Britanikët: Arsyet e vetvrasjes së Safet Butkës

"Akti fatal nga dëshpërimi i shkaktuar nga Lufta Civile"

Panorama (Albania) - - DOSSIER - Safet Butka

Duke pasur parasysh këto arsye, ne mendojmë që sulmet të përqendrohen menjëherë në krahinat Bramash- Berat dhe Qaf’ e Thanës- Librazhd, ku kolonat armike e kanë në nevojshme kalimin e detyruar. Kështu, për arsye të sipërparashtruara, i njëjti armik dhe e njëjta kolonë armike do të sulmohet disa kilometra më larg.

Për sa i përket dërgimit të seksionit ( NÇl- shënim i red.) nga ana juaj, ne mendojmë se të dyja organizatat nuk janë afruar ende; është plotësisht e pavend të pranosh që seksioni të drejtohet nga ushtarakë, që mbajnë yllin e kuq, sepse, siç jeni në dijeni, disa prej ushtarëve tanë nuk janë të aftë të luftojnë trimërisht, duke pasur parasysh ndjenjat e atyre jo fort të favorshme.

Për sa i përket takimit të vendosur për në Vithkuq, jam dakord dhe do të vij atje me trupat e mia.

Pranoni, Zoti Major, përshëndetjet e mia të përzemërta.

DOKUMENTI 7/ 8/ 943 Safet Butka

Safet Butka me shtabin e tij, të përbërë nga Jani Dilo, Fazlli Frashëri, Dhimitër Falo dhe Xhevdet Kapshtica si edhe 400 luftëtarë nacionalistë, arriti në Vithkuq, ku u takua me majorin Meklein dhe kapitenin Dejvid Smajli. Po atë ditë, më 8.08.1943, Safet Butka dhe Meklein, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit me Misionin Britanik, që po e japim më poshtë: Marrëveshje I. Balli Kombëtar i Korçës merr përsipër të bëjë menjëherë aksione ofensive në zonat Qafë Thanë- Librazhd dhe Barmash- Perat.

II. Balli Kombëtar i Korçës merr përsipër të bëjë aksione ofensive pas mbrëmjes së datës 15 të muajit në vazhdim në zonat Korçë- Barmash, Korçë- Pogradec e rrethinat. Ndërkohë partia tjetër nuk duhet të bëjë asnjë veprim në krahinat e sipërpërmendura, për të lejuar popullsinë të evakuojë fshatrat.

III. Pas dy aksioneve të para të Ballit Kombëtar në Qafë Thanë e Barmash, majori merr përsipër të dërgojë vazhdimisht oficerë për të marrë kontakt dhe instruksione pranë shtabit të Ballit Kombëtar, si edhe për të mësuar ushtarët në përdorimin e armëve teknike.

IV. Pas aksioneve, Majori merr përsipër të japë ndihma me materiale lufte.

8/ 8/ 43 N. C. D. Mclean major

Safet Butka Mbi bazën e kësaj marrëveshjeje me britanikët, u zhvilluan dy beteja nga ana e çetave të Ballit Kombëtar të komanduara nga Safet Butka, e para kundër gjermanëve te kthesat e Barmashit, më datë 13.08.1943, dhe e dyta kundër italianëve, në Pocestë, afër Maliqit, më datë 9- 13 shtator 1943. Në aksionin e parë të datës 13 gusht, ku merrte pjesë edhe oficeri britanik Dejvid Smajli, si ushtarak dhe specialist për vendosjen e minave, autokolona e blinduar gjermane pësoi një goditje të rëndë, u vranë 23 ushtarë dhe oficerë gjermanë ( 18 në goditjen e parë dhe pesë në të dytën) dhe u morën dokumentet e identifikimit, si edhe u shkatërrua një top 88 mm, u hodhën në erë katër kamionë dhe një autoblindë.

Dejvid Smajli, kapiten anglez i Misionit Britanik në Shqipëri, pjesëmarrës aktiv në betejën e Kthesave të Barmashit më 13 gusht 1943 kundër autokolonës gjermane, e përshkruan këtë luftë te libri “Albanian Assignment”, London 1975:

DOKUMENTI:

Më 10 gusht unë u largova nga Shtylla për të ngritur një pritë me një çetë balliste. Pusia ishte rezultat i një marrëveshjeje të Maklinit me Safet Butkën dhe qe organizuar për të provuar, ndërmjet të tjerash, gatishmërinë e Ballit Kombëtar për të luftuar italianët dhe gjermanët. Fred Nosi dhe partizanët shoqërues të Misionit e kundërshtuan fuqimisht këtë aksion dhe ndërmorën masa për ta sabotuar atë. Data e caktuar për pritën ishte 12 gushti… Të nesërmen iu afruam rrugës ku do të bënim aksionin, përtej fshatit të djegur Barmash… Kishim ngritur një vend ideal për ngritjen e pusisë, atje ku rruga ishte gdhendur në faqe të malit dhe kthesat vinin një pas një. Ana tjetër e rrugës shkonte thikë deri poshtë në lumë. Nuk kishte mundësi shpëtimi nga asnjë anë. Çetën e vendosëm në faqe të malit, nja 200 m larg nga rruga, por mbi të, në një grykë që na ndante nga armiku. Natën mora dhjetë burra me 16 mina dhe zbritëm në rrugë me qëllim që të vendosnim minat në dy grupe, çdo 250 m larg njëra- tjetrës, por që nuk dukeshin. Kur kishim vendosur katër minat e para… më takoi t’i vendosja minat e tjera vetë dhe për këtë m’u deshën katër orë punë pa ndonjë pengesë. Në agim iu ngjita malit te pozicioni i çetës, i lodhur dhe i inatosur. Aty më priste kapiten Burimi, i cili më tha me keqardhje se njerëzit që komandonte nuk ishin mjaft të stërvitur në këtë punë dhe për këtë isha dakort edhe unë. U vendosëm në pozicionet tona dhe pas pak u qetësova kur pashë se po vinte një kamion i tipit me zinxhir për tërheqjen e topave të rëndë, që po rimorkionte një top 88 mm. Disa nga të çetës kujtuan se ishte tanks. Unë drejtova aparatin fotografik dhe Bredën time 20 mm te pika ku kisha vendosur minat. Të gjithë mbajtëm frymën. Kamioni i madh hasi në minë dhe u hodh në erë, mbuluar me flakë e tym. Zhurma e shpërthimit ushtoi nga mali në mal. Fotografova çastin kur kamioni u hodh në erë. Menjëherë hapëm zjarr kundër armikut. Gjermanët që kishin mbetur gjallë kërkonin strehim, por ne i qëlluam pa mëshirë. I thashë kapiten Burimit të dërgonte disa njerëz poshtë për të mbledhur etiketat e identifikimit dhe të shtynin topin nga rruga në lumin poshtë, meqenëse ishte i dëmtuar. Disa luftëtarë zbritën te rruga. Dëgjuam të shtëna, ndoshta vranë të plagosurit. Topin e shtynë nga rruga dhe e hodhën në lumë, kurse kamionin, të bërë copë- copë, nuk mundën ta lëviznin. Ata ishin marrë dhe etiketat e identifikimit. Ishin vrarë 18 gjermanë, 12 brenda në kamion dhe gjashtë në rrugë. Ndërkohë dëgjuam motorët e kamionëve të një autokolone që po afrohej nga një drejtim i kundërt, nga Leskoviku… Kamioni i parë hasi te minat. E fotografova. Kolona ndaloi. Nga dy gjermanë zbritën prej çdo kamioni me qëllim që të largoheshin. I qëlluam. Me dylbitë e mia pashë se pesë gjermanë ishin shtrirë përtokë te kamioni i parë, kështu që fillova të qëlloja mbi të dytin me Bredën time. Mori zjarr edhe kamioni i tretë. Pas 10 minutash gjermanët u organizuan dhe nisën të qëllonin. Ne iu përgjigjëm zjarrit me zjarr, pastaj u larguam.

Megjithëse nuk e vlerësova sa duhet shpirtin luftarak të shqiptarëve, isha i kënaqur me rezultatet: kishim vrarë 23 gjermanë, pa pasur asnjë humbje; morëm etiketat e identifikimit, hodhëm në erë një kamion me zinxhirë dhe tre kamionë të zakonshëm, shkatërruam një top 88 mm. Me njerëz më të disiplinuar, do të kishim pasur mundësi t’i zhduknim të gjithë.

Shefi i Misionit britanik Meklein e çmoi betejën dhe e vijoi komunikimin me Safet Butkën. Në letrën e datës 31 gusht 1943, ai i shkruante sërish Prof. Butkës për ta vazhduar bashkëpunimin me aksione të tjera në rrugën Korçë- Janinë.

31 gusht 1943 DOKUMENTI:

Panarit PROFESORI IM I DASHUR, Ju falënderoj për letrën tuaj të 28.8.1943, që e mora pak me vonesë. Jemi gati për t’u dhënë disa instruksione njerëzve tuaj. Dua të bëj lidhjen me Ju dhe Jani Dilon, sa më shpejt të jetë e mundur, sepse kemi marrë direktiva nga Shtabi ynë i Përgjithshëm që ne duhet të vazhdojmë në rrugën KorçëJaninë. Ne kemi pak material për Ju. Sipas asaj që Ju keni rënë dakord të bëni për të vazhduar aksionet në rrugën midis Barmashit dhe Peratit, ne jemi të gatshëm të shkojmë tok me forcat tuaja për t’ju ndihmuar me pak materiale ( predha antitank, mina, eksploziv etj.) dhe të dhëna taktike.

A do të mundemi të takohemi me ju ose me Jani Dilon nesër në Panarit për të bërë disa rregullime praktike? Pasnesër unë do të nisem drejt Leskovikut, për t’u vendosur atje. Por, përpara se të nisem, dua të flas me Ju për të zgjedhur vendin për shtabin tim dhe të gjitha rregullimet e tjera.

Ju kërkoj të më falni që nuk ju takova në Selenicë, pasi isha duke bërë veprime operative.

Atëherë, po pres mbërritjen e Jani Dilos ose tuajin në Panarit, nesër më 31 gusht ’ 43.

Me shpresë që t’ju shoh, Sinqerisht Bill Meklein Major

Sipas marrëveshjes dhe komunikimit në vazhdim me majorin Meklein, Safet Butka organizoi një betejë tjetër prej katër ditësh, 9- 13 shtator 1943, në Pocestë, në rrugën Korçë- Pogradec kundër një autokolone italiane. Çetat e Safet Butkës luftuan bashkërisht me forcat partizane të komanduara nga Nexhip Vinçani, sipas rekomandimit të Meklein. Në këtë betejë të përbashkët, ranë dëshmorë një nacionalist dhe dy partizanë….

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.