XHEVAHIR SUKAJ

Panorama (Albania) - - SPORT - TIRANE

Skënderbeu nis arratinë në krye të tabelës së klasifikimit, pas një fitoreje jo shumë të lehtë ndaj Laçit në shtëpi.

Të besuarit e trajnerit Daja dukshëm nuk kanë qenë në 100 përqindëshin e tyre në takimin e djeshëm, ndoshta edhe për shkak të ndonjë nënvlerësimi kundrejt kurbinasve, të cilët i vunë jo pak në vështirësi. Megjithatë, në fund të 90 minutave, korçarët siguruan tri pikë me një Shehi në superformë që priti 11metërsh dhe, pas pesë javëve të para në kampionat, kryesojnë të vetëm tabelën e klasifikimit.

TEUTA- PARTIZANI

Teuta i bën të gjitha ndaj Partizanit: shënon e para, shpërdoron një penallti, i anulohen dy gola, dy lojtarë i ndëshkohen me kartonë të kuq. Rezultantja e të gjitha këtyre bëjnë që Partizani të largohet me një dhuratë nga "Niko Dovana". Të kuqtë e trajnerit Iuliano nuk kanë bindur aspak, ndonëse fituan dhe skuqën Durrësin. Për momentin, rëndësi ka gjetja e golave dhe shijimi i fitores së parë në kampionat. Teuta ishte dominuese, kryesisht në pjesën e parë, por goli i shënuar nga Trashi në fund të kësaj pjese e shtoi besimin te "demat", të cilët arritën ta përmbysin disavantazhin me penalltinë e realizuar nga Sukaj. Partizani ka thyer makthin e golave dhe fitores, por ka rikuperuar vetëm një vend, duke lënë Lushnjën në fund të tabelës. Gjithsesi, "demat" janë larguar nga Durrësi me premtimin se, pas kësaj ndeshjeje, do të shikohet Partizani i vërtetë.

VLLAZNIA- FLAMURTARI

Ka kaluar 1 muaj nga ndeshja e parë e kampionatit dhe e fundit kur Vllaznia ka arritur të fitojë. Shumë pak për një ekip që të paktën pretendon të mos përsërisë katastrofën e një viti më parë. Triumfi me Lushnjën bëri me krahë Cungun dhe të tijtë, por tani kanë zbritur mirë me këmbë në tokë, madje janë zhytur në krizë. Problemet financiare, mungesa e një sulmuesi për të shtyrë topin në rrjetë, por pse jo edhe forca në mbrojtje e Flamurtarit bënë që dje të largoheshin më të kënaqur vlonjatët me 1 pikë nga Shkodra. Mund të jetë barazim me shije të hidhur për kuqeblutë që kërkuan më me ngulm golin, por nuk ia dolën të merrnin 3 pikë. Ndoshta mund të ishte edhe humbje, në rast se gjyqtari Sokoli nuk do të akordonte 11- metërsh një faull që ishte jashtë zone. Fillimisht Bushiç kaloi në avantazh Flamurtarin, ndërsa Gocaj barazoi shifrat nga pika e bardhë. Gjithçka ndodhi në pjesën e parë, sepse e dyta ishte thjesht për statistikë.

LUSHNJA- KUKËSI

Në qytetin e Lushnjës u luajt një nga sfidat e javës së 5- të, mes Lushnjës dhe Kukësit. Në stadiumin "Roza Haxhiu", për herë të parë në qytetin e saj, pas rikonstruksionit të stadiumit, vendasit gjenden të parafundit në renditje, me vetëm 2 pikë, ndërsa veriorët me tri pikët e marra shkojnë në kuotën e 7 pikëve. Një ndeshje ku vendasit kanë qenë thuajse të barabartë me kampionët në fuqi në start të takimit. Tri pretendime për penallti të padhëna për Lushnjën dhe një karton i kuq për portierin Spaho në minutën e 47- të kanë ndikuar mjaftueshëm. Jo vetëm kaq, por edhe dy zëvendësime të detyrueshme që në pjesën e parë kanë diktuar ndeshjen për verdhëjeshilët. Gori me një goditje nga jashtë zonës ka hapur serinë e golave dhe 60 sekonda më vonë është Alijev që dyfishon. Papa ka tentuar disa herë për vendasit, ndërkohë që Sefa ka shpërdoruar shumë.

LUFTËTARI- KAMZA

"Dramë" në Gjirokastër. Luftëtari dhe Kamza prodhojnë një prej ndeshjeve më të bukura të javës. Emocione, gola, kartonë të kuq, sherr mes shokësh dhe një gabim amatoresk i portierit Festim Miraka që i kushton humbjen skuadrës gjirokastrite. Bluzinjtë munden 2- 1 në fushën e tyre, ku Stevan Raçiç shënon dopietë dhe i jep Kamzës fitoren e parë në këtë sezon. Sulmuesi Xhevahir Sukaj, i cili shënoi golin e dytë në sfidën kundër Teutës, u shpreh mjaft i lumtur dhe i çliruar për fitoren që skuadra e tij arriti në këtë transfertë delikatë. "Ekipi u krijua për t'i mundur të gjithë kundërshtarët. Në 4 ndeshjet e para morëm 2 pikë, nuk shënuam asnjë gol. Nuk fituam as me rivalët direkt për titull, nuk mundëm as skuadrat më të dobëta në letër. Nga ky moment filloi një bllokim. Presion shumë i madh kudo. Sot ( dje) ishte një fitore me fat. Kam 2- 3 vite që nuk kam fituar një ndeshje kaq me fat. Na ndihmoi Zoti".

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.