e Universitetit të Tiranës, lidhur me linjën e Ervin Demos-kërkimin shkencor, duke qenë se në këtë shkrim përfaqësoj edhe interesat e një grupi pedagogësh, të cilët në mënyrë të përsëritur i kanë depozituar denoncime ministres, që në mandatin e parë të saj, atëherë edhe nuk mbetet gjë tjetër vetëm se, edhe në emër të këtij grupi denoncuesish, t’i drejtohen Nikollës pyetje publike: Znj. ministre! A është e vërtetë që ju, znj. ministre, keni urdhëruar për auditime kontrolli për paligjshmëritë në Universitetin e Tiranës dhe në Fakultetin e Shkencave Sociale, UT, viti akademik 2013- 2014, etj., dhe raportet finale i keni mbajtur në sirtar, të papublikuara? Nëse i keni publikuar na tregoni ku, e nëse nuk e keni publikuar, përse?! Kush ka përfituar nga kjo strategji? Universiteti, fakulteti, apo ish- zv. rektori Ervin Demo, që sot është i zgjedhuri juaj si zv. ministër Arsimi.

1. A është e vërtetë, znj. ministre, që ju keni pasur denoncime me shkrim në zyrën Tuaj, për abuzime me fondet e ekselencës, të rrjetit të studentëve ekselentë, në Universitetin e Tiranës, që drejtohej nga ishzv. rektor Ervin Demo, sot i zgjedhuri juaj si zv. ministër, dhe nuk keni vepruar? U janë dhënë bursa ekselente studentëve që kanë qenë me rezultate të dobëta dhe me provime të prapambetura. Me mosveprim edhe për këtë denoncim, kush ka përfituar? Ish- zëvendësrektori Ervin Demo, që sot është i zgjedhuri juaj si zv. ministër Arsimi? Nëse keni vepruar, ku gjendet përgjigjja?

2. A është e vërtetë znj. ministre, që nga Kryeministri u janë dërguar të paktën dy shkresa që të ndiqnit këto denoncime dhe t’u kthehej përgjigje pedagogëve, dhe ju përsëri nuk vepruat? Me këtë strategji, kush ka përfituar, ish-zv. rektori Ervin Demo, që sot është i zgjedhuri juaj si zv. ministër Arsimi? Se, meqenëse ju nuk pyesni as për Kryeministrin dhe nuk e vini ujin në zjarr as për porositë e tij, jofitimprurëse, atëherë vajmedet se çfarë bëhet me popullin e thjeshtë. Po Kryeministri Edi Rama i di këto, që nuk ia keni fërshëllyer për të kryer veprimet zyrtare, sipas porosisë së tij? Apo i ke thënë, varja... se janë ca pedagogë “të çmendur” që denoncojnë korrupsionin dhe abuzimet në Universitetin e Tiranës, mos të merremi me ta...

3. A është e vërtetë, znj. ministre, që ju keni pasur denoncime për paligjshmëritë dhe cilësi të dobët në kërkimin shkencor në Universitetin e Tiranës, vërtetuar edhe nga raporti i Agjencisë Britanike për akreditimin, dhe ju jo vetëm që nuk keni vepruar e kthyer përgjigje por, përkundrazi, ish- zv. rektorin Ervin Demo, që mbulonte kërkimin shkencor në Universitetin e Tiranës, e keni sot në krah Tuaj si zv. ministër.

4. A është e vërtetë, znj. ministre, që ju keni pasur denoncime, që vajza pedagoge e ish- dekanit të Fakultetit të Shkencave Sociale, S. Karaj, ka marrë me vite rrogën duke mos qenë në punë, por jashtë shtetit, për arsye private dhe ju nuk keni vepruar? Kush ka përfituar nga ky mosveprim apo keqveprim i juaji?

5. A është e vërtetë, znj. ministre, që keni pasur denoncime, që pedagoge të Fakultetit të Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës ( të paktën dy pedagoge që janë denoncuar me fakte), janë paguar me javë e muaj me raporte mjekësore false e të parregullta, të verifikuara si të tilla nga Ministria e Shëndetësisë, dhe ju nuk keni vepruar? Këtu ka pësuar dëm ekonomik edhe shteti, përveçse Fakulteti e studentët, që u lanë me javë të tëra pa bërë mësim. Kush ka përfituar nga ky mosveprim apo keqveprim i juaji?

6. A është e vërtetë, znj. ministre, që ju keni pasur denoncime për abuzimet me pagesat e doktoraturave, ku disa profesorë kanë marrë paradhënie pagesa të udhëheqjeve të doktoraturave, pa mbaruar kandidati temën e doktoraturës, ose edhe i ka lënë studimet doktorale, dhe këta kanë përfituar pagesat? Po që ka udhëhequr nga 20- 30 doktoratura njëkohësisht brenda një viti një profesor, dhe ka përfituar pagesa nga 20- 30 milionë lekë në vit vetëm nga udhëheqjet një profesor në Fakultetin e Shkencave Sociale, kur ligji lejon të udhëheqë një profesor vetëm tre doktoratura njëkohësisht? Kush ka përfituar nga ky mosveprim apo keqveprim i juaji?

7. A është e vërtetë që ju keni pasur denoncime, që në Fakultetin e Shkencave Sociale kanë marrë tituj pedagogë pa arsim përkatës, jashtë profili, dhe që vazhdojnë ende në detyrë? P. sh., në Departamentin e Psikologjisë dhe Punëve Sociale, pedagogë që kanë marrë tituj docentë e profesorë në Psikologji e Punë Sociale, me diplomë Rusisht, Gjuhë- Letërsi, Edukim fizik ( fizkulturë), të cilët janë konvertuar në psikologë me një kurs 6- mujor për Pedagogji- Psikologji në Elbasan në vitet ’ 90; nuk kanë punime doktorature, as monografira, dhe që ju znj. Nikolla keni larguar mësues në fshatra si pa arsim përkatës, ndërkohë keni pa arsim përkatës në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave Sociale. Kush ka përfituar nga ky mosveprim apo keqveprim i juaji?

8. A është e vërtetë që ju kanë denoncuar faktin që nuk bëhej transparenca financiare në Universitetin e Tiranës nga ish- rektori i UT- së dhe që ju nuk keni reaguar? Që kjo transparencë duhet të bëhet një herë në vit sipas Ligjit të Arsimit të Lartë? Drejtuesit e UT- së janë sjellë më privatë sesa universitetet private, të cilat ndiejnë gjithmonë risk se mos dështojnë financiarisht, ndërsa çifligarët e Universitetit të Tiranës, me paratë publike, përfitojnë privatisht, pa asnjë risk financiar. Kush është më me sjellje privati kështu, universiteti privat apo publik? Kush ka përfituar nga ky mosveprim apo keqveprim i juaji?

9. A mund t’i bëni publike kriteret Tuaja për përzgjedhjen e ish- zv. rektorit Ervin Demo si zv. ministër i Arsimit, ndërkohë që është bashkëpërgjegjës me ish- rektorin e UT për gjendjen mjerane që e nxori raporti i kompanisë britanike për akreditimin Universitetin e Tiranës? Kush ka përfituar nga ky veprim i juaji?

10. A jeni ju, znj. ministre, në konflikt interesi me pozicionin e bashkëshortit Tuaj, si dekan fakulteti, kur ndërkohë ju, sipas Ligjit të Arsimit të Lartë, kontrolloni paligjshmëritë e fakulteteve, dhe në rast shkeljesh shkarkoni dekanët? A keni bërë ju kontrolle në Fakultetin ku drejton bashkëshorti juaj?

11. Po në procesin e Shullazit, përse e përlyet emrin Tuaj dhe ishit shqetësuar aq shumë? Pse nuk i latë organet e Policisë, Prokurorisë të bënin punën e tyre hetimore, mbi bazën e denoncimit mediatik të Berishës, por vrapove personalisht te Saimir Tahiri, Haki Çako etj.? Pse nuk vrapove te Berisha ta sqaroje gjendjen emocionale, t’i shkoje dhe t’i uleshe afër, sikurse e bërë njëherë në sallën e Parlamentit, që pasi të bëri replikë të fortë Berisha, në vend që të replikoje me të, vajte dhe iu ule ngjitur, dhe bisedoje me të. Se sa për veprimet ligjore nuk ka pasur nevojë për ju, se ju as nuk keni qenë objekt hetimi, as kërcënimi. Dhe kultura juaj juridike, e di aq besoj, se kur ka një denoncim publik për kërcënim apo kanosje, hetimi fillon kryesisht, pa pasur nevojë për telefonata nga ministrja e Arsimit. Nëse keni pasur kaq emocion, pse nuk emocionoheni kur ju vijnë në zyrë njerëz dhe denoncojnë raste abuzive e korrupsioni? Po kur ka pasur presione e kërcënime ndaj pedagogëve dhe që të janë ankuar, pse nuk je shqetësuar dhe të kesh vrapuar te ministri i Brendshëm, drejtori i Policisë etj.? Po kur ke pasur denoncime për falsifikime, abuzime financiare etj. në Universitetin e Tiranës, përse nuk ke vrapuar te Saimir Tahiri? Kush ka përfituar nga kjo strategji?

12. A është e vërtetë që pasi një grup pedagogësh të Universitetit të Tiranës depozituan dhe bënë takim me Ju, për të denoncuar abuzimet në Universitetin e Tiranës, jo vetëm që nuk u ktheve përgjigje, por lejove që abuzuesit drejtues të Universitetit të merrnin masa administrative ndaj pedagogëve që denoncuan te ju në grup, pakë ditë pasi ishin në zyrën tuaj, dhe depozituan me shkrim denoncimet ndaj abuzimeve në Universitetin e Tiranës. Kush ka përfituar nga kjo strategji?

13. A ke shfaqur ndonjë shqetësim publik, apo me shkresë, drejtuar ILDKPKI- së, për pasuritë marramendëse të rektorëve, që janë publikuar në media?

14. A ke qenë e sinqertë dhe e përgjegjshme me Kryeministrin Edi Rama, a ia ke transmetuar të gjitha shqetësimet që janë denoncuar në zyrën tuaj nga pedagogët, apo ia ke fshehur këto fakte? Që të sqarojmë një herë e mirë atë tip pyetje që bënte populli i shkretë në kohën e diktaturës... A i di këto gjëra xhaxhi Enveri? Jo, jo, thoshin të shkretët nga frika, nuk i di Enveri këto, nuk ia tregon Lenka Çuko.... Por sot, moj zonja Ministre, nuk ka më frikë pedagogu i vërtetë të shprehet as nga ju, as nga Kryeministri, me gjithë hakmarrjet ndaj denoncimeve, se zyra juaj nuk është Zeusi, pasi drejtësinë që nuk e keni dhënë kurrë ju, e kemi gjetur në Gjykatë, me gjyqtarë të nderuar, që sot i kanë vënë në fokus për pasuritë e tyre, por që një pjesë e tyre janë shumë më pak të pasur se ju, se rektorët, se ish zv. rektori, sot zv. ministri yt Ervin Demo, që aq i ri është pronar i një restoranti super të shtrenjtë në Tiranë. Këta drejtues që ju i keni marrë në mbrojtje permanente, duhej t’u kishte filluar të parëve vetingu. Duhej të kishte filluar vetingu nga privatizuesit de facto të universiteteve publike, me pasuritë marramendëse që posedojnë. Por, në fakt, ju kur shpreheni para kamerave për ndonjë gjë që as vetë nuk e besoni, përdorni një shprehje karakteristike Tuajën në ligjërim publik: “Duke të parë sy në sy po të them....”, dhe në fakt ju duke të parë sy në sy, nuk thoni të vërtetën znj. ministre, Lindita Nikolla! Madje edhe duke të thënë shpirt e zemër...

Përgjigje publike konsiderohet që ju znj. ministre ta jepni para publikut, në gazetë apo media vizive, para taksapaguesve shqiptarë, prindër, pedagogë, mësues, studentë, nxënës, etj.

Dhe përgjigjja ndaj pyetjes që shtronte profesor Artan Fuga, ndaj Kryeministrit Edi Rama, nëse Kryeministri i di dëmet ndaj Universitetit të ish- rektorit, sot i emëruari prej tij, zv. ministër Ervin Demo, në shkrimin e publikuar me titull: “Absurdi i një ligji, absurdi i një akreditimi, dhe absurdi ... i një emërimi”, unë ju përgjigjem profesor Fuga, me përgjegjësi, duke e provuar me fakte nëse është e nevojshme, që po...., Edi Rama i di bëmat e Ervin Demos. Por nëse e do fort ministrja Nikolla, ta ketë në krah në Ministri këtë Ervin Demon, ç’të bëjë Edi Rama, të konfliktohet me ministren Lindita për Ervin Demon? Ia vlen për Ervin Demon? Kanë gjëra më të mëdha për të bërë ...

A është e vërtetë, znj. ministre, që ju keni pasur denoncime me shkrim në zyrën Tuaj, për abuzime me fondet e ekselencës, të rrjetit të studentëve ekselentë, në Universitetin e Tiranës, që drejtohej nga ishzv. rektor Ervin Demo, sot i zgjedhuri juaj si zv. ministër, dhe nuk keni vepruar? U janë dhënë bursa ekselente studentëve që kanë qenë me rezultate të dobëta dhe me provime të prapambetura

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.