Adelajda, vajza që theu tabutë e Kavajës e zgjodhi të “jetojë”

Jeta e mësueses që shkeli rregullat kur hyri në “Big Brother”, duke u kthyer në një nga personazhet më të dashura për publikun

Panorama (Albania) - - AKTUALITET - Adelajda Xhamani

Historia e Adelës... E gjitha ngjan me një film, ku personazhi kryesor ka një plan! Përpiqet shumë për t’ia dalë dhe bash kur arrin ta finalizojë atë, jeta i këputet në mes.

Kjo është historia e Adelës e rrëfyer me pak fjalë, por që ne kemi vendosur t’jua rrëfejmë pak më gjatë. Stafi i “Panorama Plus” e njohu Adela Xhamanin pikërisht atëherë kur e njohën të gjithë shqiptarët, në edicionin e dytë të “Big Brother”. Adela kishte një portret të hatashëm, një perfeksion i natyrës, që deri para se të futej në “Big”, ishte “ekskluzivitet” i nxënësve të saj në fshatin Luz të Kavajës, e më pas ai portret u bë magjia që tërhiqte masën e gjerë të teleshikuesve. Kishte vendosur të bëhej pjesë e një reality show, pa i marrë leje askujt, sepse jeta që bënte i rrinte shumë ngushtë. Duket sikur ka kaluar një shekull që atëherë, sepse mentaliteti i shoqërisë sonë ka evoluar shumë shpejt në këto 7 vite, por asokohe kishte një masë të madhe njerëzish që mendonin se njeriu duhet të përshtatet me jetën që ka, pa u ankuar, ata mendonin se të lësh të fejuarin, sepse nuk është burri që kishe ëndërruar, ishte mëkat, që të merrje përsipër rrezikun që me veprimet e tua të hidhje kundër gjithë familjen tënde, ishte një herezi. Por Adela e bëri, i hipi furgonit të Kavajës për të ardhur në “Big Brother”, e bindur që sido që të vinin gjërat, ajo nuk duhej kurrsesi të priste një biletë kthimi. Duke qenë e bindur se askush në ambientin ku jetonte nuk arrinte ta kuptonte se ajo nuk ndihej e lumtur dhe e realizuar, mori një vendim ekstrem, erdhi në ekran që t’ua komunikonte këtë njerëzve të saj dhe njëkohësisht me ta, botës mbarë!

HISTORIA MË BUKUR E DASHURISË Në kohën kur u lidhën si çift Adela dhe Bjordi, thuhej që vetë produksioni i “Big Brother” e donte me çdo kusht një histori dashuri mes tyre. Në kushtet e Adelës, që ishte aty kundër të gjithëve, një lidhje me një djalë që ngjizej dhe zhvillohej në ekran, dukej si një mision i pamundur. Ajo ishte vajza me traumat e provincës dhe mentalitetit mbytës, Bjordi ishte djali që kishte shkuar dy vjeç në Itali, ishte modern në vizion, por dhe shumë i padjallëzuar, si një fëmijë. Janë të paharruara momentet kur ai i rrinte afër Adelës dhe e qetësonte, teksa ajo mërzitej e nervozohej edhe për gjëra periferike në jetën kolektive në “Big”. Ne i kemi intervistuar shumë shpesh Bjordin dhe Adelën. Janë ato intervistat që përpiheshin të shtunave, sapo gazeta “Panorama” dilte në treg. Njerëzit ishin dyshues në fillim, nëse ishte histori dashurie apo jo, edhe ne ishim dyshues, sepse bën pjesë në profesionin tonë. Por , ajo që ne kemi parë dhe kuptuar tek ata dy të rinj, ka qenë një histori dashurie e jashtëzakonshme, ku ajo ishte bërë pjesë e “Big Brother”, si një mënyrë për t’i shpëtuar një jete që s’e donte, ndërsa ai për t’u argëtuar dhe njohur Shqipërinë. Dhe fare pa kuptuar, u gjendën para dy gjysmave të tyre ideale… Ne që i kemi takuar dhe kemi folur gjatë me ta, e konfirmojmë, Adela dhe Bjordi ishin çifti më i dashuruar që mund të kemi parë ndonjëherë në botën e showbizit. Dhe falë shpirtrave të tyre të bukur, ata arritën që këtë ndjenjë të jashtëzakonshme dhe të pastër t’ia përçonin publikut, i cili i deshi aq shumë.

Pas daljes nga Bigu, Adela filloi të miqësohet me gazetarët, paçka se shumica e shkrimeve që ishin bërë për të, ajo do donte që të mos i kishte lexuar, jo sepse nuk ishte koshiente se kjo ishte puna jonë, por vetëm sepse familja e saj shqetësohej sa herë lexonte lajme ku Adela ishte protagoniste. Kishte një preokupim dhe ankth të madh për familjarët, ishte shumë e përkushtuar dhe e lidhur me ta dhe dalëngadalë kishte filluar t’i bindte se kishte bërë zgjedhjen e duhur. Dhe pikërisht në ato momente kur ne vijonim t’i kërkonim akoma intervista dhe lajme, Adela na rrëfeu për pasionin e saj për të punuar si gazetare. “Unë nuk dua të intervistohem, dua të intervistoj. Nuk dua të jem pjesë e skenës, por e backstag- it”, na thoshte ajo. Kur ia komunikuam asokohe drejtorit të “News 24” dhe “Gazeta Shqiptare”, dëshirën e Adelës për te qenë në gazetari, ai na pyeti: “Pse, di Adela të shkruajë?”. “Edhe nëse nuk është profesioniste, ajo e do aq shumë atë punë, sa një ditë do të bëhet një nga më të mirat”, e siguruam ne. E mori menjëherë në punë. Adela ishte në qiellin e shtatë! Tek ato faqe gazete ku ishte shkruar pa fund për të, tani ajo do të shkruante për të tjerët. Gjëja më e bukur që na rrëfente në hapat e saj të parë si gazetare, ishte kur takohej me personazhet publikë për intervistë. Ishte personazhi i famshëm me diktofon në dorë, teksa intervistonte personazhin tjetër të famshëm dhe ku nuk kuptohej kush intervistonte kë. Ishte një kuriozitet i dyanshëm dhe një kënaqësi që lexohej nga personazhet Vip, të cilët intervistoheshin nga Adela, fenomeni i “Big”- ut.

Në disa dedikime të bëra në rrjete sociale, kishte nga ata që thonin se Adela nuk e përballoi dot jetën e egër të kryeqytetit, duke e quajtur si një dështim zgjedhjen e saj. Kjo është një kategori njerëzish, akoma më paragjykues se ata të 7 viteve më parë, që e paragjykuan në “Big Brother”. Adela, në Tiranë, me rrugëtimin që bëri në gazetari, i tejkaloi parashikimet e saj dhe këtë na e thoshte gjithmonë, edhe pse nuk zgjodhi hiret e saj fizike si një mjet që i hapte dyert, por punën. Adela u prit krahëhapur nga stafi i “Gazeta Shqiptare” dhe “News 24”, një staf profesionistësh ku shumica punonin prej dekadash bashkë dhe ishin shumë kompaktë. Adela vetë rrëfente që askush nuk e paragjykoi, askush nuk e pa shtrembër, meqë nuk ishte në lartësinë e tyre profesionale. Përkundrazi, të gjithë, nga drejtuesit deri të gazetarët e thjeshtë, e ndihmuan që ajo të ecte përpara. Nëse ekziston një jetë e përtejme, ashtu siç Adela e besonte, me siguri ajo ka ikur drejt parajsës si një engjëll i bukur dhe pa asnjë barrë mëkati. Stafi i “Panorama Plus”

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.