Metoda "Bofo" dhe ish- oficeri i Policisë Zagani

Panorama (Albania) - - FAQE 1 - PËLLUMB NAKO* * Ekspert për Çështjet e Sigurisë Publike. Ish- drejtor në Policinë e Shtetit.

Ai quhej Dino Bofo. Ishte gazetar dhe kishte shkruar disa artikuj editorialë kundër Berluskonit. Gazeta "Il Giornale" e Vitorio Feltrit, botoi një artikull mbi ...

... disa të dhëna policore që i ngarkonin Bofos deformime sociale të karakterit seksual. Më vonë, Policia e përgënjeshtroi këtë lajm. Që nga ky moment, në fjalorin gazetaresk filloi të përdoret termi "Metoda Bofo", që ka për kuptim organizimin e një fushate shpifëse nëpërmjet shtypit, me qëllim diskreditimin e kundërshtarit politik ( edhe me të vërteta), për t'i bërë atij në mënyrë të ndërgjegjshme keq, por sidomos për të krijuar një diversion mediatik me qëllim zhvendosjen e vëmendjes së opinionit publik nga çështje më shqetësuese. Në median ndërkombëtare, ky fenomen mori emërtimin "makineria e baltosjes", kurse në Shqipëri, nga krerët qeveritarë, flitet për "kazan mediatik".

Asgjë e re në lidhje me përkufizimin. Artileria e baltosjes është aty. Kazani mediatik i qeverisë që akuzon të tjerët se bëjnë atë, që në fakt ankohet se është viktimë, është po aty. Objekti, këtë radhë, një ishoficer i antidrogës me emrin Dritan Zagani, i kthyer në personazhin kryesor të ditëve të fundit.

Që në fillim, duhet thënë se aktualisht, nëse do të ndodhej në Shqipëri, ky oficer nuk do të kishte mundësinë që të thoshte as një të qindtën e atyre që deklaron sot nga një vend i sigurt dhe familjarisht i mbrojtur diku në Zvicër. Mjafton vetëm ky fakt, për të kuptuar se për të bërë një akuzë ( nuk po them për të thënë të vërtetën, për të qenë sa më neutral) kundër një eksponenti qeveritar, asnjë institucion shqiptar nuk është në gjendje të të ofrojë siguri personale dhe të familjes. Po ashtu, edhe kolegu i tij, diku në një vend tjetër. Që këtu, pikët janë të humbura vetëm për Shqipërinë, atdheun e përbashkët të të gjithë atyre që akuzojnë dhe atyre që mbrohen. Dhe kjo nuk është pak.

Kur ky oficer bëri mediatike një mori akuzash për ish- ministrin e Brendshëm, ndoshta pakkush e besoi. Metoda "Bofo" vërtet u përdor dhe mori një emër në Itali, por në Shqipëri të bën gjëmën. Këtu, në çdo çast, gjithkush është i shantazhueshëm. Shumë gjëra u thanë për këtë nëpunës të shtetit. Madje, vetë Sali Berisha i paskësh dhënë tokë në Vlorë. Pala tjetër, që e mbështeste ( opozita), nuk kishte forcën e duhur për të bërë të besueshëm denoncimin publik të ishoficerit. Makineria e saj nuk përçonte dot një mesazh më të besueshëm.

Por si zakonisht, zhurma mbaroi dhe gjithçka u mbulua nga pluhuri i harresës. Edhe për faktin se organet kompetente nuk ndërmorën asnjë veprim, nuk e thanë fjalën e tyre. Nuk mund të di se sa ishte e mundur. Por fakti është se çështja ngeli brenda kufijve të deklarimeve publike mediatike, pa u trajtuar nga institucionet kompetente. Në raste të tilla, metoda "Bofo" gjen parajsën e saj.

Por pas ca kohëve, atë që institucionet tona nuk bënë apo nuk kishin mundësinë të bënin ( këtu bëhet fjalë për Prokurorinë, se për Policinë as që mund të imagjinohet), ishin institucionet e sigurisë në shtetin e madh fqinj, Itali, ato që nxorën në dritë pohimet publike të ish- oficerit. Pohime këto, të përsërit- ura gjatë një përgjimi të personave të bërë publikë prej tij, si trafikantë në lidhje të afërta me ish- autoritetin e lartë shtetëror shqiptar.

Pas bërjes publike të këtij fakti, Prokuroria e Krimeve të Rënda nxitoi jo vetëm të fillojë procedimin penal, por edhe të kërkojë arrestimin e ish- zyrtarit të lartë. Ishte rasti që institucioni kompetent të shprehej. Nuk ishte e mundur.

Pa kursyer prokurorët që ndërmorën një hap të tillë, metoda "Bofo" qeveritare gjithmonë duke u ankuar si viktimë e kazanit mediatik, vazhdoi sulmin mbi ish- oficerin. Se ai ishte dënuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe se për të ishte marrë vendimi i "arrestit me burg". Fatkeqësisht, me të njëjtën logjikë, mbrojtësit e tij dolën në publik dhe thanë se ish- oficeri nuk kishte qenë ndonjëherë i dënuar dhe se "masa e sigurisë nuk është vendim dënimi". Pa vonuar, krahu tjetër politik saktësoi akuzat, këtë radhë me terma juridikë për personin në fjalë.

Them fatkeqësisht, jo sepse nuk jam dakord me heqjen e përbaltjes që i bëhet ish- oficerit, por hyrja në vorbullën "masë sigurie apo vendim dënimi", shton më shumë debatin. Po ashtu, tymnajën. Fakti i rëndë fashitet. Publiku hutohet.

Por e vërteta gjithsesi ngelet: Edhe në rast se për ish- oficerin është marrë masa e sigurisë për një çështje, e cila nuk ka lidhje me atë që ai denoncon, e le- htëson ky fakt ish- funksionarin e lartë? Aspak. Edhe djall, edhe engjëll qoftë, ky ish- oficer ka thënë disa gjëra, të cilat, disa vite më vonë, kanë rezultuar të njëjta apo të vërteta dhe të konstatuara gjatë një hetimi të kryer nga organet kompetente të një vendi, që nuk lidhen fare as me të edhe as me ata që e përbaltin.

Më konkretisht, para disa viteve, ish- oficeri ka deklaruar publikisht se ish- ministri i Brendshëm shqiptar kishte pasur lidhje me një grup trafikantësh, kushërinj të tij dhe se me makinën e tij ata kryenin trafik droge. Më pas, kushërinjtë ( të gradës së dhjetë) u arrestuan për trafik kanabisi në shtetin fqinj. Vetë ish- ministri tha se u kishte shitur një makinë ( atë që fliste ish- oficeri), pikërisht këtyre kushërinjve. Gjatë një përgjimi nga Policia e shtetit fqinj, ata pohojnë disa gjëra që ish- shefi i Antidrogës kishte deklaruar në publik... e shumë detaje të tjera.

Këto janë indice, të cilat kur janë të rënda dhe përputhen me njëra- tjetrën, janë të mjaftueshme për të marrë dikë të pandehur. Nuk kanë lidhje fare me faktin nëse për oficerin ka apo nuk ka një vendim të arrestit me burg si masë sigurie për një çështje penale, e cila, siç dhe u theksua më sipër, nuk ka të bëjë me fajësinë ose jo të ish- funksionarit të lartë.

Me fjalë të tjera, nëse ky ish- oficer do të ishte më i keqi i mundshëm, pa qenë nevoja fare të jetë as engjëll e as më i miri i oficerëve të Policisë, ndryshon gjë nga të vërtetat e mësipërme?

Përkundrazi, ajo që të dëshpëron është makineria mediatike për t'u marrë me personin dhe jo me problemin, që vërtet rëndon mbi vendin.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.