Kapet grupi i laçianëve, vodhën 13 makina luksoze

Policia: Tre të arrestuarit, grup i strukturuar kriminal

Panorama (Albania) - - AKTUALITET -

Tre të rinj nga Laçi janë arrestuar dje nga Policia e Tiranës, të dyshuar për vjedhjen e 13 makinave luksoze në kryeqytet dhe në Durrës.

Policia tha se goditi një grup të strukturuar kriminal që vidhte automjete, të cilëve iu gjetën edhe armë zjarri, si dhe aparatura të posaçme për çkodimin e një çelësi universal makinash. Të arrestuarit janë Leonard Isufi ( Noka), 28 vjeç, Izmir Çelmeta ( Seli), 25 vjeç, dhe Gazmir Seli, 33 vjeç. Arrestimi i tyre u krye gjatë një operacioni të koduar "Riprogramuesit", që u krye nga shërbimet e krimeve të Komisariatit nr. 3. Burimet thanë se rreth orës 01: 00 pas mesnate, në vendin e njohur si "Foto Janku", shërbimet e Policisë kanë konstatuar Izmir Çelmetën dhe Leonard Isufin duke tentuar të vjedhin me thyerje automjetin tip "BMW Seria 3", në pronësi të shtetasit A. K. Gjatë kontrollit fizik në momentin e kapjes atyre iu është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një kaçavidë, një sharrë hekuri, një pult automjeti tip "BMW", një aparat elektronik "EDILOCK", i cili dyshohet se shërben për çkodimin e çelësit të kuadrit të automjeteve, si dhe një çip elektronik çkodimi. Nga veprimet he- timore është mësuar se këta dy shtetas, pasi bënin hapjen e automjeteve, përdornin aparatin elektronik "EDILOCK" për të bërë çkodimin e një çelësi universal me qëllim arritjen e ndezjes së automjetit. Gjithashtu gjatë kontrollit të banesës së shtetasve Izmir Çelmeta dhe Gazmir Seli ( vëllezër), janë gjetur edhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale tri armë zjarri, automatik, armë gjahu e pistoletë, si dhe disa targa automjetesh që dyshohet se i kanë vjedhur. Policia tha se tre personat e arrestuar dyshohen të jenë autorë të ngjarjeve të ndryshme të ndodhura në vende dhe kohë të ndryshme në juridiksionin e qytetit të Tiranës e të Durrësit, konkretisht të vjedhjes së 8 makinave në territorin e Komisariatit nr. 3, një në territorin e Komisariatit nr. 6, dy në Golem dhe dy në Durrës.

Provat e sekuestruara

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.