Balla denoncon Zaganin: U dënua me tre vjet burg

“E ftoj Bashën dhe PD të heqin dorë nga heroi i tyre”

Panorama (Albania) - - POLITIKE -

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka akuzuar kreun e opozitës, Lulzim Basha, si gënjeshtar për deklarimet e tij mbi dënimin e oficerit të antidrogës, Dritan Zagani.

Dy ditë më parë, kreu i PD- së, Lulzim Basha, deklaroi se oficeri Dritan Zagani, ndryshe nga pretendimet e Kryeministrit Rama, nuk ka qenë asnjëherë i dënuar me vendim të formës së prerë nga drejtësia shqiptare. Por Balla publikoi një vendim të Shkallës së parë të Krimeve të Rënda Tiranë, për caktimin e masës së arrestit me burg të shtetasit Dritan Zagani. Në vendimin e firmosur nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, ndaj Zaganit jepej masa e arrestit me burg, si i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”. Sipas kreut të Grupit të PS, ky vendim rrëzon pretendimet e Bashës, se ndaj Zaganit nuk ka asnjë vendim gjyqësor, në të cilin ai është dënuar. “Lulzim Basha u tha shqiptarëve se Dritan Zagani nuk është dënuar! Madje, sipas kryetarit të Frontit të Çorbës së Vjetër, Prokuroria u dashka të hetojë Policinë pse ka vepruar ndaj tij. Por, ja që edhe këtë herë Lulzim Basha bëri atë që di të bëjë më mirë: Gënjeu! Për Dritan Zaganin, Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën arrest me burg, bazuar mbi kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që në hetimin e saj ka konstatuar krimin e dekonspirimit ( për llogari të një grupi trafikantësh) të një operacioni antitrafik të Policisë së Shtetit”, shprehet Balla. Sipas kreut të Grupit të PS, oficeri i antidrogës Dritan Zagani, menjëherë pas këtij vendimi gjyqësor, është arratisur jashtë vendit dhe që nga ajo kohë, është shndërruar në heroin mediatik të PD. “Pas vendosjes së kësaj mase sigurie, Dritan Zagani është zhdukur për t’i ikur drejtësisë dhe është shfaqur më pas nga jashtë vendit, si heroi mediatik i Partisë Demokratike”, deklaroi Balla. Ndërkohë në mbrëmje, duke u përballur me reagimin e opozitës për vendimin ndaj Zaganit, Balla ka publikuar një tjetër vendim të Gjykatës së Vlorës. Vendimi i dytë ndaj Zaganit është për akuzën “Largim nga vendi i qëndrimit të detyruar”, kohë kur oficeri vendosi të largohej jashtë vendit. Vendimi mban datën 23.12.2016 dhe në të Zagani është dënuar me 3 vjet heqje lirie. Balla i ka kërkuar PD- së të heqë dorë nga “heroi mediatik” dhe të mos mbrojë një të dënuar. “E ftoj miqësisht Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike, të heqë dorë nga heroi i tyre mediatik, Dri- tan Zagani. Të betohesh për drejtësi mbi fjalët e një personi të arrestuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që në hetimin e saj ka konstatuar krimin e dekonspirimit ( për llogari të një grupi trafikantësh), të një operacioni antitrafik të Policisë së Shtetit dhe më pas i dënuar nga Gjykata për largim nga vendi i qëndrimit të detyruar, kjo nuk është vetëm qesharake, por është shembulli më i qartë ku ka degraduar ‘ vizioni’ i PD për drejtësinë”, deklaroi Balla.

Faksimile e dënimit të Dritan Zaganit për largimin jasht vendit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.