Spitali i Traumës me salla e pajisje mjekësore të reja

Rama: Para 4 viteve ishte spital lufte, se s’ishte vënë dorë

Panorama (Albania) - - SOCIALE -

Një spital lufte para 4 vitesh, ndërsa sot një ndër spitalet më të mira.

Kështu e ka cilësuar kreu i qeverisë Spitalin Universitar të Traumës. I shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Rama shfrytëzoi këtë të diel për të parë nga afër ndërhyrjen e arritur në saje të një investimi të nisur dy vite më parë.

RAMA Projekti për rikonstruksionin e godinës kryesore të Traumës, i cili mori jetë në 2015n, ka përfunduar vetëm gjatë këtyre ditëve. Ndërsa ka vlerësuar transformimin, Rama nuk ngurroi të thotë se të njëjtën cilësi në shërbim dhe infrastrukturë do ta instalojë edhe në spitalet rajonale. "Para katër vitesh ishte një spital lufte, se nuk ishte vënë më dorë. Sot është një gjë krejt tjetër dhe fakti që është i gatshëm për t'u akredituar e për t'u certifikuar me certifikatat e Bashkimit Europian, duke filluar nga gjithë instrumentet mjekësore, procesi i sterilizimit, plus dhe gjithë zonat e reja të pritjes, të trajtimit, të rehabilitimit, është realisht një ëndërr që bëhet realitet. Sigurisht që ka ende shumë për të bërë, por ambicia është që të njëjtën cilësi ta çojmë në të gjitha spitalet rajonale të Shqipërisë. Ajo që është themelore është se investimet janë bërë e po bëhen me shumë vëmendje, për të mos harxhuar për gjëra të panevojshme, por për të filluar me më të nevojshmet, për t'i shkallëzuar deri te plotësimi i të gjithë ciklit", vuri në dukje kryeministri. Ndërhyrja radikale në Spitalin e Traumës nisi në vitin 2015 dhe aktualisht spitali ka 11 salla operatore krejtësisht të rehabilituara e me pajisje mjekësore të reja.

MANASTIRLIU Përpara kësaj ndërhyrjeje nuk kishte ambient pritjeje, çka sillte konfuzion për të sëmurët e familjarët e tyre. Gjithashtu, Reanimacioni dhe Urgjenca e Politraumës kishin pajisje mjekësore të vjetra, që datonin prej vitit 1970, dhe kushtet e papërshtatshme rrisnin rrezikun e infeksioneve spitalore. Barnat ruheshin në kushte të papërshtatshme, fizioterapia dhe rehabilitimi ishin thuajse jashtë funksionit, me vetëm dy pajisje të vjetruara dhe ambientet laboratorike nuk siguronin funksionimin sipas standardeve. Transformimi i arritur është vënë në dukje edhe nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. "Spitali i Traumës që prej ndërtimit të tij asnjëherë nuk është investuar. Janë dy investime radikale që janë kryer për ndryshimin e të gjitha shërbimeve, nga Urgjenca, Reanimacioni, shërbimet pritëse dhe pastaj është realizuar gjithë pajisja e plotë me aparaturat biomjekësore dhe pajisjet spitalore", u shpreh ministrja. Sot, Reanimacioni është rikonstruktuar dhe pajisur me instrumente të reja. Spitali ka një shërbim bashkëkohor fizioterapie, laboratorësh dhe imazheri të fuqizuar me pajisje të fjalës së fundit të teknologjisë. Duke u ndalur në palestrën e repartit të Fizioterapisë, një shërbim unikal në sistemin tonë publik me të gjitha pajisjet e riaftësimit, drejtori i spitalit, Gjovalin Bushi, theksoi se me këtë investim janë fuqizuar kapacitetet e tij. "Llogarisim rreth 16 të sëmurë, vetëm të spitalit dhe ata që kanë mbaruar periudhën akute do shkojnë në shtëpi, por përsëri do vijnë të ushtrohen këtu". Vlerësime u dhanë edhe nga stafi i mjekëve, të cilët do të kenë mundësi të punojnë në një mjedis dhe kushte më të denja.

Rama, dje në Spitalin e Traumës

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.