Luan Topçiu, një libër- sprovë për “Morfologjinë e shpirtit”

“Autori këmbëngul në filozofinë e krijimit, lirizmin, në krizën e njeriut modern, në ndërlikimet psiko- emocionale”

Panorama (Albania) - - KULTURE - Luan Topçiu

“Morfologjia e shpirtit” është një libër për dashurinë dhe urrejtjen, shkruar mrekullisht nga Luan Topçiu. Kur them kështu, nuk e teproj aspak. Gjatë lëçitjes së këtij libri, përjetova një kënaqësi të panjohur më parë. Më ka ndodhur shpesh që, kur lexoj ndonjë gjë që më pëlqen, entuziazmohem e frymëzohem dhe, në çast, ndiej nevojën të shkruaj diçka për të. Por kjo nuk më ndodhi kur mbylla faqen e fundit të këtij libri. Kur po e bisedoja me ca miq të mi letrarë, njëri prej tyre më tha se kjo gjë i ndodhte edhe atij. “Ka libra që, pasi i lexon, të shokojnë dhe të bëjnë që të paktën tre muaj të mos zësh pendën me dorë…”, më shpjegoi miku im i talentuar. “Morfologjia e shpirtit” është një libër që nderon autorin dhe letrat shqipe, por që pasi e lexon, përcjell edhe dekurajim te kushdo që guxon “vuajtjen” e aventurës së të bërit libër... Me sa di unë, nuk kemi vënë re nga ndonjë autor shqiptar të ndërmarrë një sprovë të këtillë. Sigurisht, historia jonë ka njohur dhe ndonjë punim prej esteti apo teoricieni të njëmendtë, por, që estetikën ta ketë parë të konvertuar aq harmonishëm me psikologjinë, historinë, filozofinë e kulluar dhe atë të artit, nuk kemi njohur më parë… Edhe vetë Luan Topçiu ka disa libra të tjerë të njëpasnjëshëm në lëmin e studimeve krahasimtare të letërsisë. Si kritik, estet, eseist i klasit të parë, veç përkthimeve të shumta, atij i numërohen edhe libra të tjerë vërtet të vyer në shqip e rumanisht si: “Ndjenja e mallit tek / Sentimentul dorului la/ Asdreni, Poradeci, Kuteli”, Fed, Bukuresht 1999; “Tekstualizëm dhe stil” ( mbi poezinë e Lasgush Poradecit), Getic, Bukuresht 2000; “Përmasa moderne në letërsinë shqiptare”, Flaka, Shkup 2001; “Paradigmele dorului in poezia romana si albaneza”, Editura Universitara, Bukuresht 2004; “Vetmia nostalgjike në poezi”, Omsca1, Tiranë 2005; “Oglinzi paralele/ Pasqyra letrare”, Privirea, Bukuresht 2007; “O antologjie a poezie albaneze/ Antologji e poezisë shqipe”, Privirea, Bukuresht 2007; “Tradita moderne në letrat shqipe”, Zenit, Tiranë 2010; Ndërsa libri në fjalë, “Morfologjia e shpirtit”, është punë cilësore e prestigjiozes “Ombra GVG”.

Me thënë të vërtetën, nga shqiptarët kemi njohur jo pak shkrimtarë të suksesshëm ku gjenden shprehje fragmentare afër psiko- analitikes dhe së fundmi ( pas ’ 90- s), edhe eruditë të klasit të parë që në shkrimet e tyre filozofojnë... Por libër krejt të veçantë, ku në meditimet psikologjike e filozofike të mos mungojë për asnjë çast përdëllimi artistik, d. m. th, libër prej artisti filozof dhe filozofi artist, nuk kemi hasur.

Luan Topçiu na befason, duke venë në qendër të studimeve të tij tematika, subjekte dhe dukuri që janë deficitare në kulturën shqiptare të shkuar, duke na çuar në zona dilemore, që meritojnë vëmendjen e çdo qenie njerëzore. Kemi prozatorë e poetë, por më pak filozofë. Shqiptarët nuk kanë pasur marrëdhënie të mira me filozofinë, me meditimin, me dilemat, ky është një fakt.. Duke qenë një popull pragmatik, praktik, realist më së shumti, shumë herë në zgrip të ekzistencës, sekular më shumë se fetar, shqiptarët nuk janë lodhur të shtrojnë pyetje që lidhen me ontologjinë, me hyjnitë, me jetën e përtejme etj. Për pasojë, edhe letërsia që u krijua jashtë truallit shqiptar nga shqiptarët e mërguar, preku tema të tilla vetëm për shkak të imitimit të preokupimeve të popujve të tjerë, por asnjëherë nuk ia kemi dalë të shkruajmë dhe të kemi literaturë të specializuar, të mëvetësishme, për këto lëmi.

Libri “Morfologjia e shpirtit” është i mirëseardhur në letrat shqipe, sepse, siç vumë në dukje më lart, vjen së pari në një truall djerrë. Por, a i drejtohet ky libër lexuesit shqiptar? - Po dhe jo, njëkohësisht. Sepse as shpirti, as melankolia, as dashuria, as nostalgjia e as dashuria nuk janë vetëm shqiptare. Por edhe ne shqiptarët, si të gjithë popujt e tjerë, pa dyshim, jemi të interesuar për ekzistencën e tyre.

Gjatë lëçitjes së librit të shkruar nga Luan Topçiu, me gjashtë sprova për brendinë e njeriut dhe me një parathënie të gjatë mbi shpirtin e njeriut, ndodh diçka turbulluese, shpirtëzimi i teksteve poetike, mitologjisë, gravurave dhe tablove të mirënjohura të artit botëror, por dhe hedhja dritë në bodrumin e qenies. Në qendër të librit vihet njeriu me shfaqjet e tij të brendshme, me terrin e mistershëm së brendshmi dhe me shfaqjet e tij së jashtmi. Teksti është letërsi si sprovë, është filozofi, mitologji, shkencë, psikologji, psikanalizë, politikë, i trajtuar nga një vështrim vetjak që lidhet me shpirtin dhe në mënyrë të posaçme me dhimbjen shpirtërore, që gjendet në të gjitha sprovat e trajtuara në këtë libër.

Hyrja e librit, e gjatë dhe me shumë shpjegime dhe shtjellime, me shumë referime vetjake, me gjithë ndërkalljet e krijuara për historinë e shpirtit, lirizmin si gjendje pjellore e krijimit, hap siparin e gjashtë sprovave. Libri përbëhet nga këta kapituj: a. Në vend të një hyrjeje; 1. Melankolia- ky diell i zi dhe mit kulturor; 2. Qielli i largët i nostalgjisë; 3. Bipolariteti i mallit; 4. Paradigmat e dashurisë; 5. Harrimi- shuajtje apo shpëtim; 6. Për urrejtjen; duke e mbyllur me: b) Dy fjalë përmbledhëse.

Me “kamerën” e vështrimit të tij, autori përçapet të rrokë atë çka ndodh në “universin” tonë të brendshëm. Kjo është dhe pjesa joshëse e eseve të Luan Topçiut: njeriu i sjellë në plan të parë. Libri mund të karakterizohet si “letërsi personale”, sepse mëton të bëjë të njohura përjetimet e tija, por dhe të na sjellë para vëmendjes mendime, qëndrime, tablo të të tjerëve për subjektet e propozuara prej tij. Kush do guxonte të pretendonte që të sqaronte në mënyrë përfundimtare dhe shteruese shpirtin? Askush. Por autori na sjell nevojën e shqiptimit të dhimbjes, rrekjen për ta parë shpirtin, një dhimbje që është personale dhe universale njëkohësisht. Dhimbja që ndihet në thelb të qenies, ajo që shtyp pa u ndierë e pa u kuptu- ar, ajo që na kaplon dhe nuk na lëshon lehtë. Gjithë përmbajtja jepet me një stil të epërm, ku shembujt e përzgjedhur dhe ana subjektive, d. m. th emocionalja, shfaqet e përmbajtur dhe kurdoherë nën kontrollin e arsyetimit shkencor...

Së bashku me trajtimin e këtyre ndjenjave themelore, me aspektet e tyre më të mistershme, autori këmbëngul në filozofinë e krijimit, lirizmin, në krizën e njeriut modern, dhe për pasojë, dhe në ndërlikimet psiko- emocionale të universit të njeriut. Gjendjet shpirtërore kufitare, për nga vetë përkufizimi i tyre, janë bipolare, janë me dy përkatësi, si gëzim dhe trishtim njëherazi. Sipas autorit, dashuria, melankolia, nostalgjia, harresa, jetojnë në një alkimi që prodhojnë kënaqësi dhe dhimbje. Këto janë dhe instancat më pjellore, të cilat kanë bërë të lindin krijimet e mëdha në fushën e artit dhe letërsisë së lëvruar duke ndaluar, sidomos, në krijimet e mëdha referenciale të autorëve të mëdhenj të letërsisë dhe arteve. Kësisoj, në faqet e librit interpretohen kryevepra botërore, duke filluar qysh nga “Kënga e Solomonit” - një përmbledhje e poezive të dashurisë profane, duke vazhduar me tekste tashmë klasike, si poezi të Paul Verlaine, Charles Baudelaire, Mihai Eminescu, Lucian Blaga, Pablo Neruda, Serghei Esenini, George Bacovia etj. Në fakt, fragmentet nga këta autorë janë pretekste dhe paratekste për meditimet mbi brendinë dhe jashtësinë e qenies njerëzore si dhe marrëdhënien midis tyre, e gjerë dhe e amplifikuar nga pikëpamja ontologjike. Pasazhe tejet të njohura nga poezia botërore, apo tablo dhe kryevepra botërore, vihen nën reflektorin e autorit si interpretues i tekstit, diagnostikues i gjendjes së tyre, kritik i artit dhe i imazhit, por pa dyshim dhe si ilustrime të ideve të tij për dukuritë që trajton.

Faqet e librit janë të mbushura me bukurinë e frazës, intensive, plot me tension dhe me ide. Sillen ide ngacmuese në lidhje me krijimin, me lirizmin, meditime rreth kontradiktave të njeriut të sotëm, të shoqërisë së sotme, sipas një perspektive filozofike.

Kapitujt e brendshëm të librit, duke trajtuar probleme aq gjithëpërfshirëse, janë të hartuara në mënyrë rigoroze, por me një stil joshës, spekulativ, polemik dhe demonstrativ. Autori sjell në vëmendjen tonë, me lehtësi, të dhëna nga letërsia, mitologjia, elementë nga shkenca, teoria e arteve dhe psikanaliza. Gjithçka rrjedh shpejt, teksti ka shkëlqimin e ideve dhe të sintezave të qarta. Një libër që të provokon reflektim dhe pasqyrim.

Libri ka një strukturë logjike dhe koherente. Ka një propozim, zhvillim të këtyre subjekteve dhe një fund me një fjalë mbyllëse. Autori dëshmon kapacitetin e tij prej hulumtuesi me sqimë dhe intuitë, duke i kushtuar një vëmendje të posaçme ndjenjave dhe nuancave të tyre, që shpesh, në nivel leksikografik, ngatërrohen me njëra- tjetrën.

Paleta e ndjenjave përfundon me një analizë të urrejtjes, si antonimi i dashurisë. Luan Topçiu, përpos trajtimit filozofik dhe psikologjik të ndjenjës, ndalet tek urrejtja e institucionalizuar në regjimet totalitare komuniste, veçanërisht në Shqipëri. Urrejtja, si parim qeverisës, ka shkretuar shoqërinë shqiptare, letërsinë dhe artet në përgjithësi, efektet e saj kanë ndikuar, ku më pak e ku më shumë, në jetën e çdo individi. Ky proces, edhe pse i takon së kaluarës, vazhdon të shfaqet edhe sot në forma të tjera perverse, si pasojë e jetës në një shoqëri të infektuar keq me urrejtje institucionale dhe me luftën e klasave.

Luan Topçiu merr në konsideratë, sigurisht, gjithçka që është shkruar për këto tema të mëdha të filozofisë, religjionit, psikologjisë, letërsisë, por iu qaset atyre në një mënyrë vetjake dhe me mjete dhe interpretime nga fusha të letërsisë botërore dhe të artit. Sipas tij, mënyra metaforike është e vetmja mënyrë që mund t’i qasesh shpirtit.

Është një qasje në periferi të letërsisë, në margjinat e filozofisë, të psikologjisë, të estetikës, të artit figurativ. Autori i këtij libri shtron, qysh në fillim të librit, pyetjen se çfarë është saktësisht ky libër. Ai konsiston në 7 kapituj dhe 6 tema që mund t’i quajmë rrëfenja, akëcila prej tyre fillon nga një pyetje për një fjalë- temë… Të gjitha shtjellimet lidhen me letërsinë dhe me artin, por pyetjet tejkalojnë vetëm zonat e letërsisë dhe të arteve dhe kapin një gradë më të madhe të përgjithshme: duke prekur probleme të shpirtit me përkatësi nga filozofia dhe psikologjia.

Duke qenë se autori është një studiues i letërsisë dhe arteve figurative, ai zotëron instrumentet e profesionit të tij, ndaj për shpjegimin e misterit të shpirtit dhe manifestimeve të tij, ai apelon te mënyra e figurshme dhe e tërthortë e shpjegimit të tij: “Qasja drejt shpirtit nuk mund të bëhet ndryshe, veçse në forma metaforike. Asgjë racionale nuk mund të na ndihmojë të hedhim dritë mbi shpirtin, asnjë laborator, sado i sofistikuar qoftë ai, asnjë instrument i dixhitalizuar i teknologjisë më të lartë nuk mund të na ndihmojë dot, veçse vështrimi metaforik, veçse qasja e figurshme, sepse vetëm metafora mund të ndriçojë mendimin në mënyrë irracionale. Kur madje as Uni nuk na ndihmon të mësojmë se nga na vijnë idetë dhe emocionet tona, mënyrën se si vijnë te ne, pse vijnë në këtë formë dhe jo në një tjetër, pse janë kaq të ndryshme për individë të ndryshëm, vetëm përmes irracionalitetit të metaforës mund të sondohet në anët më të thella të realitetit.”

(...) “Metafora, në këtë kontekst, nuk është një figurë letrare e stilistike, por është e vetmja mënyrë që mund të shprehë në mënyrë të tërthortë një përmbajtje, që nuk mund të shprehet ndryshe. Të ndodhur në këtë zonë, thërrasim në ndihmë metaforën, shembujt nga letërsia, arti, mitologjia, ëndrrat që janë të vetmet mënyra për të përftuar imazhe të shpirtit.”

Bash për të gjitha këto, kur mbyll faqen e fundit, pyetjes së kreut që shtron vetë autori ( se ç’është saktësisht ndërmarrja e çuditshme e tij?) mund t’i përgjigjesh me plot gojën: “Morfologjia e shpirtit”, është libër. Libër në kuptimin e parë të këtij nocioni të dëmtuar rëndë nga inflacioni përmbajtjesor i kumtit “libër”, i kësaj stileme të re abuzive që vuajmë rëndom sot për shkak të sëmundjes së “lirisë” që përjetohet në politikën e botimeve tona... Me libër, Luan Topçiu iu drejtohet të gjithë atyre që duan të dinë diçka më shumë për shpirtin e tyre, për ndjenjat bazë që na shoqërojnë e kaplojnë gjithë jetën, për motivet që janë në themel të kulturës, artit, që kanë prodhuar kryeveprat botërore. Libër ka bërë Luan Topçiu. Ç’të thuash më tepër? Libër në gjithë kuptimin e shenjtërisë që ka kjo fjalë. Libër. Athinë, tetor 2017

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.