KLD nis verifikimet për gjyqtarin që liroi trafikantin

Panorama (Albania) - - AKTUALITET -

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka nisur verifikimet për gjyqtarin e Gjykatës së Vlorës, Arqile Bashon, i cili me një vendim të dyshimtë ka liruar trafikantin e drogës së sekuestruar në Llakatund të Vlorës në muajin korrik të këtij viti. Bëhet fjalë për lirimin e të dyshuarit Rakip Arapaj, i cili akuzohet për prodhimin e 5 tonëve të hashashit. Mësohet se Arapaj është liruar nga Gjykata e Vlorës ditë më parë. Në një njoftim për mediat, KLD shkruan se ka ndjekur me vëmendje raportimet e fundit të mediave dhe se ka nisur verifikimet. "Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka ndjekur me vëmendje informacionet e transmetuara në median e shkruar dhe vizive mbi lirimin nga paraburgimi të shtetasit R. A të hetuar, në masë sigurie arrest me burg, për mbi 5 tonë lëndë narkotike në fshatin Llakatund, Vlorë, duke theksuar se vendimi gjyqësor për lirimin e tij, dhënë nga gjyqtari A. B. i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka probleme serioze me ligjin", shkruan njoftimi. "Në këto kushte, pasi u shqyrtuan paraprakisht të dhënat e transmetuara në media, si dhe kuadri ligjor në fuqi, konkretisht dispozitat e ligjit nr. 96/ 2016, "Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në RSH", është çmuar se ka vend për verifikimin e rastit në fjalë. Inspektorati i KLDsë ka filluar verifikimin për mbledhjen e të gjitha provave të nevojshme që hedhin dritë mbi faktet e ekspozuara në ankesën publike, duke i kërkuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë paraqitjen e të gjitha vendimeve dhe procesverbaleve mbi procesin gjyqësor të zhvilluar ndaj të pandehurit R. A. lidhur me caktimin e masës së sigurimit ' arrest në burg' dhe lidhur me lirimin e tij nga paraburgimi", shkruan më tej deklarata.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.