U denoncua si i zhdukur, gjendet i vdekur në kanal

Hetohet për aksident, por ka shenja të dyshimta në trup

Panorama (Albania) - - AKTUALITET - FIER/

Një 56- vjeçar është gjetur i pajetë në një kanal vaditës në aksin rrugor Lushnjë- Fier.

Policia e ka identifikuar viktimën si Albert Bullgari, 56 vjeç, banues në Mbrostar të Fierit. Trupi i pajetë është gjetur mesditën e së dielës, brenda në kanalin që ndodhet disa metra larg rrugës. Mësohet se kufoma është gjetur nga banorë të zonës pranë rrethrrotullimit të Kolonjës. Këta të fundit kanë njoftuar menjëherë Policinë, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes për të nisur hetimet për zbardhjen e saj. Grupi hetimor, edhe pse beson se e gjitha mund të ketë ardhur nga një aksident rrugor, ka ngritur dyshime për shkak të shenjave që janë konstatuar në vendin e ngjarjes. Policia, në një njoftim zyrtar, sqaron se ditën e diel, rreth orës 11: 00, në tokat e fshatit Kolonjë të Lushnjës, në një kanal vaditës, është gjetur nga banorë të zonës një shtetas i vdekur, i seksit mashkull, rreth 56 vjeç. Sipas asaj që bën të ditur grupi hetimor, viktima ka dëmtime në pjesën e këmbëve dhe për këtë arsye ata thonë se mund të ketë gjetur vdekjen si pasojë e ndonjë aksidenti rrugor. Ky dyshim përforcohet edhe nga fakti se në zonën ku është gjetur trupi i 56vjeçarit, mungon ndriçimi dhe aksidenti mund të jetë shkaktuar nga ndonjë drejtues mjeti që nuk e ka parë atë duke ecur anë rrugës. Nga ana tjetër, fakti se trupi i viktimës ka disa shenja dyshuese si një prerje pas kokës, si dhe duke shtuar faktin tjetër se 56vjeçari Bullgari ishte denoncuar nga i biri si i zhdukur pesë ditë më parë, bëjnë që Policia të mos dalë ende në një përfundim konkret për shkakun e vdekjes. Nga ana tjetër, burime pranë grupit hetimor që po punon për zbardhjen e ngjarjes, saktëson se plagët në trup të 56- vjeçarit nga Mbrostari i Fierit janë të 24 orëve të fundit. Do të jetë ekspertiza mjekoligjore ajo që do të vërtetojë shkakun e vërtetë që solli vdekjen e Albert Bullgarit.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.