Krimi në familje, nipi plagos me thikë gjyshin e gjyshen

Autori shkoi te polici i bankës: I kam vrarë, njofto Policinë

Panorama (Albania) - - AKTUALITET -

Një krim i rëndë në familje ndodhi mesditën e djeshme në zonën e “Freskut” në Tiranë, ku nipi 19vjeçar plagosi me thikë gjyshin e gjyshen.

Fatmirësisht dy të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Policia arrestoi autorin e dyshuar të ngjarjes, Beniamin Kaso. Të plagosurit janë Hajrie Agaj, 70 vjeçe, dhe Shaban Agaj, 80 vjeç, prindërit e nënës së autorit të ngjarjes. Policia tha se dy të moshuarit ndodhen nën kujdesin e mjekëve në spital, jashtë rrezikut për jetën. Por më e rëndë duket gjendja shëndetësore e 70- vjeçares, e cila, duke tentuar të kërkojë ndihmë, ka zbritur në këmbë shkallët e pallatit duke dalë në rrugë e gjakosur, deri para një banke të nivelit të dytë përballë pallatit ku banon. Megjithatë, burimet thanë se fatmirësisht të moshuarve nuk u janë dëmtuar organet nga goditjet me thikë. Policia ende nuk e ka marrë dëshminë e çiftit të plagosur, deri në përmirësimin e gjendjes shëndetësore. Ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes, 19- vjeçari Beniamin Kaso, ka pranuar krimin, duke thënë se gjithçka ka ndodhur pasi gjyshërit e shanin vazhdimisht dhe ai është ndjerë i fyer.

NGJARJA I riu që plagosi dje me thikë gjyshen e gjyshin, sipas Policisë njihet si person problematik në zonë, kryesisht për shkak të përdorimit të lëndëve narkotike. Madje, burimet thanë se nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë qenë nën efektin e drogës, kur ka goditur me thikë prindërit e nënës së tij. Beniamin Kaso jetonte me të ëmën, që pas divorcit të prindërve të tij, por herë pas here shkonte edhe te gjyshërit, që jetonin në të njëjtën lagje me të, te rruga “Muhamet Deliu”, ku ndodhi ngjarja. Rreth orës 13: 00 ai ka debatuar ashpër me gjyshërit në apartamentin ku ata banonin, debat që është dëgjuar edhe nga fqinjët. Më pas i ka goditur të dy me thikë dhe ka dalë me shpejtësi nga shtëpia, duke u kërkuar disa personave që të lajmëronin Policinë.

ARRESTIMI Ka qenë polici privat i një banke të nivelit të dytë, përballë pallatit ku ndodhi ngjarja, ai që ka bërë neutralizimin e autorit të ngjarjes. Vetë 19vjeçari, pasi ka plagosur gjy- shërit, ka dalë në rrugë dhe i është afruar policit privat. “Kam vrarë gjyshin e gjyshen. Njofto Policinë”, i ka thënë autori policit. Ky i fundit i ka kërkuar që të qetësohet, duke e futur brenda në bankë dhe e ka mbyllur derën me çelës nga jashtë, në mënyrë që ai të mos largohej. Më pas ka lajmëruar Policinë, që u ka thënë se brenda në bankë kishte izoluar një person që pretendonte se ka kryer vrasje. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Komisariatit nr. 4, që bënë arrestimin e autorit të ngjarjes.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.