Lotaria, Ambasada e SHBA: Pse u pezulluan aplikimet

Ambasada në Tiranë sqaron arsyet e pezullimit të aplikimit për Lotarinë Amerikane: Problemi, jo vetëm për Shqipërinë. Afatet dhe kushtet

Panorama (Albania) - - FAQE 1 - ADA HAZIZOLLI

Prej më shumë se 48 orësh, të gjithë ata që kanë provuar të aplikojnë për Lotarinë Amerikane janë gjendur përballë një faqeje joaktive, me mbishkrimin “jashtë funksionit për mirëmbajtje”.

Për pjesën dërrmuese, ky pezullim u lexua si rënie e serverit e shkaktuar nga mbingarkesa në rrjet. Por nuk vonoi shumë, për të shmangur çdo hamendësim tjetër, Ambasada Amerikane në vendin tonë ka sqaruar se ndërprerja nuk e ka origjinën në Shqipëri, por ka prekur praktikisht të gjitha vendet në të cilat aplikohet programi i vizave përmes lotarisë. “Faqja e internetit të Lotarisë Amerikane http:// dvlottery. state. gov është përkohësisht jashtë funksionit për mirëmbajtje. Kjo është një ndërprerje në mbarë botën, që prek të gjitha vendet, jo vetëm Shqipërinë. Ne do t’ju njoftojmë sapo të kemi më shumë informacion”. Kështu, zyrtarisht nuk ka ende asnjë të dhënë mbi rifillimin e procesit. Po ashtu, nuk dihet nëse këto ditë do të sjellin zhvendosje të afateve të aplikimit. Udhëzimi përcakton si datë të fundit 7 nëntorin. Ndërsa më herët ka qenë vetë Ambasada, e cila ka apeluar që aplikimet të mos kryheshin në javën e fundit, pasi kjo do të sillte probleme me sistemin. Por pa u bërë java, serveri ka shfaqur probleme, duke detyruar mbikëqyrësit e tij që të pezullojnë përkohësisht praktikën deri në rikuperimin e dëmit të krijuar. KUSHTET

Për të mos lejuar përsëritjen e disa gabimeve që kanë penalizuar mjaft qytetarë shqiptarë për të marrë vizën, Ambasada u kujdes që të informonte mbi mënyrën e aplikimit, kushtet që duhet të plotësohen dhe kriteret e kualifikimit. Këtë vit, ndryshe nga vitet e kaluara, fotot që do të përdoren do të jenë të reja. Pra është e ndaluar që të përdoren fotot e një viti më parë dhe kjo po bëhet për të shmangur mashtrimet. Po ashtu, rregulla rigoroze ka edhe për familjarët dhe mënyrën se si duhet të procedojnë. Gjatë plotësimit të formularit kërkohen të dhëna për të gjithë pjesëtarët e familjes, përfshirë edhe fëmijët të cilët janë nga martesa e mëparshme dhe nuk jetojnë me ju apo ata të cilët janë në moshë madhore dhe kanë shprehur mospël- qimin e programit të vizave. Shefja e njësisë për vizat joemigruese në Ambasadën Amerikane, Emily Enright, ka bërë të qartë se edhe për çiftet e bashkëshorteve që janë në proces divorci, formulari duhet të plotësohet me të dhënat e partnerit respektiv. Me rëndësi është edhe arsimi, si edhe profesionet që kërkohen. “Të fitosh lotarinë, të jepet mundësia të aplikosh për viza dhe pasi aplikoni, duhet të plotësoni një kualifikim të veçantë, duke përfshirë arsimin dhe kërkesat për punë. Ne shohim njerëz çdo ditë që fitojnë lotarinë, por që nuk plotësojnë kushtet e arsimit e të punës dhe fatkeqësisht ne duhet t’u mohojmë atyre vizat”, ka pohuar Enright. Kriter bazë sipas Ambasadës së SHBA- ve në vendin tonë është përfundimi i arsimit të mesëm. “Ligji dhe rregullat e emigracionit të Shteteve të Bashkuara kërkojnë që çdo aplikant duhet të ketë të paktën një arsim të shkollës së mesme ose ekuivalentin e saj, ose brenda pesë viteve të fundit të ketë dy vjet përvojë pune në një profesion që kërkon përvojë ose trajnim të paktën dy vjet. Një “arsimim i shkollës së mesme ose ekuivalente” përkufizohet si përfundimi me sukses i një kursi dym- bëdhjetëvjeçar fillor dhe të mesëm në Shtetet e Bashkuara ose përfundimin e suksesshëm në një vend tjetër të një kursi arsimi zyrtar, të krahasueshëm me filloren dhe të mesmen e një shkolle në arsimin e mesëm në Shtetet e Bashkuara”, specifikohet në udhëzim. AFATET

Më herët Konsullata Amerikane ka apeluar qytetarët që të aplikojnë në ditët e para, pasi nisur nga përvoja e viteve të kaluara, ka pasur kërkesa, të cilat nuk janë pranuar për shkak të mbingarkesës së sistemit. “Mos prisni deri në javën e fundit të periudhës së regjistrimit. Në të kaluarën, regjistrimet e minutës së fundit kanë shkaktuar ngarkesë të lartë të sistemit, gjë që nuk i lejoi ata të regjistroheshin me sukses për programin”, thuhet në njoftim. Vlen të qartësohet se të gjithë ata individë që do të guxojnë të aplikojnë më shumë se një herë gjatë periudhës së regjistrimit, do të skualifikohen. Lidhur me shpalljen e fituesve, dokumenti sqaron se verifikimi do të mund të bëhet duke nisur nga data 1 maj e vitit pasues deri në fund të muajit shtator.

Faksimile e faqes së bllokuar të Lotarisë Amerikane

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.