Kërkohet për terrorizëm, turku kapet në Durrës me pasaportë false

Panorama (Albania) - - AKTUALITET -

DURRES - Kërkohet për terrorizëm në Turqi, arrestohet në Portin e Durrësit turku. Një shtetas turk, bashkë me gruan dhe fëmijët është ndaluar nga autoritetet e kufirit në Durrës, pasi po tentonte të udhëtonte drejt Italisë me pasaportë false. Muhammed Aydogmus, 39 vjeç, banues në Turqi, u ndalua më 8 tetor gjatë kontrollit të dokumenteve personale. Fillimisht ndaj familjes turke nisi procedimi penal në gjendje të lirë pasi së bashku me dy fëmijët e tyre kanë tentuar të kalojnë kufirin me pasaporta, të cilat dyshohej se ishin të falsifikuara. Sipas Policisë, pas hetimeve të kryera në bashkëpunim më Zyrën e Interpolit Tiranë, u evidentua se shtetasi turk, Muhammed Aydogmus, ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për organizatë terroriste dhe kërkohej nga Gjykata e Lartë Kriminale turke. Specialistët për Hetimin e Krimeve bënë arrestimin e përkohshëm të tij, duke kryer të gjitha procedurat e duhura ligjore me qëllim ekstradimin drejt Turqisë. Arrestimi erdhi pasi fillimisht Gjykata e Durrësit vendoi si masë sigurie për bashkëshorten e tij hetim në gjendje të lirë, ndërsa për 38- vjeçarin detyrim paraqitje dhe garanci pasurore. Por, pas hetimeve të kryera në bashkëpunim me Zyrën e Interpolit Tiranë u vendos për ndryshimin e masës së sigurisë në arrest me burg. Sipas burimeve nga Policia, Aydogmus ishte larguar në Turqia për t'iu shmangur drejtësisë, e cila e kishte shpallur në kërkim. I kërkuari për terrorizëm do të mbahet përkohësisht i arrestuar deri në përfundim të procedurave ligjore për ekstradimin e tij drejt Turqisë. Çështja i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme. l. m.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.