SHOQATA E BIZNESIT TË VOGËL: 60% DO FALIMENTOJNË, ÇMIMET DO RRITEN NGA 1 JANARI

Panorama (Albania) - - EKONOMI -

Kryetari i shoqatës për biznesin e vogël dhe të mesëm, Albert Nasto, i kontaktuar nga gazeta, pohon se ky marshim është një antimiting, kur biznesi po informohet për efektet negative që do të sjellë skema e TVSH- së. Kryetari i shoqatës, Nasto, pohon se heqja e pragut të TVSH- së do të falimentojë 60 për qind të biznesit të vogël dhe nga 1 janari 2018, do të rrisë çmimet e mallrave. Nasto paralajmëron protesta për mosaplikimin e skemës. “Biznesi i madh të mos merret me ne, por me evazionin që kryen vetë, dhe ata hidhen kundër nesh e kjo është një kundërvënie, antimiting, është një turp. Mua më duken qesharake dhe pa vend, ata vetë nuk na kanë dhënë faturat tatimore. Ne jemi kundër skemës së TVSH- së, sepse është në kundërshtim me skemën që përdorin vendet europiane. Mesatarja e pragut të TVSH- së është deri në 50 mijë euro pa TVSH, duke përfshirë edhe lehtësira. Kjo skemë është kundërshtuar edhe nga FMN- ja. Me përfshirjen e biznesit të vogël në TVSH, çmimet do të rriten që më 1 janar, do të bjerë fuqia blerëse dhe mbi 60 për qind e bizneseve do të falimentojnë. Biznesi nuk ka mundësi të pajtojë një financiar, të paguajë taksat e bashkisë, pra kjo është një klimë e papërshtatshme për biznesin. Nuk do ta pranojmë skemën dhe pasi të sqarojmë biznesin, do të dalim në protestë, duke mbyllur punën për 1 orë dhe më pas duke e përshkallëzuar me mbyllje të punës 1 ditë apo 5 ditë”, u shpreh Nasto.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.