Akte të Azem Hajdarit

Panorama (Albania) - - FAQE 1 - PREÇ ZOGAJ

Kam shkruar shpesh për Azem Hajdarin. Në librat e mi të kronikës politike pas viteve nëntëdhjetë, si ...

... "Fillimet, 1990- 1992", "Rënia e zgjedhjeve", ( 1996) apo "Paradhoma e një presidenti" ( 1999), kam faqe të tëra me fakte dhe detaje nga jeta e tij politike që prej çastit kur u priu një grupi studentësh në përballjen e parë me forcat policore dhe udhëheqësit politikë të regjimit komunist e deri kur u vra pabesisht më 12 shtator 1998 para selisë së Partisë Demokratike. Besoj se janë copëza të një jetëshkrimi që na tregojnë një personazh të pazakonshëm, me dritëhijet e tij, me defektet e tij të lartësisë së meritave, po të doni, por që është ngulur si një protagonist i padiskutueshëm mu në mes të rrjedhës së ngjarjeve që ndryshuan historinë e Shqipërisë pas dhjetorit 1990 dhe kthyen vendin më të mbyllur të planetit me fytyrë nga Perëndimi.

Azem Hajdari në fakt është një libër në atelie, i pambledhur, i pashkruar në formën e një vepre të plotë. Nganjëherë më vizëllon para syve të mendjes si një joshje. Por koha, së paku sot për sot, nuk më jep mundësi ta mbledh nga është e s'është dhe ta shkruaj.

Këtë parantezë e bëra për të thënë se nuk kisha ndërmend të shkruaja tani për Azemin po të mos kisha lexuar dje ( pardje) një artikull të publicistit Mustafa Nano, në të cilin ai, duke marrë shkas nga ngritja e përmendores së Azemit në qytetin e tij të Bajram Currit, e konsideronte të pamerituar nderimin e tij si hero, duke bërë me këtë rast vlerësime zhvlerësuese për të.

Për të shprehur shijen që më la ky artikull, më erdhi të huazoj një reagim që vetë Mustafa Nano ka pasur kundër një artikulli të shkruar prej meje para disa vitesh, të cilin, pasi e konsideronte "të tërin një gabim", shtonte: "Fakti që e ka shkruar P. Zogaj, e bën gabimin shumë provokues".

Artikulli i tij për Azemin është një gabim dhe fakti që e ka shkruar Mustafa Nano, e bën gabimin vërtet provokues.

Nuk më shkon ndërmend t'i imponoj Mustafait modelin tim të heroit, aq më tepër kur nuk kam një model statik dhe më tej akoma, në kuptimin e retorikës në të cilën jemi rritur kjo e heronjve është një temë e pasigurive të mia. Që nuk do të thotë se nuk i kërkoj e nuk i dalloj profilet e tyre në jetë apo në libra. Duke refuzuar me sa mundem qoftë klishetë e mohimit total, qoftë klishenë e kundërt të hyjnizimit folklorik. Dhe duke u mbajtur si në një levë në filozofinë e vargut të famshëm dhe shumë të dashur për mua të Salvatore Kuasimodos, nobelistit italian: "Heronjtë u bënë njerëz/ fat për qytetërimin".

Sigurisht, sekush ka një arketip të vetin të heroit. Vetë heronjtë nuk janë të një prerjeje a fushe. Ka heronj mitikë të fantazisë, ka heronj luftëtarë, ka heronj të zbulimeve të mëdha, heronj të kulturës, të mendjes së hapur e kështu me radhë. Biem dakord të gjithë - dhe me siguri edhe me Mustafa Nanon në këtë rast- se heronjtë janë ata që bëjnë akte të jashtëzakonshme në të mirë të vendit, kombit, civilizimit, pa u ndalur para asnjë sakrifice, deri në vetëmohim. Këta të vetëmohimit, që zakonisht janë heronjtë e luftës, revolucioneve apo lëvizjeve të mëdha popullore, qëllojnë të jenë njerëz të çuditshëm, "që jetojnë brenda aventurës, dyzimeve dhe një guximi më shumë të verbër se të matur". Ky është heroi, siç shkruan shkrimtari spanjoll Javer Cerkas në librin e tij të mrekullueshëm "Ushtarët e Salaminës", në të cilin tregon se pikërisht njerëzit e një guximi më shumë të verbër se të matur e kanë ndryshuar shpesh historinë në çastin vendimtar.

Ky hero i një guximi më shumë të verbër se të matur është- sa për të dhënë një shembull të epokës sonë- Lech Valesa, elektricisti, udhëheqësi i Solidarnosit të famshëm polak. Nuk është publicisti mendjendritur Adam Michnik, nuk është Mazovieski, intelektuali i shquar, sado që këta dhe shumë intelektualë të tjerë ishin përkrah elektricistit nga Gdansku ku filloi shpërbërja e regjimit komunist në Poloni dhe në shembullin e Polonisë në vendet e tjera komuniste. "Mund të mos e quajmë hero nëse kjo fjalë u vret veshët puritanëve të modernizmit", thoshte për të Michnik. Kjo e emërtimit mbetet një çështje semantike, gjithsesi. Por është fakt se Valesa doli në krye, ai e mori përsipër me emër e mbiemër përballjen me regjimin, ai është edhe heroi ynë, duke qenë se lëvizja e udhëhequr prej tij prodhoi atë reaksion zinxhir që mbërriti një ditë edhe në Tiranë.

Në lëvizjen tonë për demokraci njeriu i një guximi si ai që ka formuluar Cerkës në romanin e tij është Azem Hajdari, studenti i vitit të katërt të fakultetit të Filozofisë, më i madh se shokët në moshë pasi ka ardhur me vonesë në Universitet. Unë e kam njohur nga afër Azemin, kam qenë me të në Lëvizjen e Dhjetorit, në themelimin e Partisë Demokratike, në mitingjet e mëdha popullore që pasuan krijimin e kësaj partie, në parlamentin e parë demokratik, në betejat e brendshme politike të PD- së dhe në shumë ngjarje të tjera pikante të kohës ku del në pah protagonizmi i Azemit. Nuk kam qenë ndër miqtë e tij më të afërt, por e kam dashur e nderuar shumë pikërisht se nuk ishte linear, se ngërthente plot kontradikta si tip, se pavarësisht kësaj ishte në thelb një njeri i mirë, i drejtë. Dhe mbi të gjitha, Azemi bënte atë diferencën që dallon të pazakonshmit nga të zakonshmit, nga të maturit, nga të urtët. Diferenca e tij ishte guximi me një dozë aventure që nuk shkonte në aventurizëm, që përligjej me pengesën që duhej mposhtur dhe që vetë Azemi dinte ta administronte me vizionin që kishte.

Në qoftë se do të ekzistonte ndonjë juri që mbledh prova të akteve të pazakonshme apo edhe heroike të protagonistëve të Lëvizjes Shqiptare për demokraci në vitet 1990- 1992, do të kishin një listë me emra dhe akte. Shumë syresh jam përpjekur t'i tregoj në librin "Fillimet". Publicistë dhe studiues të tjerë të nderuar kanë shkruar me realizëm për këtë kohë. Nuk ka dyshim se në këtë galeri Azem Hajdari spikat me aktet e tij.

Telegrafikisht, le të sjellin ndërmend se Azemi është studenti që u vu në ballë të grupit të parë studentor që kishin dalë nga godinat e zhytura në terr natën e 8 dhjetorit 1990 dhe ishin mbledhur në sheshin e vogël para drejtorisë së konvikteve duke thirrur "duam drita" e duke kënduar "se mjaft në robëri". Ashtu i kishin dhënë betejë natës me daljen e tyre në arenë dhe po rrinin në pritje të kundërgoditjes që do t'i njihte me armikun e tyre. Azemi u bëri thirrjen e njohur, epike për kohën: "Nuk kemi punë me dritat! Po jeni trima, hajdeni të zbresim në shesh. Dijeni. Kam dy fëmijë! Po të jetë për të vdekur, le të vdes unë. Fëmijët do të ma marrin hakun".

Ajo ka qenë nata kur siç thuhet dendësohet historia. Pas përballjes së parë me trupat policore, doli në skenë takimi pasmesnatës i një përfaqësie studentore me Presidentin Ramiz Alia, në një sallë të korpusit qendror të Universitetit. Alia, siç dihet, filloi ta trajtonte revoltën e tyre si një protestë kundër kushteve të këqija të jetesës. Azem Hajdari është studenti që u dha një drejtim krejt tjetër ngjarjeve kur tha: "Ne nuk kemi ardhur për një pjatë groshë apo pak sheqer më shumë në çaj, se edhe fëmijët e mi në Bajram Curr nuk hanë më mirë. Ne kemi probleme të tjera"!

- Aaaa, kjo është tjetër gjë, kjo është serioze,- ia ktheu Alia.

- Po, ne duam të hartojmë kërkesat tona dhe të flasim me ju!- e përforcuan Azemin dy- tre studentë. - Pse nuk flisni me organizatën e rinisë? - Nuk kemi punë me atë organizatë, ajo nuk na përfaqëson.

Pohimi ishte i prerë, i padëgjuar. E patën lënë të takoheshin të nesërmen me Presidentin për t'i paraqitur kërkesat e tyre politike, por kur u kthyen te shokët, shpërtheu mbi ta dhuna e egër policore që vazhdoi edhe të nesërmen me rrahje, zvarrisje, gjakosje dhe arrestime studentësh. Ky është momenti i sprovës së madhe kur studentët me bërthamën e drejtuesve në krye krijojnë të parën zonë të lirë në qytetin "Studenti". Aty organizohen dhe barrikadohen si kasnecët e pluralizmit dhe Shqipërisë si gjithë Europa. Azem Hajdari është gjithnjë protagonist në një Lëvizje ku hierarkitë i përcakton protagonizmi individual. Pasi nuk janë thyer nga dhuna, Azemi me shokë ia dalin me mençuri t'i shkëpusin regjimit të drejtën e qartë për të krijuar parti politike, duke dështuar provën e Alisë për të sendërtuar përmes studentëve një pluralizëm butaforik për konsum të jashtëm. Azem Hajdari është studenti që njoftoi në qytetin "Studenti" themelimin e Partisë Demokratike si alternativë politike e Partisë së Punës. Si kryetar i parë i kësaj partie, atij iu desh të ndërmerrte akte të një guximi të pashoq për të çarë rrethimin policor që vendosi qeveria komuniste e kohës në përpjekje për të penguar dhe izoluar partinë e porsaformuar. Rasti i Elbasanit kujtohet si emblematik. Azem Hajdari marshoi mespërmes qytetit të blinduar me trupa policore si në shtetrrethim. Bashkë me shokët e tij dhe me disa demokratë guximtarë elbasanas ia doli të nxirrte si nga karantina dhe të ngrinte në këmbë qytetarët e lirë të Elbasanit. Snobizmi, mendjelehtësia dhe ligësia kanë zakonin t'i shohin këto ngjarje siç shihet për herë të dytë një film, të cilit ia dimë vazhdimin. Por në jetë nuk ndodh kështu. Në jetë ngjarjet zbulohen duke ndodhur. Askush prej protagonistëve të Lëvizjes Demokratike nuk e dinte si do të rridhnin ngjarjet.

Azem Hajdari qëndroi dy muaj kryetar i PD- së. Ai nuk dukej ambicioz si partiak. Konkurronte, sipas meje, në sfera të tjera, për sfida të tjera më popullore, më të epërme, që nuk kishin lidhje me jetën e partisë në atë kuptimin që kishte ngulitur doktrina puniste e partisë mbi të gjitha. Në këto sfera ma merr mendja se e kishte vetëdijen e të qenët unik, i pazëvendësueshëm.

Karriera e tij politike njeh plot akte të tjera tipike të një tribuni dhe njeriu të lirë. Azemi ishte gjithnjë kundër purgave dhe sektarizmit në parti. Ai ka paguar tributin e tij për këtë. Vrasja e tij është nga ato vrasje ku motivet e dobëta përzihen qëllimshëm me motivet politike. Mjaft të themi se shumë autoritete që kishin detyrë dhe mundësi të shmangnin vrasjen e udhëheqësit të lëvizjes së dhjetorit ulën sytë, e lanë të ndodhte. Shqipëria është në fakt vendi i vetëm ish- komunist i Europës, të cilit i është vrarë lideri i lëvizjes demokratike. Për llogaritë e regjimit, kjo ka qenë thjesht një vrasje e vonuar që nuk u bë dot në fillim për shumë arsye, ku vendin e parë e zë konjuktura politike.

Mustafa Nano mund të mos jetë thelluar ndonjëherë rreth figurës së Azemit dhe ngjarjeve ku ka lënë shenjën e tij të pashlyeshme ky personazh i rrallë. Kam një bindje se po të ndalet e të shohë përtej disa steriotipeve që ka ngulitur propaganda demonizuese kundër Azemit kur ishte gjallë dhe përtej aversionit natyror që mund të ketë ndaj formave të vjetra të hyjnizimit të heronjve, Mustafai do të zbulojë në mos heroin e shijeve të tij, një personazh origjinal të panteonit tonë. Ndërkaq është vërtet e padrejtë dhe tendencioze që pikërisht këto ditë kur "të civilizuarit" e mëdhenj që na kanë qeverisur e na qeverisin po na turpërojnë botërisht me kanabizimin e vendit dhe ortakëritë e tyre me narkotrafikantët, të hamendësosh bëmat e këqija që do të kishte bërë Azemi po të kishte marrë një post ministri që Sali Berisha nuk ia dha ndonjëherë jo për arsyet që mendon Mustafai.

As unë dhe askush nuk mund ta dijë çfarë do të kishte ndodhur me Azemin po të kishte vazhduar si të tjerët. Historia, edhe kjo jona, na jep plot shembuj që tregojnë se si një fazë e ndritur apo edhe heroike e jetës së një politikani është njollosur pakthyeshëm me krime dhe abuzime. Vrasja e privoi Azem Hajdarin të dëshmonte si do të sillej me pushtetin ekzekutiv. Askush nuk ka të drejtë të hamendësojë për asgjë. Këto ushtrime të fantazisë nuk i vlejnë askujt. Figura e Azem Hajdarit ilustron shkëlqyeshëm atë që thuhet për njerëzit e pazakonshëm apo të mëdhenj, të cilët kanë edhe vese e cene në jetën e tyre. Ata janë si gjithë të tjerët në jetën e përditshme, por gjithë të tjerët nuk janë si ata në aktet me vlerë publike që kanë kryer.

As unë dhe askush nuk mund ta dijë çfarë do të kishte ndodhur me Azemin po të kishte vazhduar si të tjerët. Historia, edhe kjo jona, na jep plot shembuj që tregojnë se si një fazë e ndritur apo edhe heroike e jetës së një politikani është njollosur pakthyeshëm me krime dhe abuzime. Vrasja e privoi Azem Hajdarin të dëshmonte si do të sillej me pushtetin ekzekutiv. Askush nuk ka të drejtë të hamendësojë për asgjë

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.