Vrasja e Çollakut, polici: Nuk pashë gjak në makinë

Avokatët e Shtrazës kërkojnë ndryshimin e trupës gjykuese

Panorama (Albania) - - AKTUALITET - ERALD DELIU

Ka marrë një tjetër rrjedhë procesi gjyqësor ndaj Denis Shtrazës, i akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut në janar të vitit 2016 në Durrës.

Në seancën e djeshme te Krimet e Rënda, dëshmoi oficeri i Policisë, Reshat Tushi. Ai punon në pikën ku grumbullohen mjetet e bllokuara në Rrashbull. Edhe pse i thirrur nga Prokuroria në gjyq, Tushi nuk e ndihmoi aspak këtë të fundit, duke dhënë një dëshmi që i shkon më për shtat mbrojtjes. I gjithë debati në gjyq seancat e fundit është zhvendosur në mjetin e Ervin Dalipajt, me të cilin dyshohet se është rrëmbyer dhe vrarë Gaz Çollaku. Mjeti tip "Mercedes ML", i zi, është sekuestruar fillimisht nga Policia dhe pas tri javësh është dërguar në Rrashbull, ndërkohë që Shtraza dhe Dalipaj u vunë nën akuzë. Sipas Prokurorisë, kalendari me njolla gjaku i gjetur në bagazhin e mjetit është konstatuar tri javë pas sekuestrimit të mjetit, teksa ai dërgohej në Rrashbull. Mirëpo, Tushi tha dje në gjykatë se ai nuk ka parë asnjë njollë gjaku në mjet dhe as kalendar. Ai tregoi se tre oficerët që sollën mjetin, e tërhoqën atë mbrapsht, pa nisur procesverbali.

DËSHMIA

"Makinën e kanë sjellë oficerët Albert Hoxha, Rebani Farruku dhe Lorenc Dervishi. Unë duhet të bëja procesverbalin e sendeve të mjetit, teksa ata e kontrollonin. Mirëpo, pa nisur procesverbali, ata më thanë se mjetin do ta merrnin mbrapsht dhe se nuk do ta dorëzonin në pikën e sekuestrimit. Unë nuk pashë gjë se çfarë kishte në bagazhin e pasmë dhe nuk e mora vesh se përse u tërhoq mjeti mbrapsht. Ai nuk erdhi më aty dhe unë nuk e di se ku e çuan", kjo ka qenë dëshmia e Reshat Tushit, punonjësit të Policisë në pikën e Rrashbullit ku mbahen mjetet e bllokuara. Pikërisht dëshmia e tij përforcon zërat e mbrojtjes se provat janë manipuluar dhe se në mjet nuk ka pasur asnjë njollë gjaku, por ato janë vendosur pas sekuestrimit.

KËRKESA

Në seancën e djeshme pati edhe një debat mes avokatëve mbrojtës dhe prokurorit, teksa pyetej oficeri i Policisë. Mbrojtja kishte pretendimet e veta se dëshmitarit po u sugjeroheshin përgjigjet nga ana e prokurorit. Pas përfundimit të dëshmisë së oficerit, në seancë u thirr edhe një vajzë, e cila ka një alibi të fortë për Shtrazën dhe Dalipajn, se në ditën kur ndodhi ngjarja kanë qenë me të. Dëshmia u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa pas saj avokatët mbrojtës kërkuan ndryshimin e trupës gjykuese, duke akuzuar kryesuesin si të njëanshëm në proces.

Denis Shtraza në Gjykatë

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.