Behar Gjoka: Camaj ishte kundër rrjedhës së kohës

Studiuesi nga Kosova, Begzad Baliu, publikoi për herë të parë dorëshkrimin e përmbledhjes “Nji fyell ndër male”

Panorama (Albania) - - KULTURE -

“Batë burrninë të më shtini në rreshtin tuej, ndonëse të ndamë për nji gjys shekulli”.

Kështu do të shprehej shumë vite më parë Martin Camaj, poeti që vetëm në rresht nuk mund të vihej, që tejkaloi çdo normë, kornizë, ideologji, por që ishte aq modest dhe i dëshiruar të shkonte te lexuesi i munguar shqiptar. Ditën e shtunë, Qendra Shqiptare e Studimeve Letrare “Pjetër Budi”, organizoi në ambientet e Akademisë së Shkencave Konferencën Shkencore “Vlerat gjuhësore dhe letrare të veprës së Martin Camajt- hapësira që zë në letërsinë bashkëkohore”. Një ngjarje që mblodhi së bashku studiues nga Tirana, Prishtina, Munihu, Kalabria etj., për të folur për një prej poetëve që krijoi një linjë tërësisht të vetën letrare, larg kanoneve të imponuara të realizmit socialist, i ndaluar dhe refuzuar për 50 vjet nga letërsia “zyrtare”. Por tashmë rrugëtimi për te Camaj ka nisur. “Udhëtimi për te Camaj, pavarësisht vonesave është i pashmangshëm”, thotë organizatori i konferencës, studiuesi Behar Gjoka. Sipas tij, “ai është shkrimtari, gjuhëtari dhe ideologu, njeriu që vendos një raport të Shqipërisë me Europën, urë lidhëse pa bujë, pa çmime, të cilat nuk i deshi sepse teksti i tij është te qenia në pakohësi”. Sipas Gjokës, “jemi në fillesat e udhëtimit për te Camaj. Camaj ka mbërrit te ne, por ne duhet shumë kohë të mbërrijmë te Camaj”. Për profesorin e Universitetit të Kalabrisë, Anton Nikë Berisha, dhe pedagogen e Departamentit të Letërsisë pranë Fakultetit Filologjik në UT, Viola Isufaj, gegnishtja nuk përbën më një problem për leximin e Camajt. Berisha thotë se kjo është një pengesë më së shumti e shpikur dhe se duhet të lëmë pas ngarkesat dhe ta lexojmë Camajn me zemër e mendje të hapur. Ndërsa Isufaj thotë se liriku Camaj ngjall gjithnjë e më shumë interes te studentët.

DORËSHKRIMI

Në konferencën shkencore dedikuar Martin Camajt, për herë të parë u ekspozua edhe dorëshkrimi i përmbledhjes me poezi “Nji fyell ndër male”. Studiuesi nga Kosova, Begzad Baliu, e solli atë në Tiranë. Sipas studiuesit, ky dorëshkrim ishte pjesë e arkivit personal të prof. Idriz Ajeti. Sipas tij, ky dorëshkrim, me shkrimin e bukur e të qartë të Camajt, është pjesë e materialeve që ai i solli pas viteve ’ 50, nga Beo- gradi, ku ishte asistent në seminarin e Albanologjisë, në kohën kur Martin Camaj ishte student. Baliu nënvizon se rëndësia e këtij dorëshkrimi qëndron në faktin se në krahasim me përm- bledhjen e botuar në vitin 1953, ka disa ndryshime. “Në botim janë shtuar edhe tri poezi, por poezitë e mëhershme janë redaktuar shumë dhe ka edhe vargje të reja, ndërsa mungon parash- tresa, që Camaj e kishte shkruar vetë për librin përpara viteve ’ 53. Është një tekst hyrës në brendinë e përmbledhjes, tematikën, dhe ka një shpjegim të veçantë për poezinë nga vetë autori. Ca- maj e kishte konceptuar këtë përmbledhje prej 25 poezish si një poemë e tërë dhe jo si krijime të veçuara, pasi të gjitha përshkruhen nga e njëjta ngjarje nga fillimi deri në fund”, thotë studiuesi.

Faksimile të dorëshkrimit të përmbledhjes me poezi të Martin Camajt, “Nji fyll ndër male”, shkruar përpara vitit 1953 dhe publikuar për herë të parë me rastin e Konferencës Shkencore organizuar nga Qendra Shqiptare e Studimeve Letrare “Pjetër Budi” Nga Konferenca Shkencore “Vlerat gjuhësore dhe letrare të veprës së Martin Camajthapësira që zë në letërsinë bashkëkohore”

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.