A do të reflektojë elektorati shqiptar?

Panorama (Albania) - - FAQE 1 - LEONIDHA MËRTIRI

Këtë të diel në Shkup dhe në tetëdhjetë e dy...

komuna të Maqedonisë zhvillohen zgjedhjet lokale. Dy javë më vonë do të jetë raundi i dytë i tyre. Këto janë zgjedhjet e para, pas shumë peripecive për krijimin e qeverisë së sotme. Janë në të vërtetë njëfarë barometri, në radhë të parë për dy partitë kryesore maqedonase: A do ta thellojnë diferencën Lidhja Social Demokrate ( LSDM) e Zoran Zaev dhe VMRO-DPMNE e ishkryeministrit Nikolla Gruevski, të cilat në zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar, kishin pothuajse rezultat të njëjtë? Dy deputetë më shumë kishte kjo e fundit, por me dhjetë deputetë më pak në krahasim me zgjedhjet e kaluara? Apo do të ndodhë e kundërta? Partia e Zaevit dhe qeveria që drejton aktualisht janë para një testi jo të vogël. Sidomos kjo për qeverinë, e cila, pavarësisht të fare pak muajve jetë të saj, sa elektoratit i është forcuar besimi tek ajo gjatë kësaj periudhe. Edhe retorika e Gruevskit, për ironi, gjatë këtyre ditëve ka ardhur me tone të tjera, ku hipokrizia u shtron udhën fjalimeve që kërkojnë të tërheqin vëmendjen, sidomos për të drejtat themelore të shqiptarëve. Tablo të njohura këto në periudha zgjedhjesh. Të dyja partitë- në garë, me synimin për të fituar votat e tyre, paçka që, kur e ka dashur puna, shqiptarët janë parë dhe si armiq nga krerët nacionalistë dhe autoritaristë të ish- partive në pushtet.

Pyetja tjetër: Do të rritet numri i të zgjedhurve nga radhët e shqiptarëve në organet e pushtetit lokal apo do të ulet më tej? Një pyetje normale kjo, kur e sheh në kontekstin e zgjedhjeve të fundit parlamentare, ku votat e shqiptarëve për partitë e veta firuan jo pak. Parlamenti i sotëm ka njëzet deputetë që përfaqësojnë partitë shqiptare. Bashkimi Demokratik për Integrim humbi nëntë deputetë, Partia Demokratike Shqiptare përfaqësohet vetëm me dy deputetë nga shtatë që kishte më parë, duke e bërë konkret zhgënjimin e zgjedhësve të tyre. Është kjo arsyeja që mbi shtatëdhjetë mijë vota të shqiptarëve kaluan gjithashtu për ish- opozitën e Zaevit. A do të kalojnë ato përsëri për Lidhjen Social Demokrate Maqedonase apo dhe për VMRO-DPMNE- në? Asgjë të keqe nuk do të kishte ky veprim, nëse këto parti do të bënin të kundërtën e atyre që kanë bërë. Për fat të keq, vetë ato janë provuar historikisht për qëndrimet ndaj shqiptarëve, për sforcimin, sikurse i kanë konsideruar, të “lëshimeve” që u janë bërë në saje të presioneve të ndërkombëtarëve, pa hequr dorë nga diskriminimi i tyre. Edhe pardje, në mitingun e koalicionit “Për jetë në Maqedoni” në Gazi Babë, Zaev kërkoi mbështetjen e qytetarëve të kësaj komune, me shumicë shqiptare, përsëriti rrëzimin e regjimit komunal, me njerëz të Gruevskit, duke shfrytëzuar pakënaqësinë e njerëzve ndaj tij, ku sipas një ankete të këtyre ditëve të Institutit Republikan Ndërkombëtar, 69 për qind e qytetarëve kërkojnë ndryshimin e këtij pushteti. Është kjo arsyeja që nuk janë kursyer akuzat për të, duke u parë si i tillë, që ka mbisunduar dhe nuk ka bërë asgjë dhe se koha e politikanëve që i ndanin komunitetet në baza etnike dhe fetare, ka marrë fund. Sikundër shihet, retorika e tyre përfundon me “happy end”, se “do të sjellin jetë për të gjithë dhe ku të gjithë do të jenë të barabartë”.

Por shqiptarët janë mësuar me natyrën e këtyre premtimeve, me ngarkesa propagandistike, sidomos në kohë të tilla, të cilat shpesh janë kthyer në qëndrime diskriminuese ndaj tyre. Faktori shqiptar ka luajtur dhe luan një rol kyç në ekzistencën e shtetit maqedonas. Si i tillë, nuk mund të vazhdohet me dy kute në të drejtat, barazinë që ai duhet të ketë me maqedonasit. Shqiptarët janë të interesuar për stabilitetin e Maqedonisë, për një demokraci reale dhe solide, ku të gjithë shtetasit të jenë të barabartë dhe ku konfliktet të mos u fryjnë marrëdhënieve mes tyre. Partitë shqiptare BDI, Besa dhe Aleanca për Shqiptarët, pas zgjedhjeve parlamentare mbështetën Zaevin për krijimin e qeverisë së re, që kriza të mos bëhej edhe më tërkuzë në Maqedoni, që parimet demokratike, sundimi i së drejtës të zotërojnë në jetën e vendit, që shqiptarët të mos shihen ende si qytetarë të dorës së dytë. Sepse pozita e tyre ka shumë nevojë për progres.

Një çështje e rëndësishme për elektoratin shqiptar në Maqedoni, që duket dhe gjatë këtyre ditëve, në prag të ditës së zgjedhjeve lokale, mbetet reflektimi serioz dhe jo thjesht me fjalë në qëndrimet brenda tij. Zhgënjimi, mëria ndaj drejtuesve të partive shqiptare, që u shpreh me të drejtë me votë, mbi dhjetë muaj më parë, nuk mund të vazhdojë dhe në ditën e pasnesërme të votimit. Mësimi u dha. Vota për përfaqësuesit e tyre realë nuk mund të shkojë gjetkë. Ajo i shërben në fund të fundit, konsolidimit të faktorit shqiptar në përgjithësi, në organet komunale, por edhe më tej.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.