Prania e veprës së Camajt në arealin e shqipes

Panorama (Albania) - - FAQE 1 -

Me veprën letrare të Martin Camajt, fati ka qenë i dyzuar, madje edhe tani është një prani e papranishme. Njëherit, ka qenë lodërtar dhe i mbrapshtë, sepse Camaj e thoshte me sublimitet: Unë jam i juej, e ju jeni të mitë! Po ne, bashkëkombasit e shkrimtarit, lexuesit e veprës letrare dhe gjuhësore, a ia kemi mbërritur momentit ma ia kthye, po me atë klithëm dashnie që poeti e la vjerrë, në mesin tonë. Camaj dhe vepra e gjerë, ende notojnë në rrethin vicioz, që pati përmendur me herët Ardian Klosi: … në çdo epokë kemi të bëjmë me një luftë pa mëshirë kundër elitës kulturore shqiptare, që kositet sapo hedh rrënjë, që parathotë fatin e secilës kohë. Thirrja jonë, që buron prej vetëdijes së vlerave të endura prej M. Camajt, do të jetë: Ti je yni e na jemi të tutë! Në këtë komunikim transhendental, tejet largëvajtës, gati- gati kozmik, shumëçka asht pezull, në pritje të një moti ma dashamir e mirëkuptues, që vlerat që na la trashëgimi, të radhiten në krye të shenjave moderne të letrave shqipe. Në thelbin shkrimor, ka qenë lodërtar, jo se deshti, po se nuk pati shteg tjetër, në kuptimin që asht një dukuni atipike, e gjuhës dhe letërsisë shqipe bashkëkohore. Martin Camaj, pa dëshirin e vetë, në gjallje dhe amshim, ka rendur në kundërpërpjetat jetësore dhe intelektuale. Jeta dhe vepra e Martin Camajt është kundër rrjedhës së kohës, sidomos kundër rrjedhës letrare dhe gjuhësore ( në Shqipëri pas vitit 1944), ndonëse nuk bani beteja “gladiatorësh” me rrënuesit. Me laryshi, pa bujë dhe zhurmë, duke u thelluar në shprehësinë letrare dhe semantike, i kundërvihet amullisë së unitetit dogmatik. Rrethana e shkrimit letrar, të përkundërt me realizmin socialist, vijimi i lavrimit të gegnishtes, janë dy treguesit që e bëjnë fatin e tij lodërtar dhe të mbrapshtë në letërsinë bashkëkohore. Dy prej shenjave identifikuese, pavarësisht fushës dhe zhanrit tipologjik, janë tregues përveçimi nga pjesa tjetër e letërsisë bashkëkohore, të cilat parashtrojnë veçanësinë:

A – Me shenjat letrare në shkrimin e poezisë, prozës, dramatikës, bartin dy cilësi:

- Mungesa e realizmit socialist, që lidhet me refuzimin fillimtar, arratisja për shkaqe politike, i dha dorë për të shpëtuar nga murtaja e shkrimit ideologjik në letërsi. - Kurba e lavrimit letrar, e rrokshme në poezi dhe prozë, falë shtegtimeve në Prishtinë, Romë, Mynih, kontakteve me letërsinë moderne, gjurmimeve të vlerave letrare, pëson ngjitje, duke u shndërruar në një përvojë moderne në letërsinë bashkëkohore. Moderniteti që ngjizet duke gërshetuar shkrimin e traditës së letrave shqipe, me frymën moderne të letërsisë europiane, spikatet në përmbledhjet poetike “Nema”, “Bualli”, “Palimpsest”, e sidomos në madrigalin “Dranja”, si dhe në romanet “Rrathë” dhe “Karpa”.

B – Sendërgjimi i veprës letrare, në poezi, prozë dhe dramatikë, me anë të variantit të gegnishtes, me ndonjë element të arbërishtes. Fakti gjuhësor i shkrimit të veprave letrare me variantin e gegnishtes, ndonëse të përpunuar në gjuhën e autorit, në nivelin e gegnishtes letrare bashkëkohore, e cila formulon dy tipare:

- Ndërlidhjen e letërsisë me traditën e shqipes, “Meshari” i Gjon Buzukut.

- Shkalla e përpunimit të gjuhës, në dëshminë e teksteve, me kahje moderne.

Shkrimi letrar në variantin e gegnishtes, vijon që të mbetet nyja gordiane e shenjave shkrimore, në tekstet letrare të Camajt. Qasja ndaj lavrimit të gegnishtes është lënë në heshtje, me gjasë, është nënkuptuar si çështje e qartë, e cila nuk ka nevojë për thellim argumentesh. Faktologjia e shkrimit në variantin e gegnishtes është tregues i shenjave unike që bart krijimtaria letrare. Hapësira tekstologjike është përgjigjja më e mirë ndaj përpjekjeve për ta lënë në hije, që përpos shenjëzimeve të gegnishtes, është e përveçme në formësimin e kahjeve moderne. Shkrimi i teksteve në gegnisht, ku tashmë merr vlerë dekodimi i fakti gjuhësor dhe letrar, që do të marrë përgjigje me argumente shkencorë. Shtrimi dhe zgjidhja e problemit thelbësor, të poetikës së Camajt, mishëruar në poezi, prozë dhe dramatikë, nuk ka gjasa të tejkalohet. Në mesin e shtysave, që e detyruan që të lëvronte gegnishten, ta ngrinte në zenit ligjërimi bashkëkohor, kërkohen te gjurmët personale, si dhe të konteksteve jetësore dhe rrethanat e shkrimit të gjuhës dhe letërsisë në bashkëkohësi. Me gjithë atmosferën e shumëfishtë, dy shkaqe, shihen si më kryesoret:

E para: Mundësia e ngallicave siprane, që e nxitën Camajn, për të vijuar lavrimin e gegnishtes, është një ndjesi e brendshme, e thellë, që lidhet me ligjërimin bisedor me të cilin u rrit. Kur autori la atdheun, e vetmja “pasuri” e patundshme që mori me vete ishte gjuha, trajta e folme e gegnishtes. Në një kuptim të ngushtë, gegnishtja për Camajn, ishte djepi ku u përkundën dëshirat, aspiratat, andrra për një jetë ma të mirë, e sidomos për liri kreative.

E dyta: Faktografia domethënëse, ku pjesa dërrmuese e teksteve letrare është plasuar me variantin e gegnishtes, në kuptimin logjik, është vijimi i kundërshtisë së vendimeve të Kongresit të drejtshkrimit të vitit 1972, gjë që gegnishten e përvijon si “vorri” ku fle magjia e shkrimit. Camaj e dinte se çka ndodhte në Shqipëri, madje e ndiqte me shqetësim, sidomos rrëshqitjen e letërsisë në binarët e realizmit socialist, si dhe të përpjekjes sizifiane, të fitimtarëve të komunizmit, për të rrudhur praninë dhe rolin e gegnishtes, arbërishtes dhe të secilës ngjyresë të gjuhës shqipe. Kjo rrethanë, e përjashtimit absurd, e cila megjithatë vijon sot e gjithë ditën, krijoi ndarje sociolinguistike, si dhe përthau ligjërimin bisedor dhe letrar, si pasojë e trysnisë jashtëgjuhësore të ushtruar.

* Autor i librit “Martin Camaj- shkrimtaria e tij”, botuar në vitin 2010.

Martin Camaj

Martin Camaj

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.