Që shembulli në oborrin politik të PS të mos kthehet në precedent

Panorama (Albania) - - FAQE 1 - EDUARD HALIMI

Kryetari i PS, timonieri i vetëm i qeverisë, e rrëzoi kërkesën e prokurorisë për rastin Tahiri. Përtej ...

Shembujt që dha Rama me rastin Tahiri, përtej faktit se ndodhi në "oborrin politik të komshiut", përtej debateve dhe luftës politike, duhet të sjellin një reformë të thellë të të gjithë sistemit politik, që ky rast të mos jetë më precedent. Nëse kjo nuk ndodh, për një mijë arsye alla shqiptare, atëherë rasti Tahiri për fat të keq do jetë patjetër precedent.

... debatit politik e aq më pak juridik kundër këtij vendimi, çështja që shtrohet është çfarë shembulli dha Edi Rama me rastin "Tahiri" dhe çfarë duhet bërë që të mos kthehet në precedent.

Kryetari i PS, timonieri i vetëm i qeverisë, e rrëzoi kërkesën e prokurorisë për rastin Tahiri. Përtej debatit politik e aq më pak juridik kundër këtij vendimi, çështja që shtrohet është çfarë shembulli dha Edi Rama me rastin "Tahiri" dhe çfarë duhet bërë që të mos kthehet në precedent.

Në këndvështrimin tim, Rama dha 2 "shembuj".

Njëri që ka të bëjë me shembullin që PS si maxhorancë jep jashtë Parlamentit dhe tjetri me shembullin që u jep në oborrin politik të PS, deputetëve apo atyre që aspirojnë të futen në oborrin politik të PS ( mesazhi dhe dje në Akademinë Politike të PS) * "Sa më lart të ngjitesh, sërish ligji është mbi ty" ( Shembulli i parë) Por jo kur Rama është Kryeministër dhe timonier i vetëm

Rasti "Tahiri" është unik në llojin e vet deri më sot, si për sa u përket provave që nuk u gatuan nga ndonjë institucion këtu në Shqipëri, të cilët kanë probleme të varësisë politike ( ato u gatuan për tre vjet në "kuzhinën" e antimafias italiane), ashtu dhe për sa i përket llojit të rëndë të veprës penale për të cilën dyshohet: Trafik ndërkombëtar droge. Fakti që ishte ministër përgjegjës për trafikun, makina "Audi" e përdorur për trafik, Zagani, radarët, dhe mosveprimi ndaj Habilajve e bëjnë një rast tmerrësisht të vështirë për t'u mbrojtur.

Nuk ka asnjë dyshim se nëse Tahiri nuk do ishte deputet, por qytetar i thjeshtë, ligji do kish vepruar menjëherë dhe prokurorinë nuk do ta kish ndaluar askush.

Nëse Rama do kish mbajtur prej fillimit qëndrimin e mbajtur në parlament, atëherë rasti "Tahiri" do të shërbente vetëm për të dhënë këtë shembull qytetarëve:

- Ne deputetët nuk jemi si ju. Ne nuk na kontrollon e arreston kollaj prokuroria. Parimi i shtetit të së drejtës se "sado më lart të ngjitesh, ligji është mbi ty", në Shqipëri nuk ekziston. Ligji është për ju poshtë. Ne jemi mbi ligjin.

Por e vërteta nuk mbaron vetëm me kaq. Nga e hëna në të premte, qëndrimi i Ramës ndryshoi 180 gradë. Dhe këtu hyn shembulli i dytë që dha Rama. * "Sa më lart të ngjitesh, aq më shumë vritesh kur rrëzohesh" ( shembulli i dytë)

Por jo kur Rama është kryetar i PS

Pavarësisht se ishte mik i kryetarit të PS, ditën që dosja u bë publike në median pranë qeverisë, Edi Rama tha se ishte i shokuar dhe se Tahiri duhet të bindte drejtësinë. Të nesërmen tha se "... ai ishte një dru i shtrembër mes nesh". Vetë ai përhapi lajmin se në mbledhjen e grupit të PS duhet të mbanin qëndrim të ftohtë dhe juridik. Pastaj, pasi Tahiri përsëriti disa herë "nuk keni parë gjë akoma", doli në një emision duke shënjestruar drejtues të lartë të PS, përfshi dhe vetë Ramën, dhe situata ndryshoi tërësisht. Pa gdhirë akoma, pa dalë akoma prokurorët në sallë të sillnin provat, ministrat dhe gjithë PS, nuk ishin më të ftohtë dhe as me qasje juridike, por në rresht sulmuan prokurorinë dhe morën në mbrojtje të plotë Tahirin. Tahiri nga "dru i shtrembër" u kthye në "një rrap madhështor", nga "viktimë" në "hero".

Dhe këtu dalim te shembulli i dytë që dha Rama për ata brenda oborrit politik të PS dhe për ata që aspirojnë të bëjnë karrierë në oborrin e PS.

Tahiri nuk kishte miq. Ai kishte mik vetëm kryetarin, prej ditës së parë e deri në fund. Tahiri ka luftuar për kryetarin. Kur ishte në opozitë, nuk linte njeri pa kafshuar e përbaltur sapo kryetari i çonte një SMS apo i shkelte syrin. Kur erdhën në pushtet, kryetari e bëri ministrin e tij më të rëndësishëm. Tahiri u ngjit lart, jo se e mbështetën forumet apo miqtë në politikë, por se e mbështeti miku i tij i vetëm, kryetari.

Por sa më lart të ngjitesh- thoshte Ajnshtajni- aq më shumë vritesh kur rrëzohesh.

Por a i mjaftoi Tahirit vetëm miqësia e vet- me me kryetarin në një ditë të vështirë që mos rrezohesh? Tahiri e dinte se kryetari nuk ka pasur mik vetëm atë. A nuk kishte mik edhe Koço Kokëdhimën, kur thoshte se do plakeshin të dy? ( Rasti i Koços duket pikë uji në oqean me atë të Tahirit sot). A nuk kishte jo pak mik edhe Rroshin? Po edhe në kohën kur ishte kryetar Bashkie, a nuk kishte plot miq e bashkëpunëtorë që i lëshoi? A nuk i lëshoi ata të gjithë?

Tahiri e njihte Ramën dhe e dinte se ai nuk i mbante bashkëpunëtorët në ditë të vështira. Ndaj siguroi diçka më shumë se të tjerët: "kutinë e Pandorës", e cila nëse hapej, ndoshta vërtet ne s'kemi parë gjë akoma. Kjo ishte merita e mbijetesës në ditë të vështira për ata që nuk kanë miq, por kanë mik të vetëm kryetarin.

Kjo është mënyra sesi funksionon sot oborri politik në PS. Që të bësh karrierë politike, duhet të kesh patjetër mik kryetarin. Shihni pak përbërjen e qeverisë Rama 1 dhe Rama 2. Ka aty nga ata njerëz që nuk kanë bërë një ditë betejë për PS, nuk kanë asnjë kontribut, përveç njohjeve personale apo familjare me kryetarin. Por e kanë lidhjen direkt me kryetarin dhe janë aty. Të tjerët me kontribute, me beteja, me kosto ishin dhe mbeten jashtë qeverisë. Por në ditë të vështira në oborrin e Ramës, edhe proverbi "miku i mirë në ditë vështira" nuk mjafton. Nuk mjafton as të kesh mik e super mik kryetarin. Duhet diçka më shumë. Ndaj ndryshimi i Ramës nga e hëna në të premte është shembulli më i keq që jep në oborrin politik të PS. * Politika nuk është aq e keqe sa duket - tha Rama në Akademinë Politike të PS ( Është akoma edhe më keq ... sa duket...) Të dy shembujt që dha Rama me rastin Tahiri, përtej motiveve juridike të një rasti tmerrësisht të vështirë për t'u mbrojtur, vendosin në pikëpyetje gjithë sistemin politik që kemi ndërtuar dhe atë që qytetarët presin nga të zgjedhurit e tyre.

Përtej faktit që rasti Tahiri nxori në pah gjendjen ku ndodhet kryetari i PS, peng i dosjeve kriminale apo sekreteve që di Tahiri, apo të tjerë brenda saj, përtej faktit që kjo ndodhi në oborrin politik të "komshiut" ( PS), rasti tregon se gjithë sistemi politik në Shqipëri duhet të reformohet plotësisht dhe pa dyshim dhe roli i kryetarit në oborrin politik duhet reformuar thellësisht.

Ngjarja në oborrin politik të PS tregoi se ky sistem politik duhet të ndryshojë sepse shembulli tregoi se është i dëmshëm e vrastar. Është vrastar për shtetin e së drejtës, sepse bën parlamentin strehë të personave që dyshohen nga prokuroria për krime të rënda. E vendos deputetin, ministrin, kryeministrin mbi ligjin. Dhe kjo nuk duhet të kthehet në precedent.

Është vrastar për funksionimin e demokracisë dhe parlamentarizmin. Ky sistem politik me institucion deformon plotësisht mënyrën e të bërit politikë nga deputetët. Mënyrën e qasjes si përfaqësuesi të popullit, deformon rolin e deputetit si shtetar.

Ky sistem politik e bën deputetin që të jetë ushtar i bindur i kryetarit, duke shpresuar se kryetari nuk do t'ia heqë vështrimin deri në listat e ardhshme. E bën deputetin të pasigurt për të ardhmen dhe e demotivon në beteja se mundi dhe sakrifica e betejave mund të ikin brenda minutës, nëse nuk ka mik kryetarin dhe nuk ka atë që kishte Tahiri, "kutinë e Pandorës", për të marrë peng kryetarin e inkriminuar të oborrit politik të PS.

Ky është parlamenti shqiptar sot, shumë, shumë larg të qenët inspirues për ata që janë brenda, shumë më pak inspirues për ata që duan të hyjnë në politikë. Ndaj fjalimi i Ramës në Akademi se "... politika nuk është aq keq sa duket..." është hipokrizi, sepse është akoma më keq sa duket. Ata që do hyjnë në oborrin politik të PS duhet të shohin si bëhet karrierë në PS dhe kush vlerësohet, kush ngjitet, si ngjitet dhe kush rrëzohet dhe si rrëzohet.

Shembujt që dha Rama me rastin Tahiri, përtej faktit se ndodhi në "oborrin politik të komshiut", përtej debateve dhe luftës politike, duhet të sjellin një reformë të thellë të të gjithë sistemit politik, që ky rast të mos jetë më precedent.

Nëse kjo nuk ndodh, për një mijë arsye alla shqiptare, atëherë rasti Tahiri për fat të keq do jetë patjetër precedent.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.